Vitamina D luan rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut dhe është esenciale për shëndetin e eshtrave dhe funksionin e sistemit imunitar si dhe shëndetit në përgjithësi.
Por, se a ka mundësi që mungesa e kësaj vitamine të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, shkencëtarët kanë sugjeruar se po, ka shkruar The Times Of India.
Sidoqoftë, ndërkohë që disa studime kanë sugjeruar se ka lidhshmëri në mes të mungesës së vitaminës D dhe sëmundjes së kancerit, të tjera nuk kanë gjetur efektin e njëjtë.
Roli i vitaminës D në trup
Kjo vitaminë luan rol të rëndësishëm kur bëhet fjalë për shëndetin e qelizave trupore. Ajo ndihmon në rregullimin e rritjes së qelizave, mbështet sistemin imunitar dhe ul inflamacionin, faktorë këta që janë shumë të rëndësishëm në parandalimin e kancerit.
Studimet kanë treguar se vitamina D mund të nxisë rritjen normale të qelizave trupore ndërkohë që parandalon atë jo normale.
Kjo vitaminë mund të ndihmojë në riparimin e dëmeve dhe të parandalojë mutacionet që mund të çojnë drejt formimit të kancerit.
Ajo mund të mbështesë sistemin imunitar dhe të identifikojë e të shkatërrojë qelizat e dëmshme.
Këto funksione mund të dobësohen nëse organizmi ka mungesë të vitaminës në fjalë, duke rritur gjasat për qeliza që rriten në mënyrë jo normale, gjë që është shenjë dalluese për kancerin.
Çka thonë studiuesit në lidhje me vitaminën D dhe rrezikun ndaj kancerit?
Shumë studime kanë eksploruar lidhshmërinë në mes të mungesës së vitaminës D dhe kancerit.
Kur bëhet fjalë për kancerin e zorrës së trashë, studiuesit kanë gjetur se njerëzit që kanë nivel më të lartë të sasisë së vitaminës D në trup mund të jenë më pak të rrezikuar nga zhvillimi i kancerit në zorrë të trashë.
Disa studime të tjera kanë sugjeruar se nuk ka ndonjë lidhshmëri të madhe në mes të vitaminës D dhe kancerit të gjirit ose atij të mushkërive.
Por, kur flitet për kancerin e prostatës dhe atë të pankreasit, disa studime sugjerojnë se niveli tepër i lartë i sasisë së vitaminës D në organizëm, ka të bëjë me rrezik më të madh për zhvillimin e këtyre kancereve.
Analizat nga disa studime të ndryshme kanë sugjeruar se njerëzit që kanë nivel të ulët të sasisë së vitaminës D në organizëm, kanë më shumë rrezik të vdesin nga sëmundja e kancerit.
Ndërkohë që këto studime vënë në pah ndërlidhjen e kësaj vitamine më kancerin, shkencëtarët kanë theksuar se mungesa vetëm e vitaminës D nuk ka lidhshmëri direkte me shkaktimin e kancerit. Në vend të kësaj, mungesa e kësaj vitamine mund ta dobësojë imunitetin, gjë që e bën organizmin më të dobët në luftën kundër sëmundjes në fjalë. Pra kur kombinohet me të tjerë faktorë rreziku, si ushqyerja jo e mirë, konsumimi i duhanit dhe mungesa e aktiviteteve fizike, mungesa e vitaminës D, mund ta përkeqësojë gjendjen e organizmit.
Konsumimi i ushqimit të pasur me vitaminë D

Pasi që mungesa e kësaj vitamine mund të krijojë probleme shëndetësore, marrja e saj në mënyrë natyrale apo më anë të suplementeve mund të ndihmojë.
Sipas ekspertëve, ekspozimi ndaj diellit për 10 deri në 30 minuta disa herë në javë, mund të rrisë në mënyrë natyrale nivelin e vitaminës D në organizëm.
Ushqime të tilla si peshqit, vezët, disa produkte të bulmetit dhe kërpudhat përmbajnë sasi të konsiderueshme të kësaj vitamine.
Kur bëhet fjalë për suplementet, nëse dikush nuk mund të arrijë të marrë mjaftueshëm vitaminë D nga rrezet e diellit apo ushqimi, rekomandohet të përdoren suplementet me këtë vitaminë, por duhet këshilluar me mjekun përkatës për dozimin e duhur.