Kirstie Phillips dhe bashkëshorti i saj kishin kohë që po mundoheshin të kishin fëmijë, por nuk po arrinin. Fillimisht ajo mendonte se do të mbetej shtatzënë shpejt, pasi ata ishin të shëndetshëm, të rinj dhe nuk kishin histori familjare të infertilitetit.
Por kur mjeku i tha Philipsit se vezoret e saj nuk po funksiononin siç duhej, ajo filloi të hulumtonte dhe arriti në përfundimin se ndotësit mjedisorë, që gjendeshin kudo në shtëpinë e saj, mund të ishin shkaktarë.
“Nuk kam prova, por nuk mund të mendoj për ndonjë arsye tjetër”, ka thënë Philips për The Wall Street Journal.
Për këtë arsye ajo vendosi t’i hiqte disa kimikate të dëmshme nga shtëpia e saj. Ajo hodhi qirinj aromatikë dhe shpërndarës aromash për shkak të lidhjes së tyre me disbalancën hormonale.
Po ashtu, ajo hoqi pastruesit e trupit dhe kremrat që përmbanin “kimikate të përhershme”, të lidhura me infertilitetin dhe ndaloi përdorimin e produkteve njëpërdorimshe nga plastika, si dhe të tiganëve me shtresa jongjitëse.
Në atë që ajo dhe burri i saj e quajnë “mrekulli”, Philips mbeti shtatzënë dy vjet më vonë me metodën IVF (fertilizimi in vitro). Më pak se një vit më vonë, ajo mbeti shtatzënë natyrshëm.
Kimikatet mjedisore dhe fertiliteti
Normat e fertilitetit në SHBA kanë rënë në nivele historikisht të ulëta.
Të dhënat më të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se norma e fertilitetit ra në 1.62 lindje për grua në vitin 2023.
Për ta ruajtur shkallën e popullsisë, niveli i fertilitetit duhet të jetë 2, një numër që SHBA-ja nuk e ka arritur që nga viti 2007.
Faktorët që ndikojnë për këtë rënie përfshijnë shtyrjen e shtatzënive deri në moshën 30-vjeçare dhe ekspozimin ndaj kimikateve mjedisore.
Kimikatet e zakonshme të përdorura në produkte të përditshme, substanca që përdoren për krijimin e produkteve nga plastika si PFAS, BPA (bisfenol-A) dhe ftalatet, mendohet të dëmtojnë shëndetin riprodhues.
Studimet kanë treguar se nivelet më të larta të këtyre kimikateve në trup lidhen me fertilitet më të ulët. Për shembull, një studim ka treguar se gratë me nivele të larta të PFAS kishin 40% më pak mundësi për të mbetur shtatzënë.
Kimikatet PFAS, të përdorura në produkte si tiganë me shtresa jongjitëse dhe veshje rezistuese ndaj ujit, që krijohen nga plastika, janë të dëmshme dhe përhapen në burimet e ujit të pijshëm, duke prekur miliona amerikanë.
BPA, e përdorur në shtresat e brendshme të shisheve dhe kutive të ushqimit, lidhet me probleme hormonale, ndërhyrje në zhvillimin e vezëve dhe rritje të rrezikut për humbjen e shtatzënisë.
Po ashtu, ftalatet, të cilat gjenden në aromatizues dhe plastika, mund të shkaktojnë dështim të vezoreve dhe infertilitet, duke shkaktuar inflamacion dhe stres oksidativ që dëmtojnë vezoret.
Përfitimet e distancimit nga ekspozimi ndaj kimikateve
Vendimi i Philipsit për t’i hequr kimikatet nga shtëpia e saj, si largimi i shisheve plastike, produkteve të kujdesit personal dhe tiganëve me shtresa jongjitëse, ndihmoi në uljen e ekspozimit ndaj substancave të dëmshme si PFAS dhe BPA.
Hulumtimet kanë treguar se heqja e ekspozimit ndaj kimikateve çrregulluese të hormoneve mund të ndihmojë në rikthimin e funksionit të vezoreve, megjithëse është e pamundur të eliminohen plotësisht këto kimikate.
Një studim i vitit 2015, i botuar në “Frontiers in Endocrinology”, sugjeron se shmangia e ekspozimit ndaj ftalateve mund të ndihmojë në restaurimin e funksionit të vezoreve, në varësi të asaj se sa gjatë është zgjatur ekspozimi.
Megjithatë, si ftalatet ashtu edhe kimikatet e tjera janë të pranishme në shumë produkte të përditshme, duke bërë të vështirë evitimin e plotë të tyre.