Me rritjen e rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë, janë rritur edhe shqetësimet e njerëzve.
Shkalla e këtij lloji të kancerit te njerëzit nën 50 vjeç është rritur që nga vitet 1990, sipas doktorit Michael Cecchini, një nga drejtorët e programit për kancerin e zorrës së trashë në Qendrën për Kanceret e Sistemit Gastrointestional dhe onkolog në Qendrën Mjekësore të Kancerit në Universitetin Yale.
Arsyeja e saktë pse këto shifra po rriten është ende e panjohur.
Huff Post ka shkruar se ekspertët besojnë se kjo mund të ketë të bëjë me stilin e jetesës dhe faktorët mjedisorë, por, doktori ka thënë se ende nuk dihet saktësisht se çka e shkakton. Ai ka këshilluar se në këtë periudhë, është shumë e rëndësishme që t'i kushtohet vëmendje ― ani pse disa njerëz që kanë ndonjë simptomë mund jenë të rinj.
Një pjesë e kësaj është njohja e shenjave paralajmëruese dhe doktori ka treguar se ka një simptomë të befasishme që po i tërheq vëmendjen: jashtëqitje shumë të holla, si një laps.
Jashtëqitja e hollë mund të jetë shenjë alarmante
“Mjekët ndonjëherë vërejnë pacientë që kanë jashtëqitje shumë më të holla, ose si laps, që është një përshkrim që mund ta kenë disa pacientë me kancer të zorrës së trashë”, ka shpjeguar Cecchini.
Ai tutje ka bërë të ditur se kjo zakonisht ndodh kur tumoret ndodhen afër fundit të zorrës së trashë ose kur ato mbulojnë të gjithë brendësinë e kësaj zorre, duke ngushtuar çdo jashtëqitje që kalon nëpër të.
Jashtëqitja e shëndetshme duhet të jetë e gjatë dhe e formuar dhe duhet të dalë në një copë të vetme ose disa copa më të vogla.
“Ajo që është më shqetësuese është kur jashtëqitja e ngushtë është një ndryshim i ri dhe i qëndrