Një studim i ri sugjeron se hapat që një person bën çdo ditë mund të çojnë në reduktim të simptomave të depresionit.
Sipas studimit të botuar ditë më parë në revistën JAMA Network Open, numri më i lartë i hapave brenda ditës rezulton në më pak simptoma të depresioni, ka shkruar CNN.
“Studimi ynë ofron prova shtesë se inkurajimi i njerëzve për të qenë aktivë, pavarësisht llojit apo intensitetit të aktivitetit, është strategji efektive për parandalimin e depresionit", ka thënë autori kryesor i studimit, Dr. Bruno Bizzozero-Peroni, hulumtues postdoktoral në Qendrën e Kërkimeve Shëndetësore dhe Sociale në Universitetin e Castilla-La Mancha në Spanjë.
Studim është bërë duke shqyrtuar 33 studime që përfshinin më shumë se 96,000 persona të rritur.
Doktoresha Karmel Choie, psikologe në Universitetin e Harvardit ka thënë se të dhënat e studimit kanë sugjeruar se numri i hapave që lidhet me reduktimin e simptomave të depresionit është më i vogël sesa është menduar.
“Zakonisht dëgjojmë që është mirë të bëjmë 10,000 hapa në ditë, por këtu, edhe 7,000 hapa duket se shoqërohen me një shëndet më të mirë mendor”, ka thënë Choie, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
Doktori Brendon Stubbs, nga King’s Collage London, i cili po ashtu nuk ishte i përfshirë në studim, ka shtuar se veçanërisht inkurajues është fakti se madje edhe rritja e vogël e numrit të hapave mund të ndihmojë. Sipas studimit vetëm 1,000 hapa shtesë në ditë mund të zvogëlojnë potencialisht rrezikun e depresionit të ardhshëm me 9%,
Megjithatë, Choi ka thënë se janë të nevojshme më shumë studime, pasi studimet që ishin pjesë e analizës ishin kryesisht observuese dhe ishin përqendruar te popullsia e përgjithshme, jo te njerëzit me depresion klinik, që do të thotë se studiuesit nuk mund të thonë nëse ecja ndikon në depresion apo nëse ata që kanë depresion lëvizin më pak.
Lëvizjet që funksionojnë për trupin
Choi ka deklaruat gjithashtu se ndërsa ka boshllëqe në kërkime që kërkojnë më shumë punë, nuk është befasuese që më shumë lëvizje lidhen me reduktim të simptomave të depresionit dhe bërja e më shumë hapave nuk është e vetmja lëvizje që mund të bëjë dikush për shëndet më të mirë mendor.
“Numri i hapave është ndihmesë e mirë për aktivitetin fizik, gjë që ka treguar përfitime të vazhdueshme për rrezikun nga depresioni. Megjithatë, duhet të kujtojmë se numri i hapave më së miri tregon për lloje të caktuara të lëvizjes, si ecja apo vrapimi dhe mund të jetë më pak i përshtatshëm për aktivitete si joga”, ka thënë Choie.
Ekspertët kanë shprehur interes për zgjerimin e rekomandimeve për aktivitetin fizik për t’i bërë ato më të përshtatshme me atë që motivon individët.
Aktualisht, rekomandimet janë të përqendruara te koha, si për shembull 150 minuta në javë aktivitet të moderuar deri në të aktivitet me intensitet më të lartë.
“Zgjidhni matjen që ju motivon më shumë. Pavarësisht nëse janë hapa apo orë, literatura për shëndetin mendor sugjeron në mënyrë të vazhdueshme se lëvizja deri diku është më e mirë sesa moslëvizja”, ka rekomanduar Choi.
Ku mund të gjeni motivimin?
Shumë njerëz kanë vështirësi për të gjetur motivimin për të ushtruar dhe shtimi i depresionit mund ta bëjë edhe më të vështirë fillimin.
“Vendosja e objektivave dhe ndjekja e aktivitetit nuk ndihmon gjithmonë”, ka thënë doktori Michael Noetel, ligjërues në Universitetin e Queensland në Australi.
Noetel nuk ishte i përfshirë në hulumtimin e vitit 2024.
“Ne duhet të mbështetemi në njohuritë për atë që funksionon. Mund ta gjeni këtë duke iu bashkuar një grupi fitnesi, duke marrë një trajner apo duke kërkuar nga një i afërm të ecë me ju”, ka thënë ai, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe përgjegjësisë.
Nëse për dikë aktiviteti më i përshtatshëm është ngritja e peshave apo ecja, duhet ta bëjë atë të këndshëm për ta vazhduar.
“Silluni mirë me veten tuaj duke e bërë ushtrimin sa më të lehtë dhe tërheqës të jetë e mundur”, ka thënë Noetel.
Ai ka shtuar se sa më shumë që dikush e shijon ushtrimin, aq më i sigurt do të ndihet për të kapërcyer pengesat e ushtrimeve.