Mungesa e hekurit është më e zakonshmja në mesin e mungesave të vlerave ushqyese në botë, duke prekur rreth një në tre persona. Kjo gjendje është veçanërisht e përhapur te fëmijët dhe gratë e moshës riprodhuese, sidomos te gratë shtatzëna. Mungesa e hekurit mund të shkaktojë lodhje, përkeqësim të funksioneve mendore dhe, në rastet më të rënda, anemi nga mungesa e hekurit. Debati mes shkencëtarëve fokusohet në mënyrën më të mirë për ta trajtuar këtë problem, veçanërisht nëse suplementet e hekurit janë gjithmonë zgjidhja e duhur, ka raportuar BBC.
Mungesa e hekurit mbetet problem serioz shëndetësor global, por marrja e suplementeve duhet të jetë e bazuar në nevoja individuale. Konsultimi me mjekun është thelbësor për të vendosur nëse duhet të përdoren suplemente, apo nëse ndryshimet në dietë janë të mjaftueshme për të parandaluar apo trajtuar mungesën e hekurit.
“Është problem i madh në mbarë botën. Është shumë i shpeshtë. Nuk do të rregullohet aq shpejtë dhe ka të bëjë me shumë lloje të paaftësive”, ka thënë Michael Zimmermann, profesor në Universitetin e Oxfordit.
Rëndësia e hekurit dhe ndikimi i mungesës së tij
Hekuri është thelbësor për prodhimin e hemoglobinës, proteinës që transporton oksigjenin në gjak. Mungesa e tij mund të çojë në lodhje, dobësi dhe vështirësi në përqendrim. Te fëmijët, mungesa e hekurit mund të dëmtojë zhvillimin mendor dhe motorik, me pasoja afatgjata edhe pasi nivelet e hekurit të jenë korrigjuar. Te të rriturit, sipas Mayo Clinic anemia nga mungesa e hekurit konsiderohet një nga shkaqet kryesore të lodhjes së vazhdueshme dhe mungesës së koncentrimit.
“Periudha më e shpejtë e rritjes është fëmijëria. Pesha trupore trefishohet përgjatë vitit të parë të jetës si dhe dyfishohet gjatësia trupore. Ndërkohë që trupi rritet ka nevojë për më shumë gjak. Një pjesë e rruazave të kuqe të gjakut ndërtohet nga hekuri”, ka thënë Mark Corkins, drejtor në “Committee on Nutrition” në Akademinë Amerikane të Pediatërve (AAP).
Suplementet e hekurit dhe efektiviteti i tyre
Përdorimi i suplementeve për trajtimin e mungesës së hekurit është praktikë e zakonshme, por efektiviteti i tyre dhe nevoja për të marrë suplement kur nuk ka simptoma të dukshme vazhdojnë të jenë temë diskutimi. Studime të ndryshme kanë treguar se ndonëse suplementet mund të rrisin nivelin e hekurit në gjak, ato jo gjithmonë përkthehen në përmirësim të shëndetit në përgjithësi. Një studim në Bangladesh ka zbuluar se fëmijët që morën suplemente të hekurit kishin përmirësim në nivelin e hekurit, por nuk patën ndryshime të ndjeshme në zhvillimin e tyre neurologjik, ka shkruar Mayo Clinic.
Nga ana tjetër, marrja e panevojshme e suplementeve mund të jetë e dëmshme. Studime të tjera kanë treguar se foshnjat dhe fëmijët që kishin nivele normale të hekurit por morën suplemente treguan rritje më të ngadalshme dhe peshë më të ulët se ata që nuk morën suplement. Një studim i kryer te fëmijët që konsumonin qumësht me përmbajtje të lartë të hekurit ka treguar se ata kishin rezultate më të dobëta në testet e kujtesës vizuale, të leximit dhe matematikës në moshën 10 dhe 16-vjeçare.
Burimet ushqimore dhe masat parandaluese
Ekspertët e shëndetit kanë rekomanduar marrjen e hekurit kryesisht nga ushqimet. Burimet e mira të hekurit përfshijnë mishin e kuq, mishin e shpendëve dhe ushqimet e detit (hekuri heme, që përthithet më lehtë nga organizmi), si dhe bishtajoret, spinaqin dhe drithërat e pasuruara me hekur (hekuri jo-heme, që përthithet më vështirë). Konsumimi i vitaminës C (nga agrumet) mund të ndihmojë në përthithjen më të mirë të hekurit.
Për ata që janë në rrezik të lartë për mungesë të hekurit, si gratë me cikle menstruale të rënda, strategjitë ushqimore dhe trajtimi mjekësor mund të jenë të domosdoshme. Cikli menstrual i rëndë mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme të hekurit, duke rritur rrezikun e anemisë. Simptomat përfshijnë lodhje, marramendje dhe dobësi. Trajtimi mund të përqendrohet në ndryshime në dietë, suplemente dhe trajtim për të reduktuar gjakderdhjen e tepërt.