Lifestyle

Mushkonjat tigër dyshohen se janë prapa rritjes së rasteve me dengë në Evropë

Mushkonjat tiger

Një specie e mushkonjave pushtuese, është gjetur në 13 vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Francë, Spanjë e Greqi, ndërsa ekspertët po i lidhin ato me rritjen e rasteve me ethe të dengës në Evropë. 

Ndryshimet klimatike po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e mushkonjave tigër, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). 

Deri në Paris, ku Lojërat Olimpike do të mbahen nga fillimi i korrikut, autoritetet kanë monitoruar dhe kapur këto mushkonja. 

ECDC ka paralajmëruar se udhëtimet ndërkombëtare do ta rrisin edhe më tej rrezikun e më shumë shpërthimeve evropiane të etheve të dengës. 

Ai ka këshilluar njerëzit që të përdorin rrjeta kundër mushkonjave gjatë natës, dhe të largojnë ujin e mbetur nga kopshtet apo ballkonet. 

Shqetësimet

Mushkonjat janë bërë një kërcënim në rritje në Evropë gjatë dy dekadave të fundit. 

Mushkonjat tigër të Azisë, të njohura si “aedes albopictus”, mendohet se janë specia më pushtuese e mushkonjave në botë. Ky lloj tash po përhapet në të gjithë Evropën, nga “kampi bazë” i saj në Evropën Jugore. 

Janë hasur këto mushkonja në Austri, Bullgari, Kroaci, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Maltë, Portugali, Rumani, Slloveni dhe Spanjës, sipas “ECDC”. 

Janë hasur edhe në Belgjikë, Qipro, Çeki, Holandë dhe Sllovaki. 

Mushkonjat tigër përhapin sëmundje të tilla si ethet e dengës, chikungunyan dhe virusin Zika që, deri së fundi, ishin zakonisht të pranishme në Afrikë, Azi dhe në vendet e Amerikës Latine. 

Një tjetër mushkonjë, “aedes aegypti”, që transmeton ethet e verdha, si dhe sëmundje tjera, po përhapet në Qipro. Ekspertët thonë se potenciali i saj për t’u përhapur në pjesë tjera të Evropës është “shqetësues” duke marrë parasysh aftësinë e kësaj mushkonje për të transmetuar sëmundje. 

Ethet e dengës

Ethet e dengës nisin me simptoma të ngjashme me gripin, por mund të bëhen më serioze dhe në disa raste edhe fatale. 

Janë rritur rastet në vitet e fundit. Vitin e kaluar tetë raste të infeksioneve të shumëfishta u regjistruan në Francë, katër në Itali dhe dy në Spanjë. 

Shumica e rasteve evropiane janë të importuara – një reflektim i lëvizjes ndërkombëtare të njerëzve dhe tregtisë. Rastet e importuara arritën në afro 5000 vitin e kaluar. 

Por infeksionet brenda vendi u rritën po ashtu. 130 njerëz u prekën në vitin 2023, krahasuar me 71 në vitin 2022. 

Virusi i Nilit Perëndimor, që po ashtu transmetohet nga mushkonjat, është i pranishëm tashmë në më shumë rajone evropiane se kurrë më parë. 

Një person u raportua se ishte infektuar nga ky virus në jug të Spanjës në fillim të marsit, duke dëshmuar se si kushtet klimatike po krijojnë një mjedis të përshtatshëm për mushkonjat, tha ECDC. 
“Evropa po e sheh tashmë se si ndryshimet klimatike po krijojnë kushte më të favorshme për mushkonjat pushtuese që të përhapen në zona të paprekura më parë dhe të infektojnë shumë njerëz me sëmundje të tilla si denga”, ka thënë drejtoresha e ECDC-së, Andrea Ammon.

Ammon këshillon njerëzit të marrin masa.

Ethet e dengës janë endemike në më shumë se 100 vende të botës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe më shumë se 6 milionë raste e 7 mijë vdekje u raportuan vitin e kaluar. 

Numri më i madh i rasteve ndodh në Bangladesh, Malajzi, Tajlandë e Vietnam. 

Malaria është sëmundja më vdekjeprurëse që transmetohet nga mushkonjat. Përhapet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. 

Ekzistojnë shqetësime se rastet me malaria mund të rriten gjithashtu në kontinent në të ardhmen, nëse kushtet klimatike janë të përshtatshme.