Lifestyle

Së shpejti edhe të rriturit do të mund të rrezikohen nga sëmundjet e “fëmijërisë”

Vaksina

Në vitin 2024 u regjistruan më shumë se 32 mijë raste të kollës së keqe (pertussis), që paraqet shifrën më të lartë në një dekadë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm në Kaliforni, sëmundja preku 2,000 persona nga muaji janar deri në tetor të vitit të kaluar.  Më shumë se 60 foshnja nën 4 muaj u hospitalizuan dhe një nga to vdiq.

Kolla e keqe është vetëm një shembull dramatik i pasojave të uljes së niveleve të vaksinimit, por ajo nuk është e tëra.  Pandemia ka ndërprerë imunizimet e fëmijëve në të gjithë vendin, dhe nivelet e vaksinimit nuk janë ende në shkallën e duhur. Si rezultat, qindra mijëra fëmijë janë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve që dikur ishin pothuajse të zhdukura.

Shumica e këtyre sëmundjeve prekin kryesisht fëmijët e vegjël, si fruthi, shyta dhe rubeola. Por, nëse nivelet e vaksinimit vazhdojnë të bien në vitet në vijim, për shkak të rritjes së dyshimit ose politikave federale që janë më kufizuese,  ekspertët paralajmërojnë se sëmundjet infektive të parandalueshme do të rikthehen në të gjitha grupmoshat.

“Do të duhen një ose dy vjet, por nuk ka dyshim. Do të kemi shpërthime”, ka thënë Pejman Rohani, epidemiolog i sëmundjeve infektive në Universitetin e Georgias.

Nuk duhet të shqetësohen vetëm personat e pavaksinuar. Edhe të rriturit që u vaksinuan dekada më parë mund të gjejnë veten të pambrojtur nga ato që tani konsiderohen sëmundje të fëmijërisë.

“Shumë njerëz e kanë harruar rrezikun që paraqesin sëmundjet e fëmijërisë”, ka thënë doktori Alex Richter, imunolog klinik në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe, ku po shihet rritje shqetësuese të fruthit dhe shytave.

Para disa dekadash, shumë fëmijë nën moshën 5-vjeçare vdisnin nga sëmundje infektive. Tani fëmijët janë më shumë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut, mbidoza të drogës dhe dhuna me armë, ndërkohë që sëmundjet kanë humbur si shqetësim.

“Por kjo mund të ndryshojë nëse nuk i vazhdojmë politikat e vaksinimit”, ka thënë Richter.

Një nga rreziqet e uljes së shkallës së vaksinimit është që imuniteti i krijuar nga disa vaksina mund të zbehet me kalimin e viteve. Kjo do të thotë se nëse shpërthimet ndodhin më shpesh, edhe të rriturit e vaksinuar mund të jenë të ekspozuar ndaj disa sëmundjeve.

Për shembull, imuniteti ndaj fruthit mund të zvogëlohet. Nga 284 rastet e fruthit të regjistruara në SHBA vitin e kaluar, 11% ishin tek individë që kishin marrë një ose dy doza të vaksinës. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin e faktit se 27% e rasteve ishin të rritur mbi 20 vjeç.

“Ne tashmë jemi larg nga koha kur fruthi ishte vetëm tek fëmijët”, ka thënë Alexis Robert, studiues i sëmundjeve infektive në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Londrës.

Po ashtu, numri i rasteve të shytave është ulur me 99% falë vaksinimit, por janë regjistruar shpërthime në shkolla dhe universitete, ku studentët kanë kontakte të ngushta dhe të gjata.

Kolla e keqe, megjithatë, mund të jetë sëmundja që duhet të shqetësojë më shumë edhe fëmijët e edhe të rriturit e vaksinuar. Sëmundja mund të ngatërrohet me një infeksion të zakonshëm të frymëmarrjes në fillim, por mund të përshkallëzohet në një “kollë për 100 ditë” të dhimbshme, ku çdo episod kollitjeje mbaron me një tingull të rëndë dhe mund të çojë në të vjella, thyerje brinjësh dhe vështirësi në frymëmarrje.

Një version i ri i vaksinës kundër kollës së keqe, i prezantuar në vitet 1990, është shumë më i butë dhe ofron mbrojtje për dekada kundër sëmundjeve të rënda. Por vaksina e re nuk e parandalon plotësisht infeksionin dhe ndonjëherë, mbrojtja mund të zbehet.

Ekspertët tani besojnë se kjo është një arsye pse më shumë adoleshentë sesa fëmijë të vegjël janë prekur nga kolla e keqe gjatë shpërthimeve në vitet e fundit. Autoritetet amerikane tani rekomandojnë një dozë përforcuese për adoleshentët.

Nëse nivelet e vaksinimit do të bien në 75% në vitet e ardhshme, të rriturit që morën vaksinën origjinale mund të mbrohen ende. Por ata që nuk janë vaksinuar ose ata që morën vaksinat më të reja si fëmijë mund të jenë të ekspozuar.

Ekspertët shpresojnë që nivelet e vaksinimit të mos bien shumë, dhe shprehën shqetësim për pasojat e rënies së vaksinimit, qoftë kjo edhe rënie e vogël.

Vaksinat janë gjithmonë më të vështira për t’u pranuar sesa trajtimet, sepse ato u jepen individëve të shëndetshëm.