Përkundër ndjesisë së mirë që mund të ofrojë parfumi, ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se një përbërës i fshehtë që gjendet shpesh në parfume mund të shkaktojë probleme të shëndetit, duke përfshirë rezistencën ndaj insulinës, sëmundjet kardiovaskulare dhe çështje hormonale që ndikojnë në fertilitet.
The New York Post ka shkruar se ky përbërës është phthalates (ftalati).
Ftalatet janë përbërës të zakonshëm në kozmetikë dhe mund të gjenden jo vetëm në parfume, por edhe në llakun e thonjve, spërkatësit për flokë, shamponë, pastrues të trupit, deodorantë dhe pastrues duarsh.
Lloje të ndryshme ftalatesh kanë përdorime të ndryshme. Për shembull, dibutil ftalati (DBP) përdoret për të bërë produktet e plastikës më fleksibile dhe shpesh përdoret në llakun e thonjve për të parandaluar plasaritjen. Dimetil ftalati (DMP) gjithashtu shton fleksibilitet dhe përdoret në disa spërkatës për flokë. Sidoqoftë, FDA ka deklaruar se DBP dhe as DMP nuk janë përdorur shumë kohët e fundit. Diethyl phthalate (DEP), që përdoret për të kombinuar aroma të ndryshme në parfume, përdoret ende dhe ekspertët sugjerojnë që shmangia e tij është veprimi më i mirë për shëndetin e njeriut.
Pse duhet të shqetësohen njerëzit?
Studimet e shumta kanë lidhur ftalatet me probleme të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, peshën e tepërt, rezistencën ndaj insulinës dhe diabetin.
Një studim i vitit 2020 lidhte ftalatet në trup me probleme të sjelljes të lidhura me ADHD-në (çrregullimi i hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes) tek adoleshentët, dhe “Cleveland Clinic” ka raportuar gjithashtu se ato mund të shkaktojnë alergji dhe astmë.
Ekspertët gjithashtu besojnë se ftalatet janë pengues të hormoneve, që do të thotë se mund të ndikojnë në funksionet hormonale dhe te qelizat e sistemit riprodhues.
“Studimet e ndryshme kanë lidhur nivele të larta ftalatesh me rritje të rrezikut për fertilitet të ulët, cilësi të dobët të spermës, cilësi të dobët të vezëve dhe humbje shtatzënie”, ka thënë doktoresha Lora Shahine, endokrinologe riprodhuese në Seattle.
Ajo gjithashtu për New York Post, ka thënë se te gratë, ftalatet janë lidhur me çrregullime të ciklit menstrual, funksionim të parregullt të ovulacionit dhe rrezik të shtuar për endometriozë.
Ekspozimi ndaj këtij komponimi mund të shkaktojë gjithashtu pubertetin më të hershëm te vajzat, sipas një studimi të vitit 2018 nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.
Për burrat, një studim që është bërë në Harvard në vitin 2002 pati zbuluar se ekspozimi ndaj ftalateve ishte i lidhur me rritjen e dëmtimit të ADN-së në spermë.
Shahine, e cila është dhe moderatore e podcastit “Baby or Bust”, gjithashtu ka theksuar lidhjen midis ftalateve dhe humbjes së shtatzënisë dhe lindjes para kohe.
A ka mjaftueshëm ftalate në parfumet që të shkaktojë dëm?
Sipas FDA-së, jo — por disa ekspertët kanë mendime të ndryshme.
Paneli i Ekspertëve për Rishikimin e Përbërësve të Kozmetikës pati publikuar një raport në vitin 2002 ku shkruhej se ftalatet ishin të sigurta në produktet kozmetike, duke pretenduar se niveli i ekspozimit ndaj tyre nuk ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar dëm.
Vitin e kaluar, Qendra për Kontrollimin e Semdunjeve (CDC) kishte publikuar një raport, përmes të cilit konkludohej se nuk kishte asnjë lidhje midis ftalateve në produktet kozmetike dhe rreziqeve për shëndetin.
Megjithatë, Shahine këshilloi konsumatorët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin përdorimin e aromave të shtuara në parfume, krema për trup, shamponë, detergjentë me aromatizues dhe deodorantë.