Shkencëtarët kanë zbuluar një suplement bimor që mund ta përmirësojë memorien dhe përqendrimin, duke treguar rezultate befasuese në provat klinike.
“Daily Mail” ka shkruar se suplementi i quajtur bacopa, që shitet për rreth 5 funte (rreth 6 euro), ka fituar popullaritet pas pretendimeve se është ilaç natyral për ADHD-në dhe ankthin.
Studimi nga shkencëtarët indianë ka treguar se ky suplement mund të ketë fuqi ta pasurojë trurin nëse merret çdo ditë për vetëm tre muaj. Rezultatet treguan se ata që morën bacopa performuan më mirë në testet që matin memorien, përqendrimin, vigjilencën, arsyetimin dhe fleksibilitetin mendor.
Ata gjithashtu shfaqën nivele më të ulëta të hormoneve të lidhura me stresin dhe ankthin krahasuar me grupin që mori placebo.
Sipas autorëve, të cilët kanë publikuar rezultatet në revistën Gavin Publishers, grupi që mori bacopa kishte gjithashtu nivele më të larta të një proteine që është e lidhur me prodhimin e qelizave të reja të trurit.
Përfitimet e bacopës për trurin lidhen me një substancë të quajtur bacosides, që ka veti antioksiduese dhe antiinflamatore. Ky suplement kishte bërë bujë të madhe, ku shumë përdorues e kanë reklamuar në TikTok, duke thënë se ka përfitime për kujtesën.
Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë përdorimi i këtij suplemeneti. Profesori James Goodwin, ekspert i shkencës së plakjes nga Universiteti i Loughborough, ka shpjeguar se bacopa mund të bëjë që disa ilaçe të jenë më pak efektive.
“Ajo pengon një substancë të rëndësishme në tru, acetylcholine, dhe mund të kundërshtojë ilaçet për sëmundjet dhe problemet si demenca, glaukoma dhe mbajtja e urinës”, ka thënë ai.
Po ashtu, përdorimi i bacopës mund të pengojë efikasitetin e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve kronike të mushkërive, që gjithashtu ndodhin duke modifikuar nivelet e acetylcholine. Efektet anësore të zakonshme të bacopës përfshijnë probleme të tretjes, si të përziera dhe dhimbje abdominale. Për këtë arsye, pacientët me ulçerë stomaku ose sindromën e zorrëve irrituese (IBS) duhet të kenë kujdes.
Studimi përfshiu 80 pjesëmarrës, të moshës 18 deri në 55 vjeç, të cilëve iu dha një dozë prej 300 mg bacopa ose një placebo. Testet u kryen në fillim, në mes dhe në fund të periudhës tremujore. Disa nga detyrat e kujtesës përfshinin përsëritjen e një liste numrash, memorizimin e pozicionit të katrorëve në një ekran dhe kërkimin e një objekti të caktuar në një hapësirë të mbushur. Testet për përqendrimin përfshinin enigma me fjalë dhe ngjyra.
Ndërkohë, edhe pse rezultatet duken premtuese, ekspertët thonë se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfitimet shëndetësore të bacopës. Shkencëtarët indianë, që udhëhoqën provën dhe u financuan nga një kompani që prodhon suplemente bacopa, besojnë se rezultatet mund të kenë implikime për ata që kërkojnë një mënyrë natyrale për të përmirësuar shëndetin e trurit. Ata kanë theksuar gjithashtu se “ndryshe nga ilaçet sintetike për përmirësimin e aftësive mendore, të cilat mund të shkaktojnë varësi, suplementet bimore janë më pak të dëmshme dhe më të durueshme”.