Lifestyle

Studimet sugjerojnë se pacientët me kancer të gjirit mund të shmangin disa operime

Studimet për kancerin e gjirit

Foto: Associated Press

Dy studime të reja sugjerojnë që disa pacientë me kancer të gjirit, që e diagnostikojnë në faza të hershme mund të shmangin operacione të caktuara, duke ulur kështu ngarkesën e trajtimit.

Një studim i ri, i botuar në New England Journal of Medicine, shqyrton nëse është gjithmonë e nevojshme të hiqen nyjat limfatike kur kanceri i gjirit zbulohet herët.

Një tjetër studim, i publikuar në Journal of the American Medical Association, sugjeron qasje të re për një lloj kanceri të gjirit të quajtur “ductal carcinoma in situ” (DCIS).

Agjencia e lajmeve Associated Press, ka shkruar se këto kërkime u diskutuan të enjten në simpoziumin për kancer të gjirit në San Antonio. 

DCIS dhe monitorimi aktiv

Çdo vit, rreth 50,000 gra në SHBA diagnostikohen me “ductal carcinoma in situ” (DCIS), ku qelizat që rrethojnë kanalet e qumështit bëhen kancerogje, por indekset e gjirit përreth mbeten të shëndetshme. Shumë gra zgjedhin të kryejnë operacione, ani pse nuk është e qartë nëse ato mund të përzgjedhin trajtime të ndryshme, duke pritur dhe duke monitoruar zhvillimin e tyre më shpesh.

Një studim i ri, bazuar në të dhënat dyvjeçare, sugjeron që ky monitorim aktiv është alternativë e sigurt për shumë gra, megjithatë disa mjekë mund të duan të shohin nëse rezultatet mbesin të qëndrueshme me kalimin e kohës.

“Ky është një opsion që pacientet duhet ta marrin parasysh për DCIS-në e tyre. Për një kohë të gjatë, kemi pasur ndjenjën se po i trajtojmë në mënyrë të tepërt disa paciente me DCIS. Ky është një konfirmim i asaj që kemi dyshuar”, ka thënë doktoresha Virginia Kaklamani nga University of Texas Health Science Center San Antonio, e cila nuk ishte pjesë e studimit.

Doktoresha Monica Morrow nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center, e cila gjithashtu nuk ishte pjesë e studimit, ka shprehur një tjetër mendim, duke thënë se “një studim dyvjeçar nuk është mjaftueshëm i gjatë për të nxjerrë përfundime”.

Ky studim përfshiu më shumë se 950 paciente amerikane që u caktuan rastësisht për të pasur operacion ose monitorim aktiv. Të gjitha kishin DCIS me rrezik të ulët dhe pa shenja të kancerit agresiv. 
Ato kishin llojin e DCIS që reagon ndaj barnave që bllokojnë zhvillimin e sëmundjes dhe shumë prej tyre përdorën këto barna si pjesë të trajtimit të tyre.

Pas dy vjetësh, normat e kancerit agresiv ishin të ulëta dhe nuk kishin ndryshuar ndjeshëm midis grupeve, me rreth 6% në grupin që kaloi në operacion dhe 4% në grupin që u monitorua aktivisht.

Pjesëmarrësit në grupin e monitorimit do të bënin biopsinë, në rast se do të gjendej diçka në mamografi. Ata gjithashtu mund të zgjidhnin të kryenin operacion në çdo moment dhe për çdo arsye.

Nyjat limfatike dhe kanceri i gjirit

Gratë që bëjnë operacion për kancerin e gjirit shpesh edhe bëjnë biopsi të nyjave limfatike të quajtur “sentinele”, ku hiqen disa nyje limfatike për të kontrolluar për përhapje të kancerit. Por heqja e nyjave limfatike mund të shkaktojë dhimbje të vazhdueshme dhe ënjtje të krahut, kështu që kërkimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar kur mund të shmanget ky operacion.
Një studim i kryer në Evropë vitin e kaluar tregoi se gratë më të moshuara me tumore të vogla mund të shmangin këtë operacion shtesë.

Në studimin e ri, studiuesit në Gjermani shqyrtuan nëse gratë me kancer të gjirit në fazat e hershme që kishin planifikuar të kishin operacion për të ruajtur gjirin, mund të shmangnin heqjen e nyjave limfatike.
Ata ndoqën 4,858 gra që u caktuan rastësisht për të hequr nyjat limfatike ose jo.

Pas pesë vjetësh, rreth 92% e grave në të dy grupet ishin ende të gjalla dhe pa kancer.

“Heqja e nyjeve limfatike nuk përmirëson mbijetesën, dhe rreziku i rikthimit të kancerit në nënbrinjë është mjaft i ulët kur nyjat limfatike nuk hiqen”, ka thënë Morrow, duke shtuar se disa gra do të kenë ende nevojë për procedurën e operimit të nyjave limfatike për të ndihmuar në përcaktimin e barnave që duhet të marrin pas operacionit.