Një studim i ri sugjeron se koha kur dikush konsumon një filxhan kafe mund të ndikojë në uljen e rrezikut për vdekje të parakohshme.
BBC kka shkruar se studimi ka zbuluar se ata që pinë kafe në mëngjes kanë rrezik më të ulët për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare se ata që pinë kafe gjatë gjithë ditës. Megjithatë, ky studim nuk mund të vërtetojë nëse kafeja është shkaku i vetëm.
Doktori Lu Qi, udhëheqës i studimit dhe drejtor i Qendrës për Hulumtime mbi Obezitetin në Universitetin Tulane, ka thënë se megjithëse studimi nuk tregon pse pirja e kafes në mëngjes ul rrezikun, mund të jetë se konsumimi i kafes pasdite mund të dëmtojë ritmin e brendshëm të trupit të një personi.
Ai ka shtuar se janë të nevojshme studime të mëtejshme për të parë nëse rezultatet e tyre mund të vërehen edhe te popullata të tjera.
“Ne kemi nevojë për prova klinike për të testuar ndikimin potencial të ndryshimit të kohës kur njerëzit pinë kafe”, ka thënë Lu.
Një shpjegim i mundshëm, sipas doktorit, mund të jetë se konsumimi i kafes pasdite ose në mbrëmje mund ta prishë ritmin biologjik të organizmit apo ritmin cirkadian, dhe nivelet e hormoneve si melatonina, që ndikojnë në faktet e rrezikut kardiovaskular, siç janë inflamacioni dhe tensioni i gjakut.
Hulumtimi, i publikuar në “European Heart Journal”, analizoi 40,725 të rritur që morën pjesë në Anketën Kombëtare të Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA nga 1999 deri në 2018.
Pjesëmarrësve iu kërkua të raportonin konsumin e ushqimit dhe pijeve, duke përfshirë kafenë, sa dhe kur e pinin.
“Meqenëse kafeja ka efekte të njohura në trupat tonë, ne dëshiruam të shohim nëse koha kur pini kafe ka ndonjë ndikim në shëndetin e zemrës”, ka treguar doktori Lu Qi.
Hulumtimi ka treguar se 36% e pjesëmarrësve konsumonin kafe në mëngjes, dhe 14% pinin kafe gjatë gjithë ditës.
Lu dhe ekipi i tij ndoqën pjesëmarrësit për gati dhjetë vjet dhe analizuan të dhënat dhe shkaqet e vdekjes gjatë asaj periudhe.
Pas ndjekjes për pothuajse 10 vjet, 4,295 persona vdiqën, përfshirë 1,268 vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare. Hulumtuesit zbuluan se ata që pinë kafe në mëngjes kishin 16% më pak mundësi të vdisnin krahasuar me ata që nuk pinë kafe dhe 31% më pak mundësi të vdisnin nga sëmundjet e zemrës. Ata gjithashtu nuk panë ndonjë ulje të rrezikut për ata që pinë kafe gjatë gjithë ditës krahasuar me ata që nuk pinë kafe.
Për më tepër, studiuesit kanë gjetur se sasia më e lartë e konsumit të kafesë ishte shumë e lidhur me rrezik më të ulët për vdekje, por vetëm te ata që pinë kafe në mëngjes krahasuar me ata që pinë gjatë gjithë ditës.
Profesori Thomas F Luscher nga spitali “Royal Brompton dhe Harefield” në Londër, përmes një shkrimi ka shpjeguar se përse ka rëndësi koha kur konsumohet kafja.
Ai ka thënë se është e mundur që kafeja e pirë më vonë gjatë ditës mund të dëmtojë ritmin cirkadian të organizmit ndërkohë që trupi duhet të pushojë.
“Shumë njerëz që konsumojnë kafe gjatë gjithë ditës kanë probleme me gjumin”, ka shtuar ai.
Studimi gjithashtu sugjeroi se pjesëmarrësit që pinë kafe në mëngjes janë më të prirë të konsumojnë edhe çaje dhe pije të gazuara, të cilat përmbajnë kafeinë, por konsumojnë më pak kafe, përfshirë edhe kafenë pa kafeinë, krahasuar me ata që pinë kafe gjatë gjithë ditës.