Lifestyle

Qelizat që e ndalojnë inflamacionin po shihen si zgjidhje për trajtimin e sklerozës së shumëfishtë

Qelizat T

Shkencëtarët, që shpresojnë të gjejnë ilaçin për trajtimin e sëmundjeve si skleroza e shumëfishtë, thonë se mund t’i rrisin brenda trupit tonë qelizat të cilat ndalin inflamacionin dhe nxisin shërimin, raporton agjencia “AP”. 

Qelizat “T ndihmëse” dhe “T-citotoksike” luftojnë infeksionet që sulmojnë viruset dhe bakteret, por kur nuk nevojiten më qelizat “T rregullatore” i ndalojnë ato të sulmojnë aksidentalisht qelizat e shëndetshme. Tani studiuesit thonë se këto qeliza “T rregullatore” mund të migrojnë në të gjitha zonat e trupit për të krijuar shërim.

Kur njerëzit kanë sëmundje autoimune, sistemi imunitar i trupit të tyre gabimisht sulmon indet e shëndetshme duke besuar se janë të huaja.

Kjo është ajo që ndodh me sklerozën e shumëfishtë, sëmundja shkakton inflamacion i cili mund të prekë shumë pjesë të trupit.

Është një gjendje ku sistemi ynë imunitar sulmon trurin dhe palcën kurrizore që kontrollon të gjitha lëvizjet, mendimet dhe ndjenjat tona.

Brenda trurit dhe palcës kurrizore është një rrjet i miliarda neuroneve që formojnë lidhje me njëra-tjetrën.

Neuronet kontrollojnë mesazhet që truri dërgon, për shembull, duke lëvizur një këmbë, duke ngritur një dorë ose dëshirën për të folur.

Mielina është “veshja” mbi fibrën nervore. Ajo përshpejton përcjelljen e mesazheve midis qelizave nervore.

Nëse mielina dëmtohet nga inflamacioni i shkaktuar nga qelizat imune që lëshohen gabimisht, mesazhet nga një pjesë e trurit në tjetrën shtrembërohen ose ngadalësohen duke shkaktuar simptomat e sklerozës së shumëfishtë.

Kur kjo ndodh shumë shpesh, mielina nuk mund të riparohet dhe fibra nervore dëmtohet. Pasi të prishet, kjo lidhje nuk mund të korrigjohet.

Tani studiuesit në Universitetin e Cambridget thonë se kanë zbuluar se qelizat “T shëruese” të quajtura “qeliza T rregullatore”, lloj i qelizave të bardha, migrojnë rreth trupit për t’i synuar zonat e inflamacionit që shkatërrojnë nervat dhe çojnë në humbje të lëvizjes.

Studiuesit thonë se duke rritur numrin e qelizave “T rregullatore” në zonat e synuara të infeksionit dhe inflamacionit, ato mund të ndihmojnë trupin ta rikuperojë veten.

Profesori Adrian Liston po drejton studimin në Universitetin e Cambridget.

Ai shpjegon se ndërsa shumica e antiinflamatorëve administrohen në të gjithë trupin, kjo formë trajtimi mund të synohet.

“Në përgjithësi, të gjitha medikamentet tona për momentin, ne i marrim si një tabletë nga goja ose si një injeksion dhe ilaçi kalon në të gjithë trupin tonë, por zakonisht është vetëm një organ që duam ta trajtojmë. Nëse merrni qeliza ‘T rregullatore’ për të shkuar në tru, ato mund të mbyllin inflamacionin dhe ato gjithashtu mund të fillojnë një përgjigje shëruese vetëm në një vend, vetëm në një organ”, tha Liston. 

Deri më tani studimi i publikuar në revistën “Immunity” është kryer vetëm te kafshët, më saktësisht te brejtësit. 

Do të duhet të bëhen shumë studime të tjera, përpara se të propozohet testimi për njerëzit.
Liston thotë se qelizat “T rregullatore” shëruese prodhohen gjatë gjithë jetës sonë, por jo në sasitë e kërkuara, veçanërisht kur plakemi.