Qeveria e SHBA-së ka ndarë një shpërblim prej 590 milionë dollarësh për kompaninë “Moderna”, për krijimin e vaksinës kundër gripit të shpezëve, duke përforcuar përpjekjet e vendit për të luftuar rritjen e infeksioneve tek njerëzit, raporton Reuters.
Ky shpërblim është shtesë nga 176 milionë dollarët që Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) dha vitin e kaluar për përfundimin e zhvillimit dhe testeve të një vaksine mRNA kundër gripit të shpezëve H5N1. Shpërblimi do të mbështesë gjithashtu zgjerimin e studimeve klinike për deri në pesë nëngrupe të tjera të gripit pandemik, tha “Moderna” të premten.
“Variantet e gripit të shpezëve kanë dëshmuar të jenë veçanërisht të paparashikueshëm dhe të rrezikshëm për njerëzit, në të kaluarën. Përshpejtimi i zhvillimit të vaksinave të reja do të na lejojë të qëndrojmë përpara dhe të sigurojmë që amerikanët të kenë mjetet që u duhen për të qëndruar të sigurt”, ka thënë sekretari i HHS-së, Xavier Becerra.
Prodhuesi i ilaçeve ka deklaruar se po përgatitet të avancojë vaksinën eksperimentale, mRNA-1018, në provat e fazës së vonë bazuar në të dhënat paraprake nga një studim i fazës së hershme dhe të mesme dhe ka plane për të prezantuar të dhënat në një takim mjekësh në të ardhmen.
Aksionet e kompanisë u rritën me 5% në 35.8 dollarë të premten.
Që nga prilli, pothuajse 70 njerëz në SHBA, shumica prej të cilëve punëtorë të fermave, janë infektuar me gripin e shpezëve, ndërsa virusi ka qarkulluar mes grupeve të shpezëve dhe tufave të lopëve.
Shumica e infeksioneve tek njerëzit kanë qenë të lehta, por një i vdekur u raportua në Louisiana javën e kaluar.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, rreziku për publikun e përgjithshëm nga gripi i shpezëve është i ulët dhe nuk ka pasur më prova të transmetimit nga personi në person.