Lifestyle

Konsumimi i çajit dhe i kafesë lidhet me rrezik më të ulët për kancerin e kokës dhe qafës

Kafeja dhe çaji

Kafeja dhe çaji

Një studim i ri sugjeron se konsumimi i çajit dhe kafesë mund ta ulë rrezikun e kancerit të kokës dhe qafës. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit që pinë më shumë se katër filxhanë kafe çdo ditë kanë 17% më pak mundësi për të zhvilluar këto lloje kanceri.

“The Guardian” ka shkruar se sipas një studimi të organizatës për hulumtime ndaj kancerit në Britani të Madhe,  kanceri i kokës dhe i qafës i prek rreth 12,800 njerëz në vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe shkakton rreth 4,100 vdekje.

Edhe pse studimi nuk e dëshmon plotësisht se çaji dhe kafeja mbrojnë drejtpërdrejt nga kanceri, ai ndihmon për të hedhur dritë mbi marrëdhënien e ndërlikuar mes këtyre pijeve dhe rrezikut të kancerit.

“Ky studim theksoi efektet e ndryshme të kafeve dhe çajit në lloje të ndryshme të kancerit të kokës dhe qafës, duke përfshirë një gjetje befasuese që edhe kafeja pa kafeinë kishte ndikim pozitiv”, ka thënë doktori Yuan-Chin Amy Lee nga Universiteti i Utahit.

Studimi ka analizuar të dhënat nga 14 studime në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine, duke përfshirë 9,548 persona me kancer të kokës dhe qafës dhe 15,783 pa këto kancere.

Studiuesit kanë zbuluar se pirja e më shumë se katër filxhanëve kafe të kafesë me kafeinë ul rrezikun e kancerit të kokës dhe qafës, veçanërisht të kancerit të gojës dhe orofaringut.

Kafeja pa kafeinë ishte e lidhur vetëm me rrezik më të ulët të kancerit të gojës.

Për çajin, pirja e një filxhani në ditë ose më pak ishte e lidhur me 9% më pak mundësi për të zhvilluar kancer të kokës dhe qafës, veçanërisht në kancerët në pjesën e poshtme të fytit.

Megjithatë, pirja e më shumë se një filxhani në ditë ishte e lidhur me 38 për qind më shumë mundësi për kancer laringeal, gjë që mund të jetë për shkak të çajit që kontribuon në sëmundjen e refluksit gastroezofageal (GERD), gjë që rrit rrezikun për kancer laringeal.

Pavarësisht gjetjeve, ekspertët kanë paralajmëruar se studimi ka kufizime, siç është pasiguria e të dhënave të raportuara nga vetë pjesëmarrësit dhe mosmarrja parasysh e llojit të çajit ose kafesë që është konsumuar. 

Profesori Tom Sanders nga King’s College London ka theksuar vështirësinë e eliminimit të faktorëve të tjerë si përdorimi i alkoolit dhe duhanit, të cilët mund të ndikojnë gjithashtu në rrezikun për kancer. Studimi ka sugjeruar se përbërësit bioaktivë të çajit dhe kafesë, përveç kafeinës, mund të kontribuojnë në efektet e mundshme anti-kancerogjene.