Brendet ikonike italiane Prada dhe Versace bashkohen në një marrëveshje historike
Shtëpia italiane e modës “Prada” ka blerë brendin e njohur “Versace” për 1.25 miliardë euro nga konglomerati amerikan “Capri Holdings”, në një marrëveshje që vjen pas muajsh spekulimesh dhe pasigurish në tregjet globale, ka raportuar The Guardian.
Fillimisht e vlerësuar në 1.43 miliardë euro, marrëveshja përfundimtare u arrit me një zbritje prej 180 milionë euro, për shkak të tronditjeve të fundit në treg, të shkaktuara kryesisht nga politikat tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat kanë prekur rëndë sektorin e shitjes me pakicë.
“Capri Holdings”, që zotëron edhe markat “Michael Kors” dhe “Jimmy Choo”, e kishte blerë “Versacen” në vitin 2018 për 2.1 miliardë dollarë. Pas bllokimit nga autoritetet amerikane të një përpjekjeje për t’u blerë nga grupi “Tapestry” (pronar i brendeve “Coach” dhe “Kate Spade”), “Capri” u vu nën presion për të shitur “Versacen” dhe për ta ulur borxhin. “Prada” ishte një nga ofertuesit e parë, sipas burimeve të afërta me marrëveshjen.
Në deklaratën zyrtare, Patrizio Bertelli, kryetar i grupit “Prada”, ka thënë se janë “të gatshëm dhe të pozicionuar mirë për të shkruar një faqe të re në historinë e “Versaces”. Ai ka theksuar se të dyja kompanitë ndajnë “përkushtim të fortë ndaj kreativitetit, mjeshtërisë dhe trashëgimisë”.
Kjo blerje përfaqëson një lëvizje strategjike për forcimin e pozitës së Italisë si qendër e modës luksoze, në një kohë kur “Capri” dështoi të ndërtojë një konglomerat të fuqishëm amerikan që do të konkurronte gjigantët evropianë si “LVMH” dhe “Kering”.
“Versace” do t’i bashkohet portofolit të “Pradas”, ku përfshihen edhe brendet “Miu Miu”, “Church’s”, “Car Shoe”, “Luna Rossa” (skuadra e Kupës së Amerikës në vela) dhe “Marchesi” (brend i njohur pastiçerie).
Kjo nuk është hera e parë që “Prada” zgjeron portofolin e saj. Në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000, ajo kishte blerë brendet “Jil Sander”, “Helmut Lang” dhe “Alaïa”, por më pas u tërhoq për shkak të mosmarrëveshjeve dhe vështirësive financiare. Kjo blerje e re shihet si një mundësi për të zgjeruar ndikimin global të modës që krijohet në Itali “Made in Italy”.
Pavarësisht ngadalësimit të përgjithshëm të tregut të modës luksoze, grupi “Prada” ka pasur rezultate të shkëlqyera, me të ardhura prej 5.4 miliardë euro në vitin 2024, rritje prej 17% krahasuar me vitin e kaluar. Një pjesë e madhe e suksesit i atribuohet brendit “Miu Miu”, e cili u bë viral me minifundet dhe këpucët rrafshe që njihen si “balerina” të bëra me material saten, gjë që pothuajse dyfishoi fitimet këtë vit duke arritur shitje prej gati 1 miliard funte.
Në një zhvillim të rëndësishëm, muajin e kaluar u njoftua se Dario Vitale, ish-drejtori kreativ i markës së zotëruar nga disenjatorja Miuccia Prada, “Miu Miu”, do të zëvendësojë desnjatoren e njohur Donatella Versace si drejtor kreativ, pas 27 vjetësh në krye të shtëpisë së modës.
Donatella do të mbajë rolin e ambasadores kryesore të markës, duke mbikëqyrur veshjet për tapetin e kuq dhe angazhimet filantropike të shtëpisë “Versace”.
Ani se “Prada dhe Versace” shpesh janë cilësuar si rivale në modën italiane, stilet e tyre janë të kundërta: “Versace” mishëron sensualitetin e modës me prerje të larta dhe energji glamuroze, ndërsa “Prada” është me stil më intelektual dhe eksperimental. Megjithatë, dy gratë që qëndrojnë pas këtyre brendeve, Donatella Versace dhe Miuccia Prada, kanë miqësi të veçantë.
“Ne vetëm flasim, flasim, flasim. Ajo është frymëzuese. Bëjmë shaka me njëra-tjetrën dhe mësojmë shumë. Ajo më thotë: ‘Unë nuk di të bëj rroba seksi, por i adhuroj ato’. Dhe unë i them: ‘Unë e dua atë që bën ti’”, pati thënë Donatella Versace në një intervistë për The Telegraph në vitin 2012.