Sipas një studimit të ri, numri i burrave që do të diagnostikohen me kancer të prostatës brenda një viti do të dyfishohet deri ne vitin 2040.
Numri i të prekurve nga kjo sëmundje brenda një vitit parashihet të arrijë në 2.9 milionë në mbarë botën, ndërkohë që numri i vdekjeve brenda një viti nga ky lloj kanceri deri atëherë parashihet të rritet për 85%.
Kanceri i prostatës tashmë është një ndër shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve si dhe forma më e shpeshtë e kancerit që shfaqet te burrat në më shumë se 100 shtete. Por pasi popullata në mbarë botën po plaket dhe shpresat për jetë më të gjatë janë në rritje, studimet e reja parashikojnë rritje dramatike të rasteve me kancer të prostatës dhe vdekjeve, në 15 vjetët e ardhshme, raporton The Guardian.
Diagnostikimet parashihet të rriten nga 1.4 milionë në vit që ishte në 2020, në 2.9 milionë në vitin 2040, gjë që do të thotë se 330 burra do të diagnostikohen me këtë kancer çdo orë.
Numri i vdekjeve në mbarë botën pritet të rritet deri në 85%.
Studimi që u publikua në Lancet, do të prezantohet në kongresin e përvitshëm të Asociacionit të Urologjisë Evropiane në Paris, të shtunën.
Ndërkohë që ende nuk dihet se cili është shkaktari i kancerit të prostatës, ekspertët thonë së do të jetë i pamundur parandalimi i rasteve thjesht përmes ndryshimit të mënyrës së jetesës.
Sidoqoftë, duke i kushtuar vëmendje simptomave të sëmundjes dhe iniciativës për të shkuar në kontrolle, diagnostikimi i hershëm mundëson avansim të trajtimit, gjë që do të thotë se kjo gjë ndihmon shumë në shpëtimin e jetës, sipas autorëve të raportit 40 faqesh të analizave.
“Intervenimet e hershme, si zbulimi i sëmundjes në fazat fillestare si dhe programet edukative, do të ndihmojnë për shpëtimin e jetëve”, ka thënë Nick James, onkolog nga Londra.
Ai ka theksuar se bota ka shumë nevojë për metoda të reja të diagnostikimit në mënyrë që sëmundja të detektohet sa më herët të jetë e mundur.
Sipas tij, çelësi qëndron tek edukimi i burrave dhe familjeve të tyre në lidhje me simptomat.
Simptomat e kancerit të prostatës mund të përfshijnë urinimin e shpeshtë gjatë natës, duke pasur nevoja të shpeshta për të shkuar në tualet, vështirësi në fillimin e urinimit, ndjesi sikur fshikëza urinare të mos jetë zbrazur komplet, si dhe gjak në urinë e në spermë.
Megjithatë, James bën të ditur se kjo nuk do të thotë gjithsesi që keni kancer në prostatë, pasi që prostata e meshkujve zmadhohet me moshën.