Ilaçet e diabetit, të cilat njerëzit po i përdorin për humbje peshe, si Ozempic e Wegovy, po ndikojnë në tregun e bizneset e ushqimit.
Sipas një studimi të ri njerëzit që përdorin këto ilaçe, të cilat fillimisht janë krijuar për trajtimin e diabetit të tipit 2, po shpenzojnë më pak në blerjen e ushqimeve.
Kjo po ndodhë për shkak që pas përdorimit të ilaçeve në fjalë, njerëzit nuk e kanë më apetitin e shijen e mëparshme, raporton New York Post.
Humbësit më të mëdhenj po konsiderohen ata që prodhojnë ushqime të shumëprocesuara, që njihen si të pashëndetshme, si markat e biskotave të ndryshme si dhe patatinat. Sipas studimit personat që përdorin ilaçet për humbje peshe, po blejnë 52 për qind më pak nga këto produkte duke konsumuar më shumë ushqime të shëndetshme si proteinat.
Lauren Cobello, ka thënë se pasi që ka filluar të përdor ilaçin për të humbur peshë, kanë ndryshuar shumë edhe zakonet e blerjes së ushqimeve.
“Shpenzimet për ushqime të pashëndetshme më janë zvogëluar dhe po konsumoj ushqim më të mirë”, ka thënë Cobello.
Studiuesit kanë treguar se 1.7 për qind amerikanë kanë përdorur ilaçin semaglutide vitin e kaluar.
97 për qind e personave që marrin ilaçe për humbje peshe, kanë treguar se kanë ulur shpenzimet për blerjen e ushqimeve në market për 11 për qind.
Elise Ramer, 42 vjeçe, e cila ka përdorur ilaçin Mounjaro për 19 muaj dhe ka humbur rreth 27 kilogramë, ka thënë se tash shpenzon në ushqime më të shëndetshme si ato me proteina në vend të atyre të shumë procesuara.