Lifestyle

Kërcënimet ndaj shëndetit gjatë vitit 2024

shendeti

Lija e majmunëve, rritja e sërishme e numrit të rasteve me COVID-19, rritja e numrit të rasteve me sëmundje neurologjike, si dhe ndryshimet klimatike, janë vetëm disa nga çështjet që kanë shqetësuar mjekët dhe ekspertët shëndetësorë gjatë vitit 2024. Ndërkohë në shpresë për mirëqenien e shëndetin u shndërruan trajtimet eksperimentale, përdorimi i teknologjive të reja në trajtime, terapia gjenetike e Inteligjenca Artificiale

Shëndeti publik gjatë vitit 2024 u përball me shumë sfida. Përveç lisë së majmunëve, rritjes së numrit të rasteve me sëmundje neurologjike, COVID e grip, si dhe rritjes së numrit të personave me obezitet, shëndeti publik u kërcënua edhe nga ndryshimet klimatike. Në anën tjetër, fillimi për herë të parë i vaksinimit të rregullt të fëmijëve kundër malaries në Kamerun e teknologjia e re e avancuar në kirurgjinë kardiovaskulare ishin disa zhvillime premtuese në fushën e mjekësisë.

Lija e majmunëve

Lija e majmunëve është cilësuar si kërcënim për shëndetin në mbarë botën, sidomos në disa shtete të Kontinentit të Afrikës.

Kjo sëmundje e njohur si Mpox (monkeypox) është virus zakonisht lehtë i kalueshëm, por në disa raste mund të shkaktojë simptoma të rënda, shenja edhe në fytyrë e duar, që mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit e që në disa raste mund të përfundojë me fatalitet.

Disa nga simptomat e tjera janë ethet, dhimbja e kokës, dobësia fizike, ënjtja e nyjave limfatike, dhimbja e shpinës dhe dhimbja e muskujve.

Në gusht Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli shpërthimin e Mpox-it emergjencë globale, duke e bërë këtë virus shqetësim të madh për shëndetin publik.

Para se të shpallej emergjencë globale, shkencëtarët patën paralajmëruar se mund të kishte një formë të re të kësaj lije në Kongo, e cila do të mund të shkaktonte vdekjen e më shumë se 10 për qind të njerëzve të cilët do të infektoheshin dhe do të mund të shpërndahej më me lehtësi.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga OBSH-ja, në muajin tetor të vitit 2024 autoritet në Kongo patën filluar vaksinimin kundër lisë së majmunëve.

Bazuar në të dhënat e publikuara, Republika Demokratike e Kongos ishte vendi më i prekur nga lija e majmunëve dhe përbënte mbi 90% të rasteve të raportuara nëpër botë.

Sipas të dhënave të OBSH-së, janë regjistruar më shumë se 39 mijë raste të dyshuara dhe mbi 1000 vdekje nga ky virus në këtë shtet. Në vitin 2024, rastet e lisë së majmunëve u raportuan në 80 vende të botës, përfshirë 19 vende në Afrikë.

Rritja e rasteve me COVID-19 e problemet me fruthin

Numri i hospitalizimeve nga pandemia e COVID-19 dhe gripi është rritur gjatë vitit 2024, me të moshuarit mbi 85 vjeç që përbënin pjesën më të madhe.

Qysh në fillim të vitit 2024, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britani (UKSHA) pati këshilluar të bëhet kujdes për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID.

“Kemi pasur gjashtëfishim të rasteve të gripit gjatë javëve të fundit dhe besoj se të dhënat e fundit nga UKSHA-ja sugjerojnë se rastet e COVID-19 në spitale janë rritur me 25%”, pati thënë mjekja Catherine Hyams, studiuese kryesore për sëmundjet respiratore në Universitetin e Bristolit.
Kjo tregon se edhe katër vjet pas shpërthimit të COVID-19, sëmundja vazhdon të mbetet kërcënim për shëndetin publik.

Fruthi ishte një tjetër shqetësim shëndetësor për të cilin u ngre alarmi. Sipas OBSH-së, ka pasur rritje tronditëse të rasteve me fruth, me një rritje prej 30-fish të rasteve në Evropë në vitin 2024.
Fruthi është një nga sëmundjet më të shpeshta te fëmijët, e cila përfshinë simptoma si temperatura, dehidrimi, probleme me frymëmarrjen dhe pneumoninë. 
Fruthi si sëmundje mjaft infektive mund të shkaktojë dëmtime të përhershme, si shurdhimi dhe në disa raste mund të jetë fatal, sidomos kur ndodhin komplikime të tilla si encefaliti e  pneumonia.
Pasi OBSH-ja kishte njoftuar se 90 për qind e popullatës duhet të jenë vaksinuar në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet, prindërit nisën t’i vaksinonin fëmijët në masë të madhe.
“Njerëzit mund të mos e konsiderojnë si kërcenim për shëndetin e tyre, por për faktin se është shumë infektues, duhet të mbajmë shkallë me të vërtetë të lartë të vaksinimit”, pati thënë Steve Ruseell, drejtor i vaksinimit në shërbimet shëndetësore britanike.

