Lifestyle

Studimi zbulon se gjysma e diabetikëve kanë mungesë së lëndëve themelore ushqyese

Suplementet me vlera ushqyese

Suplementet me vlera ushqyese

Një studim i ri ka nxjerrë në pah një krizë të “urisë së fshehur” te pacientët me diabet të tipit 2, duke zbuluar se pothuajse gjysma e tyre vuajnë nga mungesa e lëndëve ushqyese të nevojshme, si vitamina D dhe magnezi.

SciTechDaily ka raportuar se studimi, i publikuar më 28 janar në revistën BMJ Nutrition, Prevention & Health, ka analizuar të dhënat nga 132 studime të ndryshme dhe ka zbuluar se 45% e njerëzve me diabet të tipit 2 vuajnë nga mangësia e vlera ushqyese themelore, të tilla si vitaminat, mineralet dhe elektrolitet.
Mangësitë ishin më të shpeshta te gratë dhe ato që jetonin në Amerikë, ku kjo normë arrinte deri në 54%.

Mungesat më të shpeshta të vlerave ushqyese

Mungesa e vitaminës D ishte më e përhapura, duke prekur 60.5% të individëve me diabet të tipit 2.
Mungesa e magnezit ishte gjithashtu shumë e zakonshme, duke prekur 42% të diabetikëve. Mungesa e hekurit ishte e pranishme te 28% e individëve me diabet të tipit 2. Mungesa e vitaminës B12 ishte e përhapur te 29% e pjesëmarrësve, veçanërisht ata që merrnin ilaçe metformin.

Studimi ka treguar gjithashtu se gratë janë më të rrezikuara nga këto mangësi krahasuar me burrat, me prevalencë prej 49%. Po ashtu, pacientët nga Amerika kishin nivelet më të larta të mangësive të vlerave ushqyese.

Pse po ngrihet alarm?

Studiuesit kanë theksuar se këto mangësi, të cilat shpesh quhen “uri e fshehur”, paraqesin një sfidë të madhe për shëndetin. Diabeti i tipit 2 nuk ndikohet vetëm nga faktorët gjenetikë dhe mjedisorë, por gjithashtu nga stili i jetesës dhe ushqimi i pasur me kalori por i varfër nga vlera ushqyese, siç është rasti me shumë njerëz që vuajnë nga obeziteti.

“Ky studim tregon ngarkesë të dyfishtë për kequshqyerje, ku mungesat e vlerave ushqyese dhe sëmundjet jongjitëse siç është diabeti i tipit 2 shfaqen së bashku. Trajtimi i diabetit shpesh fokusohet në metabolizmin e energjisë dhe vlerat ushqyese, por këto të dhëna theksojnë rëndësinë e përmirësimit të ushqyerjes në përgjithësi”, ka shpjeguar Shane McAuliffe, ekspert i NNEdPro Global Institute for Food, Nutrition and Health.

Nevoja për studime të mëtejshme dhe ndërhyrja e përshtatshme

Kërkohen hulumtime të mëtejshme për t’i kuptuar më mirë shkaqet dhe pasojat e këtyre mangësive, si dhe për të zhvilluar mundësi për trajtime të përshtatura për pacientët me diabet.