Lifestyle

Pijet me sheqer të shtuar po shtojnë miliona raste të diabetit të tipit 2

Pijet me sheqer të shtuar

Pijet me sheqer të shtuar

Pije me sheqer të shtuar kanë shkaktuar rreth 2.2 milionë raste të reja të diabetit tip 2 në vitin 2020, sipas një studimi të ri të publikuar në Nature Medicine.

The Washington Post ka shkruar se ky studim, i bazuar në të dhëna nga 184 shtete, ka vlerësuar ndikimin e konsumit të pijeve të ëmbëlsuara në rastet globale të diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve të zemrës.

Përveç diabetit të tipit 2, studiuesit kanë vlerësuar se 1.2 milionë raste të reja të sëmundjeve të zemrës ishin të lidhura me konsumimin e këtyre pijeve.

Studimi ka treguar se burrat konsumojnë më shumë se gratë pije të ëmbëlsuara, ndërsa grupet tjera me më së shumti konsumues të këtyre pijeve ishin të rinjtë, individët më të edukuar dhe ata që jetonin në zona urbane.

Po ashtu, ngarkesa e sëmundjeve ndryshoi në varësi të rajoneve të ndryshme të botës. Pijet e ëmbëlsuara kanë kontribuuar më shumë në ngarkesën e sëmundjeve në Amerikën Latine, Karaibe dhe Afrikën subsahariane.

Në Afrikën subsahariane, ato ishin përgjegjëse për rreth 21% të rasteve të reja të diabetit në 2020; ndërsa në Amerikën Latine dhe Karaibe, ato kontribuuan për pothuajse 24% të rasteve të reja të diabetit dhe më shumë se 11% të rasteve të reja të sëmundjeve të zemrës.

Kolumbia kishte rritjen më të madhe të rasteve të diabetit të tipit 2 të lidhura me pijet e ëmbëlsuara nga viti 1990 deri në 2020, me një mesatare prej 793 rasteve të reja për 1 milion të rritur. Në vitin 2020, pothuajse 50% e rasteve të reja të diabetit të tipit 2 në Kolumbi ishin të lidhura me pijet e ëmbëlsuara. Shtetet e Bashkuara ishin të dytat në rritjen e incidencës së diabetit të tipit 2 të lidhur me këto pije, me mesatare prej 671 rastesh të reja për 1 milion të rritur nga viti 1990 deri në vitin 2020.

Autorët e studimit shpresojnë që hulumtimi i tyre të ndihmojë në krijimin e politikave dhe ndërhyrjeve efektive për të reduktuar barrën e sëmundjeve të lidhura me pijet e ëmbëlsuara në mbarë botën.

“Pijet e ëmbëlsuara shpërndahen shumë dhe shiten në shtetet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Ky është shqetësim i madh, pasi këto kombe jo vetëm që konsumojnë produkte të dëmshme, por shpesh janë më pak të pajisura për të përballuar pasojat afatgjata për shëndetin”, ka thënë Dariush Mozaffarian, autori kryesor i studimit dhe drejtori i Institutit “Food Is Medicine” në Universitetin Tufts.