Një studim i ri që është bërë nga Rutgers Health ka zbuluar se mund të ketë lidhje midis përdorimit të antibiotikëve dhe rrezikut për t'u sëmurë me sëmundjen Parkinsonit.
Ky hulumtim analizoi të dhënat mjekësore të mbi 93 mijë individëve dhe gjeti se ata që kishin marrë penicilinë, kishin rrezik 15 për qind më të ulët për të zhvilluar sëmundjen Parkinson në krahasim me ata që nuk kishin përdorur këtë ilaç, shkruan Neuroscience.
Në anën tjetër, ata që përdornin ilaçe antimykotike apo antifungale kishin rrezik 16 për qind më të lartë.
Ky studim thekson rëndësinë e mikrobiomës së zorrëve dhe marrëdhënies së saj me shëndetin e trurit.
“Inflamacioni ose toksinat që shkaktohen nga disa baktere të zorrëve mund të ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes Parkinson, duke filluar ndoshta nga zorrët dhe duke prekur më pas trurin përmes nervit vagus”, ka thënë autori i studimit Gian Pal.
Megjithatë, Pal ka paralajmëruar se këto lidhje janë relativisht të vogla dhe nuk duhet të ndikojnë në praktikat mjekësore për përdorimin e antibiotikëve ose antifungalëve.
Studimi i ardhshëm ka si qëllim të analizojë bakteret dhe kërpudhat specifike në zorrë që mund të kenë lidhje me rrezikun e sëmundjes së Parkinson, duke hapur kështu mundësi të reja për parandalim dhe trajtim.
Gjetjet kryesore të studimit:
Përdorimi i penicilinës: Lidhet me rrezik 15% më të ulët të sëmundjes Parkinson.
Përdorimi i antifungalëve: Lidhet me rrezik 16% më të lartë.
Roli i mikrobiomës së zorrëve: Vë në pah nevojën për hulumtime të mëtejshme mbi ndërveprimin midis zorrëve dhe trurit.
Nga sëmundja e Parkinsonit janë të prekur më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën.