Lifestyle

Koha më e mirë për të ngrënë darkën, sipas ekspertëve

darka

Darka

Ekspertët e jetëgjatësisë kanë thënë se darka duhet ngrënë tri orë para gjumit.

Në një intervistë për GQ, Valter Longo, drejtor i një instituti në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ka thënë se nuk ka një orë të caktuar për të ndaluar së ngrëni dhe se më shumë ka të bëjë me orarin kur shkon për të fjetur.

Drejtori ka thënë se njerëzit duhet të ndalojnë së ngrëni tri orë para se të flenë.

“Kjo është për shkak se ngrënia e vonë mund ta prishë gjumin (gjumi i keq, veçanërisht në moshën e mesme, është lidhur me sëmundjen e demencës) dhe mund të ndryshojë mënyrën se si trupi shpenzon energjinë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se njerëzit që ai ka studiuar, të cilët kanë jetuar më gjatë, kanë ndaluar së ngrëni 12 orë para mëngjesit të ditës pasuese.

“Për shembull, nëse flini 8 orë në natë, do të thotë që të ndaloni së ngrëni 4 orë para gjumit dhe të hani mëngjesin menjëherë pas zgjimit, ose të ndaloni së ngrëni ushqim 3 orë para gjumit dhe të prisni një orë pas zgjimit për të ngrënë mëngjesin”, ka thënë tutje Longo.

Çfarë ndodh nëse dikush ka refluks acidi?

Gastroenterologu, doktori Will Bulsiewicz, ka thënë se nëse dikush ka refluks acidi, koha për të ndaluar së ngrëni duhet të jetë edhe më herët, katër orë përpara gjumit.

Pse dikush ka shumë uri natën?

Shumë njerëzit mund të kenë dëshirë të fortë për të ngrënë ushqime kalorike rreth orës 23:00.
Sipas një studimi të vitit 2013, rregullimi i brendshëm i ritmit cirkadian është shkaku i dëshirës së fortë.
“Për shkak të rregullimit të brendshëm të ritmit cirkadian të oreksit, kemi një tendencë natyrale të tejkalojmë mëngjesin vetëm që të konsumojmë vakte më të mëdha në mbrëmje”, ka thënë Steven Shea, një nga autorët e studimit.

Ky është një fenomen që ka ndodhur gjatë historisë, pasi trupi i njeriut kishte nevojë të përdorte ushqimin sa më efektivisht për të ruajtur yndyrën.

Kjo është arsyeja pse shumë shpesh njerëzit dëshirojnë të konsumojnë ushqime të ëmbla, të kripura dhe me karbohidrate në mbrëmje.