Për shumë njerëz, është e zakonshme të mbajnë urinën kur janë në një takim, në ndonjë udhëtim të gjatë me makinë, ose kur janë duke parë një film që nuk duan ta humbin.
Por, ani pse mund të duket e padëmshme që herë pas here të bëhet kjo, ekspertët kanë paralajmëruar se mbajtja e urinës për një periudhë të gjatë mund të shkaktojë probleme të mëdha shëndetësore.
Doktori, Jason Kim, profesor i asociuar i urologjisë në Shkollën e Mjekësisë “Renaissance”, ka shpjeguar se procesi i urinimit kontrollohet nga një sistem neurologjik kompleks, ka shkruar CNN.
“Veshkat prodhojnë urinën, e cila më pas kalon përmes dy tubave të quajtur uretra dhe arrin në fshikëzën e urinës. Kapaciteti normal i fshikëzës është rreth 400 deri 600 mililitra. Kur fshikëza mbushet gjysmë, receptorët nervorë njoftojnë trurin, i cili vendos kur është koha për të urinuar”, ka thënë ai.
Por, normat shoqërore shpesh mund ta shtyjnë dikë të mbajë urinën për më shumë kohë, gjë që mund të shkaktojë stres në organizëm.
Doktori, David Shusterman, urolog i certifikuar, ka theksuar se njerëzit janë të krijuar në këtë mënyrë, për ta mbajtur urinën dhe se kjo mund të ketë pasur përfitim evolucionar.
“Nëse do të kishim urinuar gjatë ecjes, grabitqarët do mund të na nuhasnin. Trupi ynë është projektuar të mbajë urinën deri sa të jetë në një mjedis të sigurt për ta liruar”, ka shpjeguar doktori.
Ai ka shtuar se ky mekanizëm është zhvilluar për të mbajtur urinën deri në momentin e duhur.
Megjithëse ky është mekanizëm mbrojtës, mbajtja e urinës për një kohë të gjatë dhe shpesh mund të ketë pasoja serioze shëndetësore.
Rreziqet shëndetësore të mbajtjes së urinës
Rritja e rrezikut për infeksionet e kanaleve urinare (UTI):
Kur dikush mban urinën, nuk lejon trupin të shpërlajë bakteret që mund të jenë të pranishme.
“Mbajtja e urinës krijon një terren ideal për rritjen e baktereve, çka mund të çojë në një infeksion urinar që, nëse nuk trajtohet, mund të zhvillohet në një infeksion të veshkave”, ka thënë urologu Jamin Bahmbhatt.
Dobësimi i muskuli të fshikëzës:
Nëse mbahet urina për një periudhë të gjatë, kjo mund të dëmtojë muskujt e fshikëzës, duke i bërë ata të paaftë të zbrazin plotësisht fshikëzën kur është koha.
“Kjo mund të shkaktojë cikël vicioz: sa më shumë urinë e mbajtur do të thotë më shumë mundësi për infeksione”, ka thënë Brahmbhatt.
Probleme neurologjike me fshikëzën:
Njerëzit që e injorojnë shpesh sinjalin e trupit për të urinuar mund të përjetojnë një problem ku truri nuk u dërgon sinjale të mjaftueshme për të urinuar. Ky është një problem që shpesh ndodh tek infermierët dhe mësuesit, të cilët nuk mund të bëjnë pushim për të shkuar në tualet gjatë ditës.
Dëmtimi i Veshkave:
Në raste ekstreme, mbajtja e urinës mund të çojë në një gjendje ku urina kthehet mbrapsht në veshka, çka mund të shkaktojë infeksione ose dëmtim të veshkave. Ky problem mund të çojë edhe në një gjendje të quajtur hidronefrozë, ku veshkat fryhen nga grumbullimi i urinës.
Gurët në fshikëz dhe dhimbje abdominale:
Mbajtja e urinës për një kohë të gjatë mund të shkaktojë edhe formimin e gurëve në fshikëz dhe dhimbje të vazhdueshme abdominale ose spazma.
Sa e rrezikshme është mbajtja e urinës?
Për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, mbajtja e urinës për disa orë, disa herë në javë nuk do të shkaktojë dëm. Megjithatë, nëse kjo bëhet zakon i përhershëm, mund të çojë në stres të panevojshëm për fshikëzën dhe veshkat.
“Nëse e bëni këtë për muaj e muaj, do të shkaktoni një ngarkesë të panevojshme për organet tuaja”, ka thënë Kim.
Grupet që janë më të rrezikuara për probleme për shkak të mbajtjes së urinës përfshijnë:
Të moshuarit: Ndryshimet që ndodhin me moshën, si rritja e prostatës te burrat dhe ngushtimi i uretrës tek gratë, mund ta bëjnë urinimin më të vështirë.
Gratë shtatzëna: Për shkak të presionit që ushtron mitra mbi fshikëzën, ato janë më të rrezikuara për infeksione urinare.
Personat me probleme shëndetësore: Ata që kanë probleme me fshikëzën neurogjenike ose me veshkat duhet të kenë kujdes më të madh.
Kur duhet shkuar te doktori?
Nëse dikush përjeton shpesh ndjenjën e nevojës për të urinuar por nuk mundet, mund të jetë shenjë e një problemi tjetër shëndetësor si sindromi i fshikëzës aktive, diabeti ose një infeksion urinar. Ekspertët rekomandojnë konsultimin me urolog për të kuptuar shkakun dhe për të filluar trajnimin e fshikëzës.
Zgjidhja e thjeshtë: Të mos mbahet urina
“Edhe nëse ndiheni të pasigurt për tualetet publike, është më mirë të shkoni kur trupi juaj kërkon” ka thënë Brahmbhatt.
Ai ka shtuar se nëse dikush mund të shqetësohet për pastërtinë, mund të marrë me vete lecka për pastrim.
“Fshikëza juaj dhe vetë ju do të jeni falënderues!”, ka thënë tutje doktori.
Nëse ndjesia e urinimit injorohet shpesh, mund të duket komode në momentin e parë, por pasojat afatgjata e bëjnë shumë të rëndësishëm faktin që duhet të kryhet në kohë.