Studimi i fundit sugjeron se shtimi i vetëm katër minutave aktiviteti intensiv fizik çdo ditë mund ta ulë përgjysmë rrezikun e infarkteve të zemrës te gratë.
Aktivitetet e tilla si ngjitja e shkallëve në vend të përdorimit të ashensorit mund të bëjë ndryshim të madh në shëndetin kardiovaskular.
The Guardian ka raportuar se studiuesit nga Biobanka në Birtani, kanë zbuluar se edhe më pak se pesë minuta aktiviteti i shpejt dhe i fuqishëm çdo ditë mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në shëndetin e zemrës, duke e ulur rrezikun nga ndonjë ngjarje serioze kardiovaskulare. Këto rezultate janë publikuar në British Journal of Sports Medicine.
Ekspertët, të cilët nuk ishin pjesë e studimit, kanë deklaruar se këto gjetje janë prova të qarta se ngritja e ritmit të zemrës për disa minuta çdo ditë mund të bëjë ndryshim të madh në shëndetin e zemrës. Aktivitetet fizike të intensitetit të lartë për periudha më të gjata janë mirë të njohura për lidhjen e tyre me uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, por deri tash nuk ishte e qartë nëse periudhat e shkurtra të këtij aktiviteti, të cilat shpesh janë pjesë e rutinës së përditshme, mund të jenë gjithashtu efektive për përmirësimin e shëndetit të zemrës.
Studimi vuri në dukje se ky është një informacion i rëndësishëm për gratë që nuk kanë mundësi ose nuk ushtrojnë rregullisht, pasi ato shpesh kanë nivel më të ulët të aktiviteteve fizike krahasuar me burrat në çdo moshë.
Në këtë studim, studiuesit kanë analizuar ndikimin e “aktivitetit fizik të ndërprerë dhe intensiv të stilit të jetesës” në shëndetin e zemrës te gratë dhe burrat.
Përfitimet nga këto periudha të shkurtra të aktivitetit, si ecja me shpejtësi për ta kapur autobusin, ishin të dukshme te gratë. Vetëm 1.5 deri në 4 minuta aktiviteti të tillë në ditë çonin në ulje të ndjeshme të rrezikut nga ndonjë sulm në zemër.
Studiuesit përdorën të dhënat nga 81,052 persona të moshës së mesme, marrë nga Biobank në Britani, të cilët mbajtën një pajisje që gjurmonte aktivitetin për shtatë ditë në mes të viteve 2013 dhe 2015.
Prej tyre, 22,368 persona raportuan se nuk bënin ushtrime të rregullta, ose ndoshta bënin vetëm një shëtitje një herë në javë.
Gratë që regjistruan një mesatare të përditshme prej 3-4 minutash aktiviteti intensiv, por nuk raportuan për ushtrime formale, kishin 45% më pak mundësi të kishin infarkt, goditje në tru ose dështim të funksionit të zemrës krahasuar me ato që nuk bënin aktivitet fare.
Specifikisht, rreziku i infarktit ishte 51% më i ulët dhe ai i dështimit të zemrës ishte 67% më i ulët.
“Ne e dimë tashmë se çdo lloj aktiviteti është i dobishëm për uljen e rrezikut të infarkteve dhe sulmeve në tru. Ky studim i madh është provë se ngritja e trupit dhe rritja e ritmit të zemrës edhe për disa minuta çdo ditë mund të bëjë një ndryshim të madh për një zemër të shëndetshme”, ka thënë Regina Giblin, infermiere e kardiologjisë në “British Heart Foundation”, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
Megjithatë, ajo ka thënë se ata që mund të bëjnë ushtrime, rekomandimi mbetet që të synojnë të bëjnë të paktën 150 minuta ushtrime me intensitet të moderuar në javë.