Dy studime të vogla, por të rëndësishme, po ofrojnë shpresë të madhe për miliona njerëz që jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit. Në të dy rastet, qelizat burimore apo staminale të transplantuara në tru filluan të prodhonin dopaminë, kimikatin thelbësor që mungon te pacientët me këtë sëmundje, dhe disa simptoma u lehtësuan ndjeshëm, ka raportuar revista Nature.
Sëmundja e Parkinsonit është çrregullim neuro-degjenerativ që çon në simptoma me progres të ngadaltë, si ngurtësim të gjymtyrëve, destabilizm të qëndrimit, lëvizje të vonuara, probleme me shëndetin mendor dhe probleme me aftësitë njohëse.
Çfarë ndodhi konkretisht në studimet e kryera?
Në një nga studimet, 12 pacientë në SHBA dhe Kanada morën doza të ulëta ose të larta të qelizave staminale të zhvilluara nga BlueRock Therapeutics (në pronësi të gjigantit Bayer). Këto qeliza, të derivuara nga embrionet njerëzore, u shndërruan në prodhues të dopaminës dhe u injektuan në trurin e pacientëve.
Rezultatet që dolën pas 18 muajsh janë këto:
-Skanimet PET treguan se qelizat kishin filluar të prodhonin dopaminë;
-Pacientët me dozë të lartë u përmirësuan me deri në 20 pikë në shkallën e matjes së simptomave, një progres që sfidon normat e zakonshme të përkeqësimit të sëmundjes.
Një studim tjetër në Japoni përdori qeliza pluripotente të induktuara, të krijuara nga vetë qelizat e pacientëve, me rezultate po ashtu pozitive: më shumë dopaminë dhe përmirësim të simptomave.
*Qelizat Pluripotente të induktuara janë qeliza normale nga trupi i pacientit (si lëkura apo gjaku), të cilat rikthehen artificialisht në një gjendje “të re”, si qeliza embrionale, që mund të shndërrohen në çdo lloj qelize tjetër në trup, përfshirë neuronët që prodhojnë dopaminë.
“Pluripotente” do të thotë që mund të bëhen shumë lloje qelizash, dhe “të induktuara” sepse shkencëtarët i kthejnë pas në këtë gjendje përmes manipulimeve gjenetike.
Pse është kaq e rëndësishme kjo?
-Ky është një hap i madh drejt trajtimit të shkakut biologjik të Parkinsonit, jo vetëm menaxhimit të simptomave me ilaçe;
-FDA ka aprovuar fazën e tretë të njërit prej trajtimeve, hapi i fundit përpara miratimit;
-Teknologjia e qelizave burimore tani është më e përparuar dhe e qëndrueshme: qelizat mund të ruhen të ngrira dhe të përdoren sipas nevojës në kirurgji.
Por ka ende pikëpyetje:
-A do të zgjasë efekti për vite me radhë?
-A ka rrezik të formimit të tumoreve?
-A do të prekën edhe qelizat e reja nga vetë procesi neurodegjenerativ?
“Nuk po e shërojmë sëmundjen në vetvete, por mund të ndihmojmë pacientët që nuk reagojnë më ndaj ilaçeve ”, ka thënë neurologia Mya Schiess.