Një në gjashtë njerëz përjetojnë disa simptome kur ndalojnë së konsumuari ilaçe kundër depresionit – më pak se që ishte menduar fillimisht, kështu sugjeron studimi i ri, raporton BBC.
Studiuesit kanë thënë se ky zbulim do të ju ndihmojë doktorëve e pacientëve të informohen duke mos shkaktuar alarmim të panevojshëm.
Studimi i “The Lancet Psychiatry”, ka shikuar të dhënat nga 79 prova ku janë përfshirë më shumë se 20 mijë pacientë.
Disa prej tyre ishin trajtuar me ilaçe kundër depresionit dhe të tjerë me disa ilaçe pa efekte apo placebo, gjë që i ndihmoi studiuesit të gjejnë dallimin kur bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të ilaçit antidepresiv.
Disa njerëz përjetojnë simptome jo të mira, të tilla si marramendja, kokë dhembje, mundim dhe pagjumësi, kur ndalojnë përdorimin e antidepresivëve, gjë për të cilën, studiuesit kanë deklaruar se mund të shkaktojë dëm të konsiderueshëm.
Më parë është sugjeruar se ndalimi i ilaçeve antidepresive ndikonte tek 56 për qind të pacientëve, pasi gati gjysma e rasteve ishin klasifikuar se patën simptome të rënda.
Por ky studim, që u bë në universitetet e Berlinit dhe Koelnit sugjeron se:
- Një në gjashtë njerëz mund të presin se mund të ju shfaqen simptomat kur ndalojnë marrjen e ilaçeve antidepresive.
- Një në 35 njerëz mund të kenë simptoma të rënda.
- Simptomat janë më shpeshta varësisht nga lloji i antidepresivëve që merret.
Sipas udhëzimeve zyrtare shëndetësore, doza e antidepresivëve duhet të zvogëlohet me kalimin e kohës dhe nuk duhet të ndalet përnjëherë apo të lihet doza pa u marrë, sepse kjo gjë mund të çojë në simptome jo fort të mira.
Shumica e njerëzve ndalojnë antidepresivët me sukses, thuhet në udhëzim.
Ndërkohë që të tjera studime sugjerojnë se simptomat pas ndaljes së këtyre ilaçeve vazhdojnë për një deri ne dy javë.
Autori i studimit, profesori Christopher Baethge, nga Universiteti i Koelnit, ka thënë se rezultatet e studimit janë mjaft të fuqishme ani pse vlerësimi i ulët ndaj simptomave që përjetojnë pacientët pas ndaljes së ilaçeve, nuk do të thotë se nuk ndodhin.
Përkeqësimi i ankthit
Studimi gjeti se 17 për qind të njerëzve kanë përjetuar disa simptome kur kanë ndaluar së konsumuari placebo.
“Një shpjegim i mundshëm do të mund të ishte kushtimi i vëmendjes ndaj përkeqësimit të ankthit dhe depresionit pas ndalimit të ilaçe që ndihmojnë kundër këtyre faktorëve”, ka thënë Baethge.
Shumë nga 40 simptome të lidhura me ndalimin e antidepresivëve mund të shkaktohen gjithashtu edhe nga të tjera sëmundje.
“Studimi shpërfaq rëndësinë e krahasimit të ilaçeve antidepresive me ato placebo kur studiohet ndalimi i marrjes së tyre”, ka thënë profesor Glyn Lewis, nga Universiteti i Kolegjit të Londrës
Ilaçet antidepresive që përdoren më së shpeshti në Britani si citaloprami, sertraline dhe fluoxetine, patën më pak simptome pas ndalimit së marrjes së tyre.
Por ilaçi venlafaxine, i cili gjithashtu përdoret në Britani, radhitej i dyti që shkakton më së shumti simptome.
Rreziku i madh
Psikiatri nga Kolexhi Mbretëror i Psikiatrisë, doktori Pail Keedwell ka thënë se njerëzit që planifikojnë të ndalin antidepresivët duhet gjithmonë të kërkojnë këshilla mjekësore.
“Së pari, duke u bazuar në historinë personale në shëndetit mendor, do të mund të ketë më shumë rrezik nga përsëritja e depresionit. Ndonjëherë simptomat e përsëritjes së depresionit mund të ngatërrohen me ato të ndalimit të ilaçeve antidepresive. Së dyti, simptomat e padëshirueshme pas ndalimit të ilaçeve antidepresive mund të parandalohen mjaft mirë me mbikëqyrje mjekësore”, ka thënë ai.
Sipas psikiatrit, është me rëndësi të ceket ndalimi i antidepresivëve nuk është i rrezikshëm dhe risku i përjetimit të simptomave nuk do të duhej të ishte arsye për refuzim të trajtimit me antidepresiv. Vendimet se a dëshiron të bësh trajtimin me antidepresiv apo nuk dëshiron, duhet gjithmonë të diskutohen me doktorin”, ka thënë Keedwell.
Më shumë se tetë milionë njerëz në Britani janë duke marrë ilaçe antidepresive për depresion, ankth si dhe probleme të tjera psikologjike. Pesë vite me parë numri i atyre që merrnin këto ilaçe ishte një milionë.