Lifestyle

Mënyra më e mirë për të gatuar shpargun sipas shefave të kuzhinës

shpargu

Shpargu

Foto: Associated Press

Shpargu është një nga perimet më të njohura të pranverës, por shumë njerëz e gatuajnë gabimisht duke e bërë të butë dhe të qullët. Për të shmangur këtë, pesë kuzhinierë profesionistë kanë ndarë këshillat e tyre mbi mënyrën më të mirë për t'i gatuar këto perime të shijshme, ka shkruar AllRecipes.

Gabimet më të zakonshme me shparg

Sipas kuzhinierëve, gabimet më të zakonshme që duhen shmangur janë:

Mosruajtja e duhur – Shpargu duhet të mbahet si lulet: priten fundet dhe vendosen në një kavanoz apo gotë me pak ujë, ose mbështillen me një letër të lagësht në frigorifer.

Mosprerja e fundeve – Fundet e shpargut janë të forta dhe drunore, prandaj duhet të priten 1-2 cm ose aty ku ndryshon ngjyra nga e gjelbër në të bardhë.

Gatimi me temperaturë të ulët – Shefja e kuzhinës, Yumna Jawad, ka thënë se shpargu ka nevojë për nxehtësi të lartë për të ruajtur teksturën dhe shijen. Për shembull, pjekja në furrë duhet bërë në 220°C.

Gatimi i shpargu ndërkohë që është ende i lagësht – “Nëse shpargu nuk thahet mirë pasi lahet, ai do të ziejë në vend që të piqet”, ka shpjeguar Jawad.

Mënyra më e mirë për të gatuar shpargun

Sipas ekspertëve, pjekja në furrë është metoda më e mirë. 

“Pjekja thellon shijen dhe e bën majën e shpargut pak krokante, plus është e thjeshtë për t’u realizuar”, ka thënë autori i librave të gatimit, Peter Som.

Përgatitja në mënyrën më të mirë:

Ngrohet furra në 220°C

Përzihet shpargu i larë dhe pritit, spërkatet me vaj ulliri, kripë dhe piper

Vendoset në një tavë të shtruar me letër pjekjeje, duke u siguruar që shpargu të mos jetë shumë i ngjeshur

Piqet për 10-12 minuta, derisa të marrë një ngjyrë të artë dhe të jetë i butë në mes

Alternativa të tjera të mira për gatimin e shpargut

Përveç pjekjes, ka edhe metoda të tjera që sjellin rezultate të shkëlqyera:

Skara – “Shpargu i gatuar në skarë duket dhe shijon shkëlqyeshëm”, ka thënë shefi Adam Fiscus. Për një shije më të pasur, ai sugjeron të marinohet për disa orë para gatimit.

Zierja e shpejtë– Nëse doni shparg të freskët për sallata, ziejeni për 1-2 minuta, më pas vendoseni menjëherë në ujë të ftohtë për të ruajtur ngjyrën dhe teksturën.

Mikrovala – “Sekreti im për të gatuar shpargun është mikrovala”, ka thënë Matt Larkin. Sipas tij, mjafton të vendoset në një pjatë me një pecetë të lagur me ujë sipër dhe të ngrohet për 3 minuta, derisa të jetë i butë.