Lifestyle

Sfilata në shkretëtirë hedh dritë mbi mbeturinat e modës në Kili

Java e Modës në Atakama

Java e Modës në Atakama

Në veshje të krijuara nga mbeturinat e modës, Sadlin Charles, ecën mbi dheun e sfilatës së modës në shkretëtirën Atakama të Kilit, e cila u zhvillua në mes të “maleve” me mbeturina që kanë krijuar ndër vite shtëpitë e ndryshme të modës.

Modeli Sadlin Charles

Veshjet e Charlesit ishin të krijuara nga copëza të mbeturinave, të cilat janë aq të shumta e aq të mëdha sa që mund të shihen nga hapësira. Gati të gjitha këto mbeturina vijnë nga shtete të largëta, përfshirë SHBA-në, Kinën, Korenë Jugore dhe Britaninë, shkruan “The Guardian”.

Sfilata në Atakama

60 mijë tonë të veshjeve të përdorura çohen në Kili çdo vit. Sipas shifrave të fundit të Kombeve të Bashkuara, Kili është importuesi i tretë më i madh në botë i veshjeve të dorës së dytë. Disa nga këto veshje shiten në tregje të dorës së dytë, por të paktën 39 mijë tonë të këtyre rrobave përfundojnë si mbeturina ilegale në shkretëtirën e Atakamas. Shkretëtira është një nga vendet më të popullarizuara në botë, si destinacion turizmi, e famshme për bukurinë që ka, por për ata që jetojnë në afërsi të mbeturinave është bërë vend dëshpërues.

Mbeturinat e tekstilit në Atakama

“Ky vend po përdoret si zonë e sakrifikuar e botës, ku grumbullohen mbeturina nga shumë vende të botës dhe përfundojnë në komunën Alto Hospicio”, ka thënë Angela Astudillo, bashkëthemeluese e organizatës jo qeveritare, Desierto Vestido (Shkretëtira e veshur) e cila ka për qëllim të rrisë vetëdijen rreth dëmtimit që i shkaktohet ambientit nga mbeturinat e rrobave.

Ajo thotë se kjo gjë po krijon stigmatizim për ta sepse vendi i saj është shndërruar në një nga më të ndoturit në botë. Astudillo jeton në një afërsi, të cilën e përshkruan “27 minuta me veturë”, të njërit nga 160 deponitë në atë zonë dhe shpesh e sheh veten ndërmjet tymit e flakëve që ndizen në mënyrë që të digjen rrobat.

“Është shumë e dhimbshme sepse kjo gjë po ndodh për kohë të gjatë tashmë dhe njerëzit që jetojnë këtu nuk kanë çfarë të bëjnë sepse na vë në rrezik. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të denoncojmë se çfarë po ndodh këtu”, ka thënë Astudillo.

Në mënyrë që të vë në dukje këtë lloj pafuqie, organizata e saj është bashkuar me lëvizjen aktiviste të modës, “Fashion Revolutin Brazil”, dhe kanë bashkëpunuar me një agjenci braziliane reklamash, që të organizonin një sfilatë mode në mes të mbeturinave, në mënyrë që të rrisin vetëdijen për realitetin që po ndodh në atë vend dhe të ilustrojnë se çfarë mund të krijohet nga ato mbeturina.

Koleksioni i Maya Ramosit

Maya Ramos, stiliste dhe artiste nga Sao Paolo i Brazilit, ka dizajnuar koleksionin që u vesh nga tetë modelë kilianë në sfilatën e modës, që u mbajt në muajin prill, e që u quajt Java e Modës në Atakama 2024. 

Planet për një ngjarje të ngjashme në vitin 2025 janë në zhvillim.

Koleksioni i Maja Ramosit

Nga larg, Ramos i dha udhëzime Astudillos se çfarë copa rrobash të mblidhte nga mbeturinat në mënyrë që t’i përshtateshin temës së saj të koleksionit së katër elementeve: toka, zjarri, ajri dhe uji. Ajo më pas shkoi në shkretëtirën Atakama në mënyrë që t’i qepte veshje për sfilatën që do të mbahej dhe kaloi 24 orë duke i prerë dhe i qepur me dorë copëzat e tekstilit që kishte mbledhur Astudillo.

“Njerëzit po jetojnë në varfëri dhe është gjë e pasigurt. Situata është urgjente. Puna është se kjo s’ka të bëjë vetëm me problemin e zinxhirëve të modës, por edhe ata shoqërorë. Njerëzit, përmes mungesës së produkteve natyrale, po konsumojnë më shumë se që kanë nevojë me një ritëm të shfrenuar”, ka shpjeguar Ramos.

Koleksioni i Maja Ramosit

Mesatarisht, çdo konsumues  tash blen 60% më shumë rroba se sa që ka blerë para 20 vitesh dhe për çdo vit krijohen 92 milionë tonë me mbeturina të tekstilit.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, industria e modës është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë, përgjegjëse për ndotjen e 20% të ujërave të planetit dhe 10% të emetimit të gazrave serrë.

Ndërkohë që shumë veshje të lira prodhohen ndërmjet ndryshimeve që bëjnë trendët e modës, volumi i prodhimit rritet, kualiteti ulet kurse mbeturinat grumbullohen edhe më shumë.

Një mënyrë e popullarizuar për të anashkaluar veshjet e papërdorura është të jepen për bamirësi, por problemi qëndron tek pamundësia për t’u bërë ballë sasive të shumta. Shumë nga këto donacione përfundojnë nëpër vende të ndryshme në botë si grumbuj të veshjeve ku mbahen tregje për blerjen e veshjeve të dorës së dytë.

Skenat tronditëse të grumbullimit të mbeturinave të tekstilit në Kilin Verior ka tërhequr shumë vëmendje viteve të fundit dhe vazhdon ta bëjë. Në vitin 2023, pamjet e rrobave të hedhura atje siç shihen nga hapësira, janë bërë virale.

Qyteti Iquique, që ndodhet në veri të Kilit, është shtëpia e një ndër porteve më të rëndësishme pa taksa në Amerikën e Jugut.

Në Kili është e ndaluar hedhja e mbeturinave të tekstilit në deponitë e ligjshme, sepse dëmtojnë tokën, prandaj artikujt që nuk shiten janë të destinuara për në shkretëtirë.

Brendet që më së shumti mund të hasen në këto grumbuj mbi rërë janë Zara, H&M, Calvin Klein, Levi’s, Wrangler, Nike dhe Adidas. Shumica e tyre janë të krijuara me poliester, material që për bazë ka plastikën dhe nuk mund të dekompozohet për më shumë se 200 vjet. Kur këto veshje digjen, emetojnë toksina që dëmtojnë tokën, ozonin dhe shëndetin e popullatës që jeton në afërsi.
Astudillo ka treguar se autoritet lokale kanë prezantuar dënimin prej 180 mijë pesos (150 funte britanike) për njerëzit që zihen duke hedhur mbeturina në shkretëtirë. Por ajo gjithashtu ka thënë se autoritet monitorojnë vetëm zonat që janë të banuara, lëshon disa dënime dhe hedhja e mbeturinave vazhdon pandërprerë.

Shteti ka implementuar ligjin për përgjegjësinë e prodhimtarisë, i cili u vendos në kuadër të ligjit të menaxhimit të mbeturinave, duke i bërë përgjegjës importuesit për mbeturinat që prodhojnë. Megjithatë aty ende nuk përfshihen veshjet dhe tekstili.

Ndërkohë rroba vijnë dhe mbeturinat vazhdojnë të rriten.