Lifestyle

Kina zbulon ilaçin e ri kundër kancerit të mushkërive, mund ilaçin më të shitur në botë

Kina

Gjatë 10 vjetëve të fundit Kina ka filluar të zbulojë ilaçe më të avancuara që mund të konkurrojnë drejtpërdrejt me ato perëndimore. Kompanitë farmaceutike kineze madje kanë nënshkruar marrëveshje licencimi miliarda dollarëshe me partnerët perëndimorë për të çuar produktet e tyre në pjesën tjetër të botës. Së fundmi “Akeso”, një kompani bioteknike kineze, shumë pak e njohur, ka zbuluar një ilaç të ri kundër kancerit të mushkërive, duke arritur ta mundë ilaçin më të shitur në botë

Në shtator “Akeso”, një kompani bioteknike kineze pak e njohur, e themeluar gati një dekadë më parë, tronditi sektorin e bioteknologjisë me zbulimin e ilaçit të saj të ri kundër kancerit të mushkërive.
Ilaçi i ri, ivonescimab, përmes një prove të kryer në Kinë, doli të jetë më i suksesshëm se keytruda, ilaç i zhvilluar nga kompania amerikane farmaceutike “Merck”, dominues në trajtimin e kancerit e që nga shitja ka arritur të grumbullojë më shumë se 130 miliardë dollarë.

Te pacientët që u trajtuan me ilaçin e ri të “Akesos” u deshën 11.1 muaj përpara se tumoret e tyre të fillonin të rriteshin përsëri, krahasuar me 5.8 muaj për keytrudan, sipas të dhënave klinike të publikuara në Konferencën Botërore për Kancerin e Mushkërive.

Brenda vetëm disa ditëve në fillim të shtatorit, aksionet në “Summit Therapeutics”, partneri amerikan i “Akesos”, u dyfishuan në nivel rekord, sipas të dhënave nga “Refinitiv”. Firma kishte licencuar të drejtën për të shitur ilaçin e ri në Amerikën e Veriut dhe Evropë.

“Unë besoj se industria kineze e bioteknologjisë do të luajë një rol të rëndësishëm në gjithë botën. Dhe ne do të marrim pjesë në të gjithnjë e më shumë”, tha Michelle Xia, drejtoreshë ekzekutive e “Akesos”.

Në një deklaratë dërguar CNN-it, mposhtjen e keytrudas, ilaçit më të shitur në botë, “Akeso” e ka quajtur “moment tepër emocionues”.

Deri në vitet 1980, shumica e kompanive farmaceutike kineze ishin nën pronësi të shtetit. Për pjesën më të madhe të 40 vjetëve të fundit, kompanitë kineze të bioteknologjisë kanë riprodhuar kryesisht medikamente ekzistuese.

Por, gjatë 10 vjetëve të fundit ata kanë filluar të zbulojnë dhe prodhojnë ilaçe më të avancuara që mund të konkurrojnë drejtpërdrejt me ato perëndimore. Ata madje kanë nënshkruar marrëveshje licencimi miliarda dollarëshe me partnerët perëndimorë për të çuar produktet e tyre në pjesën tjetër të botës.

“AstraZeneca” nënshkroi një marrëveshje prej 1.92 miliardë dollarësh me grupin farmaceutik CSPC të Kinës vitin e kaluar për të prodhuar ilaçe kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe “Merck” ka gjithashtu një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh me “Hansoh Pharmaceutical” të Kinës për një pilulë eksperimentale për humbje peshe.

“Njerëzit ishin të vetëdijshëm se industria e bioteknologjisë po zhvillohej shumë shpejt në Kinë, por shumë pak e shihnin atë si kërcënim real për novatorët kryesorë të SHBA-së”, tha Rebecca Liang, analiste farmaceutike në “AB Bernstein”. 

Sipas një raporti të publikuar nga HSBC Qianhai Securities në fillim të këtij muaji, Kina po shndërrohet në një qendër inovacioni për të gjithë industrinë. Numri i marrëveshjeve të licencimit, nga vetëm 46 sa ishin në vitin 2017, ka arritur në më shumë se 200 sosh vitin e kaluar. Shuma totale e marrëveshjeve ishte vetëm 4 miliardë dollarë në 2017-n dhe u rrit në 57 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Por ndërkohë që arritja e “Akesos” po bën bujë jashtë shtetit, në Kinë ka krisur debati mbi cilësinë e barnave gjenerike të prodhuara në vend, të cilat kanë të njëjtit përbërës aktivë si ilaçet e patentuara, por janë shumë më të lira.

Mosbesimi mbi prodhimtarinë e ilaçeve në vend është i thellë në Kinë. Shqetësime të tilla bënë bujë publike muajin e kaluar, kur edhe u hodhën dyshime mbi cilësinë e barnave gjenerike kineze, gjë që ka rezultuar me hetime zyrtare.

Rregullatori shëndetësor i Kinës më pas mbrojti sigurinë e barnave, duke thënë se hetimi zbuloi se shqetësimet mbi cilësinë ishin të pabazuara. Disa banorë të Pekinit i thanë CNN-it javën e kaluar se nuk ishin të njohur me “Akeson” ose ilaçin e tij të ri dhe se ende preferonin barnat e importuara.

Ilaçi i ri i “Akesos”, i cili nuk është gjenerik, është miratuar nga rregullatori farmaceutik i Kinës për disa pacientë me kancer të mushkërive. Por është me vite larg shitjes në SHBA.

Këtë vit pritet të bëhet një provë globale për të vërtetuar efikasitetin e ilaçit. Nëse rezultati del të jetë i suksesshëm, kjo do të ishte një dëshmi e mëtejshme e hapave që ka bërë Kina në zhvillimin e barnave të fundit.