Suplementet e vajit të peshkut janë kthyer në një industri miliarda dollarëshe dhe reklamohen si zgjidhje për gjithçka, nga shëndeti i zemrës e deri te përmirësimi i funksioneve të trurit dhe lëkurës. Por sa të sigurta dhe efektive janë në të vërtetë këto kapsula që mbushin raftet e farmacive dhe dyqaneve ushqimore?
Teksa miliona njerëz në mbarë botën i konsumojnë për çdo ditë, shkenca vazhdon të ofrojë rezultate të përziera. Disa studime flasin për përfitime në raste specifike shëndetësore, të tjera i lidhin me rreziqe të mundshme, e të shumtë janë ata që thonë se më mirë është që këto acide yndyrore të merren përmes ushqimit sesa përmes pilulave.
Çfarë thonë në të vërtetë ekspertët dhe cilat janë faktet që duhet ditur para se dikush të mbështetet tek suplementet e vajit të peshkut?
“Njerëzit e perceptojnë vajin e peshkut si një suplement mrekullie”, ka thënë Amelia Sherry, koordinatore në spitalin Mount Sinai në New York, ka raportuar The Guardian.
Ky suplement është i pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat trupi i njeriut nuk i prodhon vetë. Ato luajnë rol të rëndësishëm për zemrën, trurin, shikimin dhe sistemin imunitar, dhe për këtë arsye janë promovuar si mbrojtëse kundër sulmeve në zemër, inflamacionit, e deri te përmirësimi i funksioneve të aftësive njohëse dhe shëndeti i lëkurës.
Kjo e ka kthyer vajin e peshkut në një industri miliarda dollarëshe, vetëm në SHBA dhe Britani, këto suplemente janë ndër më të përdorurat. Tregu global i vajit të peshkut vlerësohet rreth 3.1 miliardë dollarë.
Megjithatë, të dhënat shkencore nuk janë aq të qarta. Një meta-analizë e vitit 2018 arriti në përfundimin se suplementet me vaj peshku “nuk kanë përfitime për zemrën dhe nuk ulin rrezikun nga sulmet apo vdekja për çfarëdo shkaku”. Ndërkohë, një studim tjetër më i fundit madje sugjeron se ato mund të rrisin rrezikun për probleme në zemër dhe tru, për njerëzit pa sëmundje kardiovaskulare.
Çfarë janë suplementet me vaj peshku?
Vaji nxirret nga peshq të pasur me yndyrë si skumbri, salmoni, harenga, sardele dhe anchovi. Ai përmban dy lloje të rëndësishme të omega-3: EPA dhe DHA.
“Përveç peshkut, llojet e algave detare janë burimet e vetme natyrale të këtyre dy llojeve të omega-3,” ka shpjeguar Sherry.
Në formë suplementi, zakonisht shiten si kapsula të buta, por sasia e EPA dhe DHA ndryshon nga një produkt në tjetrin. Në SHBA, këto suplemente nuk rregullohen nga Administrata Amerikane për Ushqim dhe Barna, ndryshe nga Britania e Madhe.
“Duhet ta ktheni shishen dhe të lexoni përbërjen. Kompanitë mund të ndryshojnë etiketat nga java në javë”, paralajmëron doktori Stephen Kopecky, kardiolog në “Mayo Clinic”.
A ka përfitime vaji i peshkut?
Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes ushqyerjes me peshk dhe marrjes së vajit të peshkut si suplement. Omega-3 që gjenden në peshq kanë treguar se ulin inflamacionin, presionin e gjakut, yndyrat në gjak dhe ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të zemrës dhe trurit.
Por, sipas Kopecky, përfitimet nuk vijnë vetëm nga omega-3-t. “Janë edhe faktorë të tjerë, si mënyra si kapet, përgatitet dhe hahet peshku”, ka thënë ai.
Bumi i vajit të peshkut nisi pas një studimi të vitit 1985 në revistën New England Journal of Medicine, ku u gjet se “vdekshmëria nga sëmundjet koronare të zemrës ishte mbi 50% më e ulët te ata që konsumonin të paktën 30 gramë peshk në ditë, krahasuar me ata që nuk hanin fare”.
“Nëse ha më shumë peshk, ndoshta ha më pak mish tjetër”, ka thënë doktori Steven Nissen, kardiolog në Cleveland Clinic, duke shtuar se ata që hanë më shumë peshk, përgjithësisht jetojnë më shëndetshëm.
Ka prova të forta që vaj i peshkut ndihmon pacientët me sëmundje të zemrës ose trigliceride të larta, por kërkohen më shumë studime për dozat dhe formulimet. Nëse dikush ka probleme kardiovaskulare, ekspertët sugjerojnë që të konsultohen me mjekun, pasi ekziston edhe vaj peshku me recetë, që është më i kontrolluar.
Cilat janë rreziqet?
Disa studime kanë zbuluar se doza të larta të vajit të peshkut mund të rrisin rrezikun për fibrilacion atrial, çrregullim i rrahjeve të zemrës që mund të çojë në sulm në tru apo komplikime të tjera. Një provë klinike me 13,076 pacientë u ndërpre në vitin 2020, për shkak të mungesës së përfitimeve dhe rritjes së rrezikut për këtë gjendje.
Ka edhe efekte anësore më të lehta:
“Efekti kryesor anësor është se njerëzit përjetojnë gromësira me shije peshku”, thotë Kopecky.
A ka mënyra më të shëndetshme për të marrë omega-3?
Po – mjafton të hani më shumë peshk të pasur me yndyra të shëndetshme.
“Të zëvendësosh mishin e kuq me peshk yndyror sjell më shumë përfitime sesa të marrësh një kapsulë me vaj peshku”, ka thënë Sherry.
Sipas Kopeckyt, nëse dikush nuk ushqehet shëndetshëm, asnjë suplement nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të madh.
“Historia e vajit të peshkut është një miniaturë e botës sonë. Gjejmë një ushqim të dobishëm, e analizojmë, e nxjerrim përbërësin ‘magjik’, e thajmë, e fusim në një pilulë dhe ua shesim njerëzve dhjetë herë më shtrenjtë”, ka thënë ndër të tjera ai.