Lifestyle

Proteinat në gjak mund të paralajmërojnë kancerin shtatë vjet më herët

Proteinat në gjak

Proteinat në gjak

Në një studim që është bërë së fundmi janë identifikuar 618 proteina të cilat kanë lidhshmëri me 19 lloje të kancerit. Këto proteina mund të jenë paralajmërues shumë të hershme të sëmundjes vdekjeprurëse.

Sipas këtij studimi, njerëzit mund të paralajmërohen shtatë vjet më herët se mund të ju zhvillohet ndonjë lloj i kancerit, raporton The Guardian.

Shkencëtarët në Universitetin e Oxfordit, kanë studiuar mostrat e gjakut të 44 mijë njerëzve, të dhënat e të cilëve u  morën nga Biobanka në Britani, përfshirë 4900 njerëz që ishin të diagnostikuar me kancer.

Studiuesit krahasuan proteinat e gjakut të njerëzve të cilët ishin diagnostikuar me kancer dhe të atyre që nuk ishin dhe identifikuan 618 proteina që kishin lidhshmëri me 19 tipe të kancerit, përfshirë kancerin e zorrës së trashë, atë të mushkërive e kancerin e mëlçisë.

Studimi, i cili u sponsorizua nga Cancer Research në Britani dhe që u publikua në Natyre Communications, gjithashtu ka gjetur 107 proteina të lidhura me kanceret që ishin diagnostikuar shtatë vjet më pasi që pacientëve u janë marrë mostrat e gjakut dhe 182 proteina të cilat ishin të lidhura ngushtë me diagnostikimin e kancerit brenda tre vjetësh. 

Autorët konkluduan se disa nga këto proteina mund të përdoren për të detektuar kancerin shumë më herët dhe kanë mundësi të sigurojnë opsione të trajtimit të ri, ani pse ende janë të nevojshme studime të tjera.

“Në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë të pacientëve me kancer, duhet të kuptojmë më mirë se çfarë ndodhë në fazat fillestare të sëmundjes dhe se si proteinat në gjakun tonë mund të ndikojnë në rrezikun nga kanceri. Tani ne duhet t’i studiojmë këto proteina me thellësi në mënyrë që të shohim se cilat do të mund të përdoren për parandalim”, ka thënë doktoresha Keren Papier, epidemiologe në Universitetin e Oksfordit, e cila është autore e studimit.

Në tjetër studim i lidhur me po të njëjtën çështje, përmes së cilit u kërkuan të dhënat gjenetike të më shumë se 300 mijë rasteve me kancer, gjeti 40 proteina në gjakun i cili mund të përbente rrezik për nëntë tipe të kancerit.

“Të dhënat janë impresionuese pasi gjetën prova të kancerit para se të fillonte të manifestohej, gjë që hap dyert e mundësive për trajtim me më shumë shanse për sukses, apo edhe ç‘është më e rëndësishmja, të gjendet një ilaç shumë i mirë për parandalim të kancerit para se të ndodhë”, ka thënë doktori Mark Lawler nga Universiteti Queen’s në Balfast.