Sipas një studimi të ri, i cili u publikua në gazetën “Childrens Health Care”, fëmijët hanë më shumë ushqime të pashëndetshme menjëherë pasi të merren nga kopshtet, rrugës për në shtëpi, raporton The Washington Post.
Studimi ka analizuar të dhënat e 307 fëmijëve, të cilët shkonin në 30 kopshte të ndryshme në Hamilton të Ohios, SHBA, prej vitit 2009 deri më 2011 të cilët ishin rreth moshës 4 vjet e gjysmë, 57 për qind të të cilëve kishin të drejtë në vaktet e subvencionuara nga “Programit Shtetëror për Kujdes e Ushqim për Fëmijë e të Rritur”, i cili rimburson qendrat e kujdesit për fëmijë për të ofruar ushqim të shëndetshëm.
Studimi gjeti se fëmijët konsumonin afërsisht 1471 kalori brenda ditës, por hanin më pak bulmet e perime përgjatë orëve kur shkonin në kopsht e kur vinin nga atje, duke konsumuar më shumë ushqime të sheqerosura brenda këtyre orareve, sidomos brenda orës së parë kur merren nga kopshtet, rrugës për në shtëpi.
Fëmijët që morën pjesë në studim konsumonin 290.2 kalori gjatë rrugës ndërsa shkonin në shtëpi, gjë që përbën 20 për qind të kalorive që konsumonin gjatë tërë ditës dhe 22 për qind të sheqerit që konsumonin gjatë tërë ditës.
Studiuesit kanë deklaruar se ushqyerja e mirë gjatë kohës kur fëmijët ishin brenda në kopsht, mund të ketë ndodhur për shkak të programit shtetëror që ofrohet për ushqimin e shëndetshëm. Por, stresi dhe koha e limituar e dëshira e prindërve për t’i kënaqur fëmijët menjëherë pasi t’i marrin nga kopshtet po duket të jetë e pashëndetshme.
“Çdo prind e di se sa stresuese është ajo periudhë e ditës dhe mënyra se si ndihen. Prindërit mund të jenë të stresuar, fëmijët mund të mos sillen mirë, mund të jenë të uritur apo të lodhur. S’ka asgjë të keqe të konsumohen ndonjëherë këso ushqimesh, por jo në baza ditore. Rruga për në shtëpi mund të shërbejë për të krijuar zakone të mira për konsumim të ushqimit të shëndetshëm. Fokusimi në ushqim me vlera ushqyese do të ndikojë për të mirë në të ardhmen e fëmijëve”, ka thënë autorja e studimit, Kristen Copeland, profesoreshë në departamentin e pediatrisë në Universitetin e Cincinnatit, SHBA.