Sipas një analize të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-i, në vitin 2024 janë raportuar 127,350 raste të fruthit në Evropë dhe Azi qendrore – një dyfishim krahasuar me vitin e 2023. Këto shifra paraqesin nivelin më të lartë të raportuar që nga viti 1997, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Situata më alarmante në Rumani dhe Kazakistan
Në raportin e publikuar të enjten, ekspertët e shëndetësisë të OKB-së kanë treguar se Rumania kishte numrin më të madh të infeksioneve, me mbi 30,000 raste, ndërsa Kazakistani ka raportuar 28,147 raste të fruthit.
UNICEF-i ka njoftuar se rreth 40% e të infektuarve ishin fëmijë nën moshën 5 vjeçe, dhe mbi gjysma e pacientëve duhej të shtroheshin në spital për shkak të komplikimeve. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë, duke u transmetuar përmes ajrit.
Ekspertët paralajmërojnë kthimin e fruthit
Vaksina kundër fruthit me dy doza është 97% efektivite në parandalimin e sëmundjes, e cila zakonisht prek sistemin respirator dhe shkakton ethe, kollë, rrjedhje të hundës dhe skuqje të lëkurës. Në rastet më të rënda, fruthi mund të shkaktojë pneumoni, encefalit, dehidrim dhe verbëri.
“Fruthi është kthyer dhe po bëhet thirrje për ndërgjegjësim. Pa norma të larta vaksinimi, nuk ka siguri shëndetësore”, ka thënë doktori Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën.
OBSH dhe UNICEF kanë vënë në dukje se në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit ka qenë nën 70% dhe 50% për pesë vjetët e fundit.
Sipas shkencëtarëve, për të parandaluar shpërthimet e fruthit, duhet që më shumë se 95% e popullsisë të jetë e imunizuar.
Rënia e numrit të të vaksininuarve pas pandemisë dhe dezinformimi mbi sigurinë e vaksinës
Pas rënies së normave të vaksinimit gjatë pandemisë COVID-19, rastet e fruthit janë rritur ndjeshëm në vitet 2023 dhe 2024. Sipas OKB-së, një e treta e të gjitha infeksioneve të raportuara në botë vitin e kaluar ishin në Evropë.
Për dekada me radhë, shqetësimet për sigurinë e vaksinës së fruthit kanë vazhduar të përhapen, kryesisht për shkak të një studimi të botuar në vitin 1998 nga doktori Andrew Wakefield, i cili e lidhte vaksinën MMR (Fruth, Shytat, Rubeolë) me autizmin. Ky studim është zhbërë shkencërisht dhe nuk ka asnjë provë që mbështet një lidhje të tillë. Si rezultat, Wakefield humbi licencën për të praktikuar mjekësinë në Britani.
Pavarësisht kësaj, ndikimi i dezinformimit vazhdon të jetë një faktor shqetësues.
“Nuk është kurrë vonë për t’u vaksinuar. Edhe ulja më e vogël e numrit të të vaksinuarve mund të ketë pasoja shkatërruese”, ka thënë Ben Kaastan-Dabush, profesor i shëndetit global në London School of Hygiene and Tropical Medicine.
Shpërthimet e fruthit në SHBA dhe rreziku global
Fruthi është përhapur në Teksas dhe New Mexiko në SHBA, duke arritur në 250 raste, përfshirë vdekjen e dy personave që nuk ishin vaksinuar.
Me normat e vaksinimit ende më të ulëta se para pandemisë, ekspertët kanë paralajmëruar se fruthi mund të vazhdojë të përhapet në shkallë globale nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të rritur ndërgjegjësimin dhe vaksinimin.