Depresioni pas lindjes prek rreth një në shtatë gra që sjellin në jetë një fëmijë, por ende dihet pak për ndryshimet që ndodhin në trurin e tyre gjatë shtatzënisë. Një studim i ri sjell të dhëna të reja mbi këtë fenomen, ka shkruar The New York Times.
Sipas një hulumtimi të botuar në revistën Science Advances, skanimet e trurit të dhjetëra grave para dhe pas lindjes treguan rritje në dy zona të rëndësishme të trurit, të lidhura me përpunimin dhe kontrollin e emocioneve, tek ato që zhvilluan simptoma të depresionit pas lindjes.
“Ky është hapi i parë për të kuptuar se si ndryshon truri gjatë një shtatzënie normale dhe si ndikon tek ato gra që përjetojnë depresion perinatal”, ka thënë doktoresha Sheila Shanmugan, profesoreshë në Universitetin e Pensilvanisë.
Ndryshimet në dy pjesë të trurit
Studimi tregoi se gratë që shfaqën simptoma depresioni në muajin e parë pas lindjes patën një rritje të ndjeshme të amigdales, rajon i trurit që luan rol kyç në përpunimin e emocioneve. Po ashtu, gratë që e përceptuan lindjen si të vështirë ose stresuese – një faktor shpesh i lidhur me depresionin pas lindjes – treguan gjithashtu rritje në volumin e hipokampusit, pjesë e trurit që ndihmon në rregullimin e emocioneve.
Doktoresha Susana Carmona, autore e studimit dhe neuroshkencëtare në Instituto de Investigación Sanitaria Gregorio Marañón në Madrid, ka shpjeguar se “mund të ndodhë që gratë me amigdalë më të ndjeshme janë më të prirura ndaj depresionit pas lindjes, por mund të ndodhë edhe e kundërta, që simptomat e depresionit ta zmadhojnë amigdalën”.
Si u krye studimi?
Hulumtimi përfshiu 88 gra shtatzëna pa histori të mëparshme depresioni apo çrregullimesh neuropsikiatrike dhe 30 gra që nuk ishin shtatzëna. Gratë shtatzëna iu nënshtruan skanimeve të trurit gjatë tremujorit të tretë të shtatazanisë dhe rreth një muaj pas lindjes.
Rezultatet treguan se:
15 gra shfaqën simptoma mesatare të depresionit pas lindjes.
13 gra patën simptoma të forta depresioni që kërkonin trajtim mjekësor.
Perceptimi i lindjes si stresuese lidhej me ndryshime më të mëdha në tru.
Doktoresha Elseline Hoekzema, neuroshkencëtare në Amsterdam University Medical Center, ka thënë se studimi është i pari që lidh ndryshimet në tru gjatë shtatzënisë me depresionin pas lindjes.
Një hap për të ardhmen
Ekspertët kanë theksuar se këto gjetje mund të ndihmojnë në përmirësimin e metodave për parashikimin, diagnostikimin dhe trajtimin e depresionit pas lindjes.
“Pyetja kryesore tani është: Si mund të ndërhyjmë herët? Cilat janë ndryshimet normale dhe cilat tregojnë rrezik për depresion?”, ka thënë doktoresha Laura Pritschet, studiuese në Universitetin e Pensilvanisë.