Vapa e madhe po vazhdon ta djegë Ballkanin ditëve të fundit, me qytetin jugor boshnjak të Mostarit që po konsiderohet si një nga vendet më të nxehta në rajon. Zyrtarët shëndetësorë po paralajmërojnë njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të hidratuar, duke thënë se temperaturat e larta mund të shkaktojnë dëme serioze.
Njerëzit po përpiqen të freskohen në ujërat nën urën e famshme të vjetër në Mostar, të Bosnjë-Hercegovinë.
Tabelat në rrugë paralajmërojnë se është 40 gradë Celsius dhe banorët thonë se temperaturat gjatë natës janë gjithashtu të padurueshme.
Të gjithë po paralajmërohen, që të mos e nënvlerësojnë ndikimin e temperaturave të larta, të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura dhe të sigurohen që të jenë të hidratuar mirë gjatë gjithë ditës, raporton AP.
Doktori Eniz Colakoviq, nga Instituti i Shëndetit Publik në Mostar thotë se shumë persona nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë dëmin që mund të shkaktojë nxehtësia.
Temperaturat e larta mund të shkaktojnë probleme serioze, duke përfshirë dështimin e mekanizmave termo-rregullues të trupit për shkak të mbinxehjes së kokës, pjesës së pasme të kokës dhe shpesh prek shumë njerëz. Karakterizohet nga lëkura e thatë, rritja e temperaturës së trupit, dhimbje koke, dobësi e përgjithshme dhe marramendje, dhe mund të rezultojë në koma apo edhe, në disa raste, vdekje, paralajmëron Colakovic.
“Ajo që ndodh është se enët e gjakut zgjerohen, zemra përpiqet të pompojë më shumë gjak të freskët dhe të ftohtë në tru, por pasi enët e gjakut zgjerohen për shkak të mbinxehjes, kjo mund të shkaktojë edemë dhe të çojë në rezultate tragjike"
Rrugët duken më të zbrazëta se zakonisht me një rubinet publik të ujit dhe lumin Neretva që ofron disa mënyra për t’u freskuar.
Banorja Alija Hajdareviq, thotë se edhe te të rinjtë po paraqiten probleme shëndetësore shkaku i vapës.
“Edhe të rinjtë janë të ndikuar; të gjithë kanë dhimbje koke. Shumë më shumë të rinj po përjetojnë probleme me zemrën. Njerëzit në të 50-at kanë sulm në zemër”.
Një tjetër vendas Jasmin Oruçeviq është i dëshpëruar.
“Çfarë mund të bëj, çfarë? Nuk ka zgjidhje. Duhet të paraqitem në shërbimin e pensionit dhe tashmë jam zhytur në djersë. Nuk kemi zgjidhje, vetëm ta durojmë këtë dhe të vuajmë”.
Më të rrezikuarit janë të moshuarit dhe fëmijët.
Ndërsa Mostari mund të ishte vendi më i nxehtë në rajon, qytete të tjera, përfshirë Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, përjetuan temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit.
“Vetëm për gjysmën e parë të muajit qershor, në Prishtinë kemi shënuar temperaturën mesatare më të lartë për këtë gjysmë të muajit të parë”, thotë meteorologu Mendim Rugova.
Ai pret të ndodhë edhe më shumë se kaq.
“Me shumë mundësi do të shohim verën më të nxehtë të regjistruar dhe gjithashtu reshjet do të jenë të pakta, jo aq të bollshme si vitin e kaluar dhe kjo mund të përkeqësojë kushtet e thatësirës e cila mund të provokojë edhe zjarre në rajon”, thotë Rugova.