Vaksinimi i fëmijëve kundër malaries në Kamerun

Në vitin 2024, Kameruni u bë vendi i parë që nisi vaksinimin e rregullt të foshnjave kundër malaries, jashtë provave klinike.

Ky vaksinim është i rëndësishëm për Kamerunin pasi malaria është sëmundje shumë e përhapur atje, me mbi 3 milionë raste në vitin 2021.
Vaksina RTS,S ishte aplikuar tashmë në disa vende, si Kenia, si provë, por Kameruni mori doza për ta administruar atë si pjesë e kujdesit të rregullt shëndetësor.

Ky hap është cilësuar përparim i madh për shëndetin publik, pasi vaksina RTS,S është treguar e efektshme në luftën kundër malaries.

Malaria është sëmundje që ndodh si pasojë e pickimit të një mushkonje që mund të mbartë parazitë.

Obeziteti dhe ethet hemorragjike

Një analizë botërore që është realizuar në vitin 2024 nga revista “Lancet” pati treguar se afërsisht 1 miliard njerëz në mbarë botën janë klasifikuar si obezë.

Sipas të dhënave nga viti 1990 deri në vitin 2022, normat midis të rriturve u dyfishuan dhe për fëmijët dhe adoleshentët u katërfishuan. Sipas të dhënave, pothuajse 1 në 8 njerëz në botë, mbi moshën pesë vjeç, është obez.

Profesori Majid Ezzati, nga Kolegji Imperial në Londër, autor i analizës, pati thënë se kjo ka ndodhur sepse njerëzit e shumicës se vendeve në botë ushqehen keq, duke mos konsumuar ushqim të pasur me vlera ushqyese.

Rio de Janeiro pati raportuat shpërthim të rasteve me ethe hemorragjike në muajin shkurt të 2024-s. 
Shumica e njerëzve me ethe hemorragjike nuk zhvillojnë simptoma, por nëse kanë, sipas OBSH-së,  këtu përfshihen: temperatura e lartë, kokëdhimbja, dhimbjet e trupit e mundimi. Edhe pse shumica i kalojnë lehtë, në disa raste ethet hemorragjike mund të jenë fatale.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndetësi

Kërcënim tjetër për shëndetin publik është parë ndryshimi klimatik. 
Sipas raportit të shërbimit të ndryshimeve klimatike “Copernicus”, viti 2024 ishte në rrugën për të qenë viti më i nxehtë ndonjëherë.

Në raportin e publikuar nga “Lancet” në muajin tetor të 2024-s, i cili u përpilua nga më shumë se 120 ekspertë nga mbarë bota, është theksuar se kërcënimet për shëndetin, si rezultat i ndryshimeve klimatike, kanë arritur “nivele rekord”.

Që nga ekspozimi ndaj nxehtësisë, deri te thatësia, përmbytjet dhe uria, ky fenomen ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve në të gjithë botën.

“Ndryshimi klimatik është çështje themelore e shëndetit. Kjo gjë po ndikon në bazat e shëndetit e në mirëqenie”, pati thënë mjekja Marina Romanello, drejtoreshë ekzekutive në “Lancet” Countdown në University College në Londër.

Sëmundjet neurologjike dhe trajtimet eksperimentale

Një tjetër kërcënim për shëndetin ishte rritja e numrit të rasteve me sëmundje neurologjike, përfshirë sulmet në tru dhe demencën. 

Sipas një studimi të botuar në “Lancet Neurology”, më shumë se 3.4 miliardë njerëz janë prekur nga sëmundje neurologjike, duke përfshirë dëmtimet e shkaktuara nga diabeti dhe dëmtimet e trurit që ndodhin gjatë lindjeve. 

Por ky vit solli edhe disa zhvillime premtuese në fushën e mjekësisë. Një vajze britanike 18 muajsh që lindi e shurdhër, iu rikthe dëgjimi pas një operimi eksperimental, përmes të cilit u zëvendësua një gjen me defekt. 

Kirurgët kishin mundësi ta trajtonin duke e çuar një dozë të vogël të një ilaçi gjenetik brenda një indi qelizor të padëmtuar.

“Viruset janë krijuar të kryejnë qëllimin e tyre, ta vendosin materialin e tyre gjenetik në qeliza, por ne duke e dobësuar adenovirusin mund të hedhim sasi të vogël informacioni gjenetik në qeliza, gjë që do të provokojë një lloj ndryshimi që besojmë se do të jetë afatgjatë”, ka shpjeguar Richard Brown, pediatër konsulent në Spitalin Addenbrooke, nga Universiteti i Cambreidget.

Teknologjitë e avancuara, shpresë për mjekësinë

Zhvillim premtues ishte teknologjia e avancuar në kirurgjinë kardiovaskulare.
Studiuesit kanë zhvilluar një teknologji të re për të krijuar imazhe tredimensionale të zemrës, të cilat mund t’i ndihmojnë kirurgët të shohin zemrën në një nivel më të hollësishëm dhe të drejtpërdrejtë. 
Kjo teknologji është e ngjashme me hartat  e Google, ku mund të shikohet zemra në detaje, duke mundësuar diagnostikim dhe trajtim më efikas të sëmundjeve të zemrës.