Java e Modës në Paris, për sezonin vjeshtë-dimër 2025 ka sjellë një kthesë të re në modë.
“Office Glam” e ka quajtur CNN trendin e ri që u shfaq nëpër pasarelat e brendeve të njohura të modës. Është parë një qasje më e rafinuar ndaj veshjeve të përditshme, të frymëzuara nga stili korporativ, por me një dozë eksperimentimi dhe humor përmes ngjyrave të ndezura.
Sipas njohësve të fushës, kjo Javë e Modës në Paris ka sjellë një kthesë nga stili “quiet luxury” drejt një mode më lozonjare, më eksperimentale dhe më të përqendruar te gratë e fuqizuara. Kombinimi i elegancës së veshjeve nëpër korporata, nostalgjisë retro dhe inovaciosssnit në formë, ka krijuar një edicion ku të veshurit në përditshmëri u shndërrua në një akt argëtimi dhe fuqie.
Zhvillimet kryesore në Paris, ku u shfaqën koleksionet e sezonit vjeshtë/dimër 2025
Ky edicion ka shënuar debutime të rëndësishme, pasi disenjatori Julian Klausner mori drejtimin e brendit “Dries Van Noten”, disenjatorja Sarah Burton ka kaluar te brendi “Givenchy” dhe Haider Ackermann ka rikthyer, sipas CNN, magjinë e brendit “Tom Ford”.
Përveç kësaj, moda u karakterizua nga një kthim te opulenca retrospektive, inovacione në veshjet zyrtare dhe një frymë e re lozonjare u pa nëpër koleksione.
Kur veshjet e zyrës bëhen trend
Disa nga shtëpitë më të mëdha të modës kanë eksploruar fuqinë e veshjeve korporatave apo veshjeve më zyrtare.


Brendi i njohur “Tom Ford”, nën drejtimin e Ackermann, ka sjellë në pasarelë një xhaketë që quhet “Perfecto” të transformuar në një kostum të mprehtë, një pallto të kuqe të ndezur me një estetikë që CNN iu referua “à la Hitchcock”, si dhe një kostum ngjyrë rozë të kombinuar me një këmishë të gjelbër të ndezur.

Brendi “Stella McCartney” e ka çuar konceptin e krijimtarisë një hap më lart, duke organizuar shfaqjen në një ambient zyre të hapur, ku kryeredaktorja e prestigjiozes “Vogue”, Anna Wintour dhe aktorja Cameron Diaz shikonin modelet që parakalonin me xhaketa të frymëzuara nga vitet ‘80, funde të drejtë që quhen “laps”, me xhepa të mëdhenj dhe çanta të përshtatshme për laptop.


Brendi “Balenciaga”, nën drejtimin e disenjatorit Demna, ka sjellë kostume minimaliste, të krijuara për të qenë sa më të adaptueshme për kombinime në jetën e përditshme.
Trendi “Retro Opulent”, i aftë për çdo lloj transformimi nga ngjarjet “Opéristike” në tualetin e një klubi nate

Shtëpitë e modës kanë shkrirë stilin e dekadave të ndryshme për të krijuar një version të së shkuarës së idealizuar.
Disenjatori Julian Klausner, drejtor kreative i brendit “Dries Van Noten” ka sjellë një koleksion që evokonte frymën e ngjarjeve operistike, me punë dore të zbukuruara, prerje të papërpunuara dhe rripa e pulla të krijuara me lidhëset e këpucëve.

Brendi “Valentino”, nën drejtimin e disenjatorit Alessandro Michele, ka vendosur sfilatën në një skenografi që dukej sikur të ishte një banjë apo tualet i ndonjë klubi nate e stiluar me ngjyrë të kuqe, duke përzier veshjet e brendshme me ato të mbrëmjes në një homazh për disenjatorin e ndjerë David Lynch.

Brendi “Chloé” ka bashkuar estetikën bohemiane të viteve ‘70 me stil të viteve 2000, duke rikthyer edhe çantën ikonike të brendit që quhet “Paddington”.
Eksperimentimi me siluetat
Disenjatorët kanë luajtur me strukturat dhe siluetat, duke përdorur elemente të artit dhe arkitekturës.

Disenjatori Peter Mulier i brendit “Alaïa” ka sjellë në pasarelë dizajnë me forma spirale dhe struktura të drejta vertikale që ngjasonin në tube, të cilat krijonin silueta të ekzagjeruara.

Disenjatorja Sarah Burton e brendit “Givenchy” eksperimentoi me forma të frymëzuara nga koleksioni debutues i vetë krijuesit të brendit “Hubert de Givenchy” më 1952.
Shumë disenjatorë kanë përqafuar konceptin “femme fatale”, duke eksploruar lirinë dhe fuqinë e grave përmes thjeshtësisë së prerjeve.
Moda si burim gëzimi dhe loje
Sipas CNN ky sezon ka nxjerrë në pah rëndësinë e gëzimit në veshje.

Disenjatori japonez Issey Miyake ka eksploruar modularitetin në veshje, me një bluzë që mund të vishej në disa mënyra dhe një çantë të kthyer në veshje.

Brendi “Miu Miu” ka evokuar vitet ‘50 dhe ‘60, me disenjatoren Sarah Paulson që debutoi në pasarelë me një kapelë që quhet “Cloche” dhe një palë sytjena që quhen “bullet-bra” të frymëzuar nga epoka e ikonës Marilyn Monroe.

Brendi “Saint Laurent” ka sjellë fustane me prerje të pastra në tone të ndezura si e portokalltë e zjarrtë dhe e gjelbër limoni.

Brendi “Chanel”, ndërkohë që është në pritje të drejtorit të ri Matthieu Blazy e aktualisht nuk ka drejtor kreativ, i ka dhënë një dozë ngjyrash koleksionit të ri, me aksesorë të theksuar si rripa të zbukuruar dhe perla shumë të mëdha, disa nga to kishin madhësinë e një topi tenisi, të cilat shërbenin si take këpucësh e të tjerat si çanta të vogla. Në këtë koleksion fjongot e kristalta janë prezantuar si stoli. Çizmet e bardha të ashtuquajtura “çorape” pjesa e përparme e të cilave ishte me shkëlqim me llak të zi, ishin ato që në një farë mënyre “përditësuan” këpucët dyngjyrëshe, të cilat janë identifikuese për këtë brend.

Te brendi i njohur “Louis Vuitton”, i cili vlerësohet të jetë shtëpia e modës më luksoze në botë, drejtori kreativ, Nicolas Ghesquiere, ka përdorur nostalgjinë për të imagjinuar e për të sjellë në pasarelë diçka krejtësisht të re.
The Guardian ka shkruar se veshjet që ka krijuar Ghesquiere për sezonin vjeshtë/dimër 2025, flisnin gjuhën artizanale të udhëtimit me trenat e brendit të njohur “Orient Express”. Këta trena, që nga viti 1883 kanë qenë duke e ngritur lart e më lart artin e udhëtimit, duke ofruar përjetime unike dhe koleksione të objekteve të rralla.
Në pasarelën e “Louis Vuitton” mbretëroi romanca, që sipas The Guardian, vinte si inspirim nga filmat si “Casablanca” e “Herry Potter”.
Edhe Ghesquiere i ka bërë homazh figurës së Marilyn Monroes me anë të prerjeve e stilit të fustaneve si ato që i pati veshur ikona në filmin “Some Like it Hot”.