Shkencëtarët kanë zbuluar një pjesë të panjohur më parë të sistemit imunitar, e cila mund të përmbajë një arsenal kimikalesh që vrasin bakteret.
Një studim i publikuar në revistën prestigjioze Nature ka treguar se një strukturë qelizore e njohur si proteasoma, e cila zakonisht riciklon proteinat, mund të ndryshojë funksion dhe të prodhojë molekula që shkatërrojnë bakteret, ka raportuar BBC.
Një mekanizëm i ri mbrojtës në organizmin e njeriut

Proteasoma ndodhet në çdo qelizë të trupit dhe roli i saj kryesor është të copëtojë proteinat e vjetra për t’i ripërdorur. Megjithatë, shkencëtarët nga Instituti Weizmann në Izrael kanë zbuluar se ajo gjithashtu mund të zbulojë praninë e baktereve në qelizë dhe të shndërrohet në një mekanizëm mbrojtës.
Në vend që të riciklojë proteina, ajo fillon të prodhojë molekula të afta për të shkatërruar shtresën e jashtme të baktereve, duke i vrarë ato.
“Kjo është vërtet emocionuese, sepse nuk e dinim që ndodhte diçka e tillë. Ne zbuluam një mekanizëm të ri imunitar që na mbron nga infeksionet bakteriale”, ka thënë për BBC-në profesoresha Yifat Merbl nga Instituti Weizmann.
Një burim i mundshëm për antibiotikë të rinj
Zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të rritjes së numrit të baktereve rezistente ndaj antibiotikëve ekzistues. The Guardian ka shkruar se më shumë se një milion njerëz vdesin çdo vit nga infeksionet që nuk mund të trajtohen me antibiotikët aktualë.
Për të studiuar këtë proces, shkencëtarët kanë analizuar materialin e prodhuar nga proteasoma në qeliza dhe kanë testuar këto substanca kundër baktereve në laborator dhe në minj të infektuar me pneumoni dhe sepsë. Rezultatet ishin të krahasueshme me disa nga antibiotikët ekzistues.
Profesori Daniel Davis nga Imperial College London e quajti studimin “shumë provokues dhe tejet interesant” dhe ka shtuar se ai ndryshon tërësisht kuptimin e deritanishëm mbi sistemin imunitar.
Një shpresë e re për luftën kundër super-baktereve

Megjithëse ky zbulim është premtues, ekspertët paralajmërojnë se nevojiten studime të mëtejshme për ta shndërruar këtë proces në një burim të ri të antibiotikëve.
“Mbetet për t’u testuar nëse ky mekanizëm mund të përdoret për zhvillimin e barnave të reja dhe kjo do të kërkojë kohë”, ka thënë Davis për BBC.
Megjithatë, për shkencëtarët, ky zbulim përfaqëson një burim të ri optimizmi.
“Zakonisht kemi kërkuar antibiotikë në natyrë, si në tokë. Është e pabesueshme që një burim i tillë ndodhet brenda vetë trupit tonë”, ka thënë doktoresha Lindsey Edwards nga King’s College London.
Ajo ka shtuar se zhvillimi i barnave të bazuara në këto molekula mund të jetë më i lehtë nga aspketi i sigurisë, pasi këto substanca janë tashmë pjesë e trupit të njeriut dhe mund të jenë më të pranueshme për organizmin.