Edhe pse pija me emrin “Aperol Spritz” ekziston që moti, ajo është kthyer në trend viteve të fundit. Mediumet e mëdha si BBC e CNN kanë shkruar për të verën e kaluar.
Pija e popullarizuar aperol (koktej me bazë në verë)
Si ka arritur kjo pije që gjendej vetëm nëpër tavernat italiane të depërtojë në vende të ndryshme të botës?

E përbërë nga ‘proseko’, pak liker të hidhur, akull, pak pije të gazuar e pastaj e zbukuruar me një ulli apo fetë portokalli, aperitivi venecian është votuar si pija më e preferuar e Italisë para darkës.
Në SHBA, aperoli është bërë aq i popullarizuar saqë yje si Zendaya, i kanë lyer thonjtë me ngjyrën e veçantë të portokalltë si të pijes.
Origjinali i kësaj pije nuk ishte i portokalltë. Historia e aperolit daton që nga shekulli 19, kur Austria kishte okupuar Venecian në vitin 1797 dhe sundoi për dekada me radhë. Austriakët nuk kishin shije për verën e rëndë Malvasia, dhe importuan traditën e tyre që quhet “spritzen”, duke shtuar pije të gazuar në verën e bardhë. Ideja për ta përdorur ‘prosekon’ lokale në vend të verës dhe ta përziejnë me liker të hidhur, erdhi shumë më vonë.
Giuseppe Zanon, një banakier dhe bashkëpronar i “Al Merca cafe” ( Campo Bella Vienna, 213), ka thënë se venecianët mendonin se vera të cilët i shtohej ujë i gazuar, ishte shumë e lehtë, prandaj vendosën që të shtonin pije si Aperol, Select, Campari apo Cynar.
Aperoli, që tash është pija më e popullarizuar e momentit, u zbulua në qytetin e Padovas më 1919 nga vëllezërit Luigi dhe Silvio Barbieri, pas shtatë vjetësh eksperimentimi në distilerinë e babait të tyre.

Së pari u reklamua në vitet 1920 si pije e mirë për ata që nuk donin të shtonin peshë, pasi përmban pak alkool (11 për qind). Më pas gjatë viteve 1930, pija iu prezantua edhe grave me sloganin “Signora! Aperoli të mban të hollë”.
Gjatë viteve të 80’ta, aperoli ishte i lirë dhe vlerësohej nga baret vendase në rajonin Veneto, të cilët i shtuan pijes pak stil të vetin.
Gjatë viteve 90’ta, sheshet e Padovas mbusheshin me studentë që shijonin pijen, çdo të premte mbrëma. Aperoli u bë si njëfarë arsye për t’u mbledhur e për të qëndruar jashtë deri natën vonë.

Sir Oliver Skardyn, i cili këndon këngën “Fame un Spritz” (bëma një spritz), të cilin gazetarja e BBC-së, Anna Bressanin, e përshkruan si Bob Marleyn italian, portretizoi osteritë italiane si oaza reale të verës së nxehtë veneciane, ku studentët e gjyshërit luajnë me letra, hanë e pinë bashkë.
Në mënyrë që të sigurohej se do ta kontrollonte tregun venecian, kompania “Campari” bleu Aperolin në vitin 2003. Gjithashtu solli një “aperitiv” rajonal të ri të cilin filluan ta shërbenin në gota të gjata elegante me formë të një balloni.
Ky ndryshim i irritoi pak konsumuesit e aperolit, kur e panë pijen të servuar në gota të reja.
“Zgjedhje e guximshme. por pak bezdisëse”, ka thënë Julka Villa, drejtoreshë në “Campari Group”.
Por, ndërkohë që dukej jo e natyrshme, u bë njëfarë “Milan-izimi” i traditës veneciane, sepse konsiderohej si zgjedhje e mençur komerciale.
“Gota e re e vuri në dukje dhe i dha dinjitet”, ka thënë tutje Villa, pasi gota e ngriti Aperolin lartë, nga një pije e zakonshme e osterive italiane në pije të klasës së lartë.
Aperoli nuk ishte më veç një pije e thjeshtë nga Padova, por ishte pija që kërkohej më së shumti nga fashionistat e Milanit.

Ekspertja e ushqimit Eleonora Cozella ka thënë se aperoli ka ngjyrën e muzgut të verës.
Deri para 40 vjetësh, amerikanët nuk e pëlqenin shijen e hidhur, si të çokollatës së zezë apo kafesë së fortë.
Tani ata bëjnë pyetje në “Google” si: “Çka është likeri i kuq i hidhur?”, “Çka dreqin është Vermoth” si dhe “A mund të pish Aperol vetëm?”.