Rastet me depresion mund të rriten gjatë stinës së dimrit për shkak të mungesës së dritës së diellit.
Çrregullimi emocional sezonal (SAD) është një lloj depresioni që ka lidhje me ndryshimet sezonale dhe fillon e mbaron, përkatësisht, në të njëjtën kohë çdo vit.
Simptomat e SAD fillojnë në vjeshtë dhe vazhdojnë në muajt e dimrit duke e zvogëluar energjinë dhe duke ndikuar në disponim.
Këto simptome shpesh fillojnë të zvogëlohen në pranverë dhe muajt e verës.
Trajtimet për SAD-në përfshijnë terapinë me dritë, psikoterapinë dhe disa medikamente.
“Mayo Clinic” rekomandon që njerëzit që ndiejnë këto simptome të bëjnë aktivitete që ju pëlqejnë duke gjetur motivim dhe të mos ndryshojnë energjinë e mirë gjatë dimrit.
Shenjat e simptomave të SAD-së
Ndjenjat e plogështisë, trishtimit edhe disponimi i ulët;
Humbja e interesimit për aktivitete e pëlqyera më parë;
Probleme me gjumin e tepërt;
Dëshira për të ngrënë më shumë karbohidrate, konsumim i tepërt i ushqimit dhe shtimi në peshë;
Probleme me koncentrimin;
Ndjenjat e pashpresës, fajit e nënvlerësimit të vetvetes;
Simptomat e depresionit të stinës së dimrit përfshijnë:
Gjumi i tepruar;
Ndryshimet në apetit dhe dëshirën për të ngrënë më shumë ushqime kalorike;
Shtimi në peshë;
Lodhje dhe energji e ulët.
Simptomat e depresionit të verës përfshijnë:
Problemet me gjumë;
Apetit i ulët;
Humbje peshe;
Ankthi.
Ndryshimet sezonale dhe çrregullimet bipolare
Njerëzit që kanë çrregullimet bipolare kanë më shumë predispozita të ndikohen nga SAD-ja. Te disa njerëz me çrregullime bipolare, episode të manisë mund të jenë të lidhura me sezone specifike. Për shembull, pranvera dhe vera mund të sjellin simptoma të manisë apo manisë së lehtë, ankthit, shqetësimit dhe irritimit. Këta persona mund të përjetojnë depresion gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit.
Kur duhet të shkohet te mjeku?
Është më se normale të ketë ditë kur njerëzit mund të ndihen me më pak disponim. Por nëse dikush shpesh është jo i disponuar apo është më pak i motivuar të kryej detyra normale ditore, të cilat normalisht ka qejf t’i bëjë, këshillohet të shkojë të konsultohet me mjekun. Kjo gjë është e rëndësishme veçanërisht nëse apetiti ka ndryshuar, bën gjumin jo të rregullt, konsumon më shumë alkool për të ndier më shumë rehati apo relaksim, ose ndihet i pashpresë.
Shkaktarët
Shkaktarët specifik të SAD-së mbeten të panjohur, ndërkohë që ka disa faktorë që mund të luajnë rol në këtë drejtim si :
Ora biologjike apo biortimi i cili ndryshon me stinët për shkak të dritës së diellit.
Niveli i serotoninës, e cila mund të shkaktohet po ashtu nga mungesa e dritës së diellit.
Niveli i melatoninës, i cili po ashtu ndryshon me stinët dhe mund të luaj rol në disponim e gjumë.