Një studim i ri ka sugjeruar që forca muskulore dhe forma e mirë fizike mund të ulin gati 50 për qind rrezikun e vdekjes së pacientëve me sëmundjen e kancerit.
Sipas këtij studimi, programi i ushtrimeve të personalizuara mund të rrisë mundësinë e mbijetesës për pacientët me kancer.
Pavarësisht përparimeve të mëdha në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, efektet anësore të trajtimit, përfshirë ato që ndikojnë në zemër dhe muskuj, mund të ndikojnë në mbijetesë, ka shkruar The Guardian.
Analiza e të dhënave, që përfshin pothuajse 47,000 pacientë me lloje dhe faza të ndryshme të kancerit, ka sugjeruar se forca muskulore dhe forma e mirë fizike lidhen me rrezik më të ulët të vdekjes nga çdo shkak te pacientët me kancer.
Studimi u botua në “British Journal of Sports Medicine” dhe u krye nga Universiteti Edith Cowan në Australi, ku hulumtuesit shqyrtuan studime të botuara deri në gusht 2023 dhe përfshinë 42 studime në analizën përfundimtare.
Përfitimet nga ushtrimet dhe forca muskulore
Sipas studimit, pacientët që kishin forcë muskulore dhe nivel të lartë të kondicionit kardiovaskular kishin rrezik 31-46% më të ulët të vdekjes nga çdo shkak, krahasuar me ata që kishin forcë të dobët muskulore dhe nivele të ulëta të kondicionit kardiovaskular.
Ky përfitim ishte i dukshëm edhe te pacientët me kancer të fazës 3 ose 4, te të cilët rreziku i vdekjes u ul me 8-46%. Gjithashtu, pacientët me kancer të mushkërive ose të traktit tretës kishin rrezik 19-41% më të ulët nga vdekja.
Studiuesit sugjerojnë që forca muskulore mund të përdoret në praktikën klinike për të përcaktuar rrezikun e vdekjes te pacientët me kancer në faza të avancuara dhe se aktivitete të forcimit të muskujve mund të përdoren për të rritur jetëgjatësinë.
Dieta dhe ushtrimet për uljen e rrezikut nga kanceri
Një studim tjetër, gjithashtu i botuar në “British Journal of Sports Medicine”, ka zbuluar se mbajtja e belit të hollë dhe ushtrimet e rregullta janë më efektive për uljen e rrezikut nga kanceri sesa vetëm njëri prej këtyre faktorëve.
Ky studim, i financuar nga Fondi Botëror për Hulumtime të Kancerit, ka zbuluar se individët duhet të bëjnë ushtrime dhe të mbajnë peshën nën kontroll për të arritur përfitimin maksimal për ta parandaluar kancerit.
“Këto gjetje theksojnë rëndësinë e një qasjeje të balancuar kur bëhet fjalë për shëndetin në përgjithësi, marrë parasysh shëndetin mendor, fizik, emocional e shpirtëror, duke mos u fokusuar vetëm në një faktor për të ulur rrezikun nga kanceri”, ka thënë doktoresha Helen Croker, drejtuese e studimit.
Sipas saj, mbajtja e peshës së shëndetshme, sidomos rreth zonën së belit, brenda niveleve të rekomanduara, bashkë me aktivitetin fizik dhe një dietë e shëndetshme, janë hapa të rëndësishëm për të ulur rrezikun nga kanceri.
Përparimet në zbulimin e kancerit dhe parandalimin e tij
Ndërkohë, shoqata “Studimet për Kancer” në Mbretërinë e Bashkuar ka njoftuar se do të investohen 10 milionë funte për krijimin e mjeteve të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe analizave të të dhënave për të përmirësuar zbulimin dhe parandalimin e kancerit.
Ky program pesëvjeçar i bazuar në të dhëna do të ndihmojë mjekët të parashikojnë mundësinë e zhvillimit të kancerit tek individët dhe të ofrojnë ndihmë të personalizuar për ata që janë në rrezik të lartë.
Ky përparim mund të çojë në ofrimin e kontrollimeve më të shpeshta të kancerit për ata që janë në rrezik të lartë, ose teste më të hershme, ndërsa ata që janë në rrezik më të ulët mund të shmangin ekzaminime të panevojshme.