Në një artikull të ri të publikuar në New England Journal of Medicine është shprehur shqetësimi i ekspertëve për lidhjen midis ekspozimit të fëmijëve ndaj kimikaleve sintetike dhe rritjes së numrit së numrit të sëmundjeve që po i prekin ata, duke kërkuar një rishikim urgjent të ligjeve ndërkombëtare.
The Guardian ka shkruar se në këtë artikull, i cili është nënshkruar nga më shumë se 20 studiues të njohur në fushën e shëndetit publik, përfshirë ekspertë nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA-së dhe Kombet e Bashkuara, paraqiten shumë prova që lidhin shumë sëmundje të fëmijëve me kimikalet sintetike, dhe sugjerohen një sërë veprimesh për ta mbrojtur më mirë shëndetin e fëmijëve.
Linda Birnbaum, ish-drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shkencave të Shëndetit Mjedisor në SHBA dhe një nga autoret e artikullit, e përshkroi këtë punim si një “thirrje për veprim” që synon angazhimin e përkushtuar për shëndetin e fëmijëve. Së bashku me publikimin e artikullit, disa nga autorët kanë krijuar një Institut për Shëndetin Parandalues për të mbështetur rekomandimet dhe për të financuar zbatimin e reformave.
Artikulli shqyrton të dhëna që tregojnë se ekzistojnë rreth 350,000 kimikale sintetike dhe përzierje kimike që përdoren në mbarë botën, shumica e të cilave janë të prodhuara nga lëndë djegëse fosile. Prodhimi i këtyre kimikaleve është rritur 50 herë që nga viti 1950 dhe vazhdon të rritet me 3% në vit, duke pritur që të trefishohet deri në vitin 2050.
Sëmundjet jongjitëse, që lidheshin me ekspozimin ndaj kimikaleve sintetike, janë duke u rritur te fëmijët dhe janë bërë shkaku kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve te ata. Pavarësisht lidhjeve të vazhdueshme që po zbulohen, ka shumë pak kufizime për këto kimikale dhe nuk ka asnjë mbikëqyrje të tregut lidhur me efektet shëndetësore afatgjata.
“Dëshmitë janë kaq bindëse dhe efektet e kimikaleve të prodhuara janë kaq të dëmshme për fëmijët, saqë pa ndërmarr diçka nuk ka më mundësi”, ka thënë Daniele Mandrioli, një nga autorët dhe drejtor i Qendrës së Studimeve për Kancer në Institutin Ramazzini në Itali
Artikulli thekson nevojën për një ndryshim të paradigmës apo modelit të testimit dhe rregullatorët e kimikaleve për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve.
Një tjetër aspekt i theksuar është rishikimi i ligjeve që rregullojnë industrinë e kimikaleve dhe ridrejtimi i investimeve financiare në mënyrë që të mbrohet shëndeti i fëmijëve.
Ndryshime të tilla kërkojnë veprime të ngjashme me përpjekjet për kalimin në energji të pastër.
Shumë nga të dhënat shqetësuese tregojnë rritjen e sëmundjes së kancerit te fëmijët me 35%, defekte të lindura të riprodhimit te djemt që janë dyfishuar dhe çrregullime të zhvillimit neurologjik që prekin një në gjashtë fëmijë, ndërsa obeziteti dhe astma pediatrike janë rritur ndjeshëm.
Autorët e artikullit kërkojnë që mbarë bota të ketë një qasje “parandaluese” që do të mundësojë tregtimin e kimikaleve vetëm nëse prodhuesit mund të provojnë në mënyrë të pavarur se kimikalet nuk janë toksike për nivelet e pritura të ekspozimit.
Artikulli gjithashtu sugjeron një marrëveshje globale të detyrueshme për kimikalet, e cila do të zbatohej nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar një trup shkencor të pavarur për të udhëzuar në fushën e politikave të kimikaleve.