Një studim i ri ka treguar se njerëzit që kanë lindur pa shqisën e të nuhaturit (anosmia) marrin frymë ndryshe krahasuar me ata që e kanë këtë shqisë.
Studiuesit kanë zbuluar se ata që ndiejnë aroma bëjnë më shumë frymëmarrje për të ndier mjedisin, ndërsa ata me anosmi kanë më shumë pauza në frymëmarrje dhe një fluks më të ulët të ajrit, ka shkruar The Guardian.
Ndërkohë që disa njerëz e konsiderojnë shqisën e të nuhaturit si të parëndësishme, shkencëtari Charles Darwin pati thënë se kjo shqisë “është tejet e rëndësishme për njerëzimin”.
Këto ndryshime në frymëmarrje mund të lidhen me probleme shëndetësore, përfshirë problemet mendore dhe rrezik më të lartë për vdekje të parakohshme.
Autorët e studimit theksojnë se është e rëndësishme të kuptohen këto ndryshime, pasi ato mund të ndikojnë në aktivitetin e trurit dhe shëndetin në përgjithësi.
“Ka nocione se kjo shqisë është krejtësisht e parëndësishme, por prapë nëse e humb mund të ndodhin shumë gjëra të këqija. Prandaj duket si paradoks”, ka thënë profesori Noam Sobel, bashkautor i studimit nga Instituti i shkencës në Izrael.
Ndikimi i humbjes së kësaj shqise, ka marrë shumë vëmendje pasi është një nga simptomat e Covidit.
Në studim, Sobel dhe ekipi i tij kanë studiuar 21 njerëz që kanë lindur pa shqisën e të nuhaturit dhe i kanë krahasuar me 31 persona që e kanë humbur këtë shqisë gjatë jetës.
Ata kanë gjetur se personat që kishin shqisën e të nuhaturit bënin më shumë frymëmarrje për të ndier ambientin që kanë përreth se sa ata që kishin anosmi. Kjo ide u mbështet nga një eksperiment tjetër, i cili zbuloi se frymëmarrjet ekstra që kanë bërë personat me shqisë të të nuhaturit nuk ndodhnin te ata kur ishin pjesë e një ambienti që nuk mbante ndonjë aromë.
Shkencëtarët gjithashtu kanë gjetur se personat me anosmi patën më shumë pauza gjatë frymëmarrjes dhe pikë më të ulët të rrjedhshmërisë kur lironin frymën se sa ata që nuk e kishin këtë problem.
Ani pse studimi ka disa kufizime, përfshirë faktin që është i vogël, shkencëtarët kanë deklaruar se ka hapur mundësi të reja për të shqyrtuar lidhjet mes shqisës së të nuhaturit dhe frymëmarrjes dhe shëndetit, duke sfiduar idenë se ndjenja e erës është e parëndësishme.