Lifestyle

Kimikatet e rrezikshme që përmban plastika mund të depërtojnë në trup përmes lëkurës

Produktet që përmbajnë PFAS

Produktet që përmbajnë PFAS

Studiuesit kanë gjetur se kimikatet e rrezikshme për shëndetit PFAS, që ndryshe njihen si “kimikate të përhershme”, të cilat gjenden në shumë produkte që krijohen nga plastika, mund të depërtojnë brenda trupit edhe përmes lëkurës së njeriut, brenda 36 orëve, shkruan The Telegraph.

PFAS njihen si “kimikale të përhershme” për shkak se nuk shpërbëhen në mënyrë të natyrshme në ambient, por vlerësohen për rezistencën që kanë ndaj lagështisë. Këto kimikale janë përdorur për dekada me radhë për krijimin e veshjeve me rezistencë ndaj ujit, tiganëve që nuk ngjisin si dhe për krijimin e produkteve kozmetike si grimi me rezistencë ndaj ujit.

PFAS janë gjetur në ujin e pijshëm, në dheun e pluhurin e tokës dhe thuhet se ndikojnë keq në sistemin imunitar, mosfunksionimin e mirë të mëlçisë si dhe nënpeshë të foshnjave në lindje.

Tiganët që nuk ngjisin mund të përmbajnë PFAS

Më parë është menduar se kimikatet si PFAS nuk do të mund të depërtojnë në brendi të trupit përmes lëkurës.

Por në studimin e ri janë përdorur 17 tipe të ndryshme të PFAS dhe është gjetur se shumica prej tyre mund të hyjnë në trup përmes lëkurës pas 36 orësh ekspozim ndaj tyre.

Studimi që u bë në Universitetin e Birminghamit ka aplikuar mostrat e këtyre kimikateve mbi shtresat e lëkurës, të cilat ishin krijuar në laborator e që imitojnë lëkurën e njeriut.

Pas testimit të 17 mostrave të PFAS, 15 prej tyre treguan se mund të absorbohen nga lëkura dhe të paktën 5 për qind e dozës u absorbua.

Ambalazhet e plastikës mund të përmbajnë PFAS

Studimi ka gjetur se lëkura absorbonte kimikatin e quajtur perfluorooctanoic acid (PFO), i cili përdoret shpesh për krijimin e ambalazheve të plastikës. Ky kimikat përbënte 13.5 për qind të dozës së aplikuar në lëkurën artificiale dhe 38 për qind e tij mbetej brenda në lëkurë.

“Aftësia që këto kimikate kanë për të depërtuar përmes lëkurës, më parë është injoruar sepse molekulat janë të jonizuara. Energjia elektrike që ua mundëson këtyre kimikateve që të jenë rezistente ndaj lagështisë, mendohej se po kjo energji do ua pamundësonte depërtimin përmes lëkurës”, ka thënë autorja e studimit Oddny Ragnarsdottir.

Ambalazhet e produkteve për pastrim mund të përmbajnë PFAS

Studimi gjithashtu ka gjetur se PFAS-të më moderne, të cilat kanë zinxhir më të shkurtër të karbonit, mund të absorbohen edhe më lehtë nga lëkura, ani pse industria i prezantoi të jenë më pak toksike.

“Ky studim na paralajmëron se sa të dëmshme mund të jenë këto kemikale që kanë aftësi të depërtojnë në trup përmes lëkurës. Kjo është shumë me rëndësi sepse këto kimikale supozohet të jenë më pak toksike dhe tani sipas këtyre rezultateve që gjetëm ka mundësi që lëkura të përthithë shumë më shumë prej tyre, prandaj duhet të dimë më shumë për rrezikun që paraqesin”, ka thënë bashkautori i studimit, profesori Stuart Harrard, në Universitetin e Birminghamit.

Veshjet rezistente ndaj ujit mund të përmbajnë PFAS

Ai gjithashtu ka cekur se ky studim do të mund t'u ndihmonte rregullatorëve në mbarë botën ta dinë se në çfarë niveli të toksicitetit do të çojnë PFAS-et njerëzimin.

Doktori David Megson, njohës i çështjeve të kimisë dhe forenzikës së ambientit nga Universiteti Metropolitan në Manchester, ka thënë se ky studim ka rrëzuar pretendimet e mëparshme, sipas të cilave kemikatet PFAS nuk do të mund të depërtojnë përmes lëkurës.

Detergjenti për larjen e rrobave mund të përmbajë PFAS

“Këto kemikale përdorën për krijimin e rrobave dhe shumë gjësendeve. Shumica e popullsisë në botë nuk janë të vetëdijshëm që po e mbulojnë veten me PFAS-se çdo ditë, ndërsa vishen dhe aplikojnë grimin. Këto kimikale toksike ngadalë po hyjnë në sistemin tonë dhe mund të jenë përgjegjëse për krijimin e shumë problemeve shëndetësore”, ka thënë Megson.

Pruduktet kozmetike me rezistencë ndaj ujit mund të përmbajnë PFAS