Lifestyle

Katër zakonet që rekomandohen nga ekspertët për ta ulur rrezikun nga kanceri

parandalimi i kancerit

Ndërkohë që shkaktarët e disa llojeve të kancereve mund të jenë gjenetik, studimet kanë treguar se më shumë se gjysma e rasteve me kancer ndodhin për shkak të sjelljeve në jetën e përditshme që përbëjnë faktorë rrezikues, gjë që do të thotë se janë të parandalueshëm.

Doktorët rekomandojnë të bëhen ndryshime në zakonet e këqija të stilit të jetesës, si për shembull, të mos konsumohet duhani, të konsumohen ushqim me vlera ushqyese si dhe të kufizohet ekspozimi ndaj faktorëve të tjerë kancerogjenë.

Fox News ka shkruar katër zakone që duhet ndërmarrë në mënyrë që të parandalohet rreziku nga kanceri.

1. Nënshtrimi ndaj kontrolleve dhe skanimeve të rregullta

Doktorët rekomandojnë që në asnjë mënyrë të mos shtyhen kontrollet dhe skanimet që duhet të bëhen për moshën përkatëse, si masë parandaluese ndaj çdo lloj kanceri.

Për shembull, kanceri i zorrës së trashë është shkaku i dytë më i shpeshtë në botë për vdekjen e njerëzve me ngjyrë ne SHBA, ndërkohë që shumë prej tyre nuk shkojnë në kontrolle rutinë dhe nuk i bëjnë skanimet që rekomandohen nga mjeku përkatës.

Një studim që ka bërë doktoresha Adjoa Anyane-Yeboa, nga spitali i i Massachusettsit,(MGH) ka gjetur se zvarritja deri në maksimum e kontrolleve ishte arsyeja kryesore, pasuar nga shqetësimet financiare, shqetësimet rreth pandemisë Covid 19 dhe frika nga testi dhe përgatitja e zorrëve për kontroll.

“Çështja kryesore nga ky studim është se të gjithë mjekët duhet të diskutojnë me të gjithë pacientët e tyre rreth skanimit të rregullt të zorrëve si masë parandaluese për kancerin e zorrës së trashë, sepse zbulimi i hershëm përmes ekzaminimit shpëton jetë”, ka thënë doktoresha.

2. Përmirësimi i shëndetit të gjumit

Gjumi i pamjaftueshëm apo me kualitet të ulët i tij ka lidhje me rrezik të lartë për zhvillim të sëmundjes së kancerit.

Doktori Heming Weng, nga "Women's Hospital" në Brigham, ka udhëhequr një studim ku është hulumtuar rreth ndikimit të pagjumësisë në rrezikun ndaj kancerit të vezoreve.

“Pagjumësia është një ndër çrregullimet e shpeshta te pacientet me kancer në vezore”, ka thënë Wang.

Ai ka bërë të ditur se studimi që bëri ai ka vënë në pah se pagjumësia rrit rrezikun për një lloj të caktuar të kancerit të vezoreve dhe ka lidhje me ulje të mbijetesës te pacientet.

Doktori ka thënë gjithashtu se këto gjetje duhet të tërheqin vërejtjen e të gjitha atyre në neglizhojnë pagjumësinë.

3. Informimi për rreziqet dhe përfitimet nga përdorimi i përditshëm i aspirinës

Studimet kanë treguar se përdorimi i rregullt i aspirinës apo ilaçeve pa steroide për trajtimin e inflamacionit, mund të ulë rrezikun për zhvillim të kancerit të zorrës së trashë, por megjithatë, ky zakon do të mund të çonte edhe në efekte anësore të rrezikshme si gjakderdhja dhe inflamacioni.

“Është më rëndësi të dihet rreth organizmit individual. Është mirë të dihet nëse organizmi yt do të mund ta përballonte përdorimin e përditshëm të aspirinës”, ka deklaruar doktoresha nga MGH.
Doktori Daniel Sikavi dhe Andrew Chan, patën udhëhequr një studim ku eksplorohej rreth lidhjes ndërmjet aspirinës dhe kancerit të zorrës së trashë.

“Kemi gjetur se njerëzit që patën stil më të pashëndetshëm të jetesës si pesha e tepërt, konsumimi i duhanit, përdorim i alkoolit, aktivitet të paktë fizik dhe kualitet të ulët të të ushqyerit, kanë pasur më shumë përfitime nga përdorimi i aspirinës në zvogëlimin e gjasave për zhvillim të kancerit të zorrës së trashë”, ka thënë Sikavi.

Në përgjithësi ai ka cekur se njerëzit me kualitet më të lartë të stilit të jetesës, ishin më pak të rrezikuar nga ky kancer.

4. Moskonsumimi i pijeve të gatshme të frutave me sheqer të shtuar

Studimet kanë treguar se më shumë se gjysma e amerikanëve konsumojnë pije me sheqer të shtuar në baza ditore.

Studiuesit nga American Cancer Society kanë gjetur se gratë dhe burrat që pinin dy apo më shumë këso lloj pijesh brenda ditës patën 5 për qind më shumë gjasa të vdisnin nga kanceri që zhvillohet nga pesha e tepërt.

“Ani pse kanë shije të ëmbël, pijet e gatshme të frutave përmbajnë sheqer të rrezikshëm dhe përfaqësojnë rrezik mjaft të madh për shëndetin”, ka thënë Longgang Zhao, doktor nga “Women’s Hospital” në Brigham.

Këto lloj pijesh njihen si të rrezikshme dhe mund të jenë shkaktar për sëmundjen e diabetit, obezitet dhe sëmundje të zemrës.

Zhao së fundmi ka udhëhequr një studim ku është analizuar lidhshmëria ndërmjet pijeve me sheqer të shtuar dhe kancerit të mëlçisë te gratë pas menopauzës.

“Në studimin që kemi bërë kemi gjetur se gratë që tejkalojnë menopauzën dhe që konsumojnë një apo më shumë pije të tilla me sheqer në ditë, kishin rrezik më të madh për zhvillimin të kancerit të mëlçisë si dhe rrezik më të madh të vdesin nga kjo sëmundje, se sa ato gra që konsumojnë tre ose më pak pijë te tilla brenda një muaji”, ka thënë Zhao.