Për vite me radhë shkencëtarët dhe doktorët kanë rekomanduar konsumin e verës së kuqe për shkak të antioksidantëve të fuqishëm që përmban lëvorja e rrushit të zi, me të cilin prodhohet kjo verë.
Por studime të reja tregojnë se arsyeja se pse vera e kuqe nuk po konsiderohet më si pije e shëndetshme është sasia e alkoolit që gjendet në të, shkruan revista “Forbes”.
Më parë është menduar se konsumimi i verës i kontribuon shëndetit të zemrës.
Por një studim që u bë në vitin 2022 pati sugjeruar se konsumimi mesatar i alkoolit nuk kontribuon për të mirë në shëndetin kardiovaskular. Kjo sepse njerëzit që konsumonin mesatarisht alkool kishin 1.3 herë më shumë gjasa të kenë tension të lartë të gjakut, si pasojë e të cilit ishin 1.4 herë më të rrezikuar nga sëmundjet e arterieve.
Konsumimi i alkoolit rrit gjasat për sëmundjen e kancerit. Alkooli rrit stresin oksidativ, si pasojë e të cilit mund të shkaktohet sëmundja e kancerit. Alkooli gjithashtu mund të dëmtojë mëlçinë, direkt dëmton edhe qelizat që gjenden në gojë e në fyt.
Alkooli mund të shkaktojë edhe kancer të gjirit edhe nëse konsumohet mesatarisht.
Gjumi jo i rregullt është në tjetër problem që shkaktohet nga konsumimi i alkoolit.
Alkooli njihet si qetësues gjë që do të thotë se të bën të flesh shpejt. Por kjo gjë ka ndikim të keq në organizëm për shkak se alkooli rrit nivelin e stresit dhe të nesërmen të zgjoheni me kokëdhimbje dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Do të duheshin sasi shumë të mëdha të konsumimit të verërave në mënyrë që organizmi të përfitojë të mirat nga antioksidantët e rrushit që gjendjen në këtë pije.
Vera e kuqe përmban antioksidantin e quajtur resveratrol, i cili gjendet në lëvoren e rrushit të zi, por nuk përmban sasi të mëdha që të ketë ndikim pozitiv në shëndet.
Studimet kanë treguar se sasia e antioksidantëve në verë është e ulët dhe si e tillë nuk mund të kontribuojë në shëndet të mirë. Për të marrë sasinë e duhur të këtyre oksidantëve atëherë do të duhej të konsumoheshin sasi shumë të mëdha të verës.
Në fund “Forbes” shkruan se vera e kuqe të bën të ndihesh mirë, por nuk duhet të mendohet se është e mirë për shëndetin. Sa më shumë alkool që konsumohet, përfshirë edhe verën e kuqe, aq më shumë rritet rreziku nga problemet shëndetësore.