Gratë amerikane, duke filluar nga mosha 40 vjeç, duhet të kontrollohen për kancerin e gjirit çdo vit. Ky është rekomandimi që ka dhënë një grup punues i Task Forcës së Shërbimeve Parandaluese në SHBA. Shtytja drejt ekzaminimit të hershëm synon të trajtojë dy probleme në rritje. Njëri është shpeshtimi i rasteve të kancerit të gjirit tek gratë në të 40-at dhe tjetri është shkalla më e lartë e vdekjes nga kanceri i gjirit tek gratë me ngjyrë.
Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese e SHBA-së thotë se gratë amerikane të moshës 40 vjeç e lart duhet të kontrollohen për kancerin e gjirit çdo vit, shkruan AP.
Më parë grupi i punës kishte thënë se gratë mund të zgjedhin të fillojnë ekzaminimin për kancer të gjirit në moshën 40 vjeç. Por rekomandohej që ato gjithsesi t’u nënshtroheshin ekzaminimeve çdo dy vjet nga mosha 50 deri në 74 vjeç.
Shkalla e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka rënë teksa trajtimi vazhdon të përmirësohet.
Por kanceri i gjirit është ende shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri për gratë amerikane.
Rreth 240 mijë raste diagnostikohen çdo vit dhe rreth 43 mijë gra vdesin nga kanceri i gjirit.
Doktori John Wong nga Universiteti Tufts, që është gjithashtu nënkryetar i grupit të punës që i bëri rekomandimet, thotë se ekzaminimi i mëparshëm është nxitur nga fakti se një numër në rritje i grave nën moshën 40 vjeç po preken nga kanceri i gjirit.
Numri i rasteve është rritur me 2% në vit që nga viti 2015.
Shkalla e vdekjes nga kanceri i gjirit është 40% më e lartë tek gratë me ngjyrë, që zhvillojnë forma agresive të sëmundjes.
“Mjerisht ne e dimë se ato shpesh zhvillojnë kancer agresiv të gjirit në moshat më të reja. Ekzaminimi i të gjitha grave duke filluar në moshën 40-vjeçare çdo vit që kalon, ka edhe më shumë përfitime për gratë që janë me ngjyrë dhe ne e kuptojmë se ky ndryshim në fillimin e moshës 40-vjeçare dhe ekzaminimi çdo vit tjetër është një hap i parë i rëndësishëm”, thotë Wong.
Ai thotë se çështja më e rëndësishme është që gratë me ngjyrë ta marrin trajtimin e duhur, teksa shkencëtarët hetojnë se si të trajtojnë shkallën e pabarabartë të vdekjeve.
Mamografia nuk funksionon aq mirë për gratë me gjoks të përmasave më të mëdha por ato gjithsesi duhet t’i bëjnë ekzaminimet, thotë Wong.
Një pikëpyetje ka edhe për përfitimet e mamografisë për gratë mbi 75 vjeç.
Studimet rrallë përfshijnë gra 75 vjeç e lart, kështu që grupi i punës po vazhdon për më shumë kërkime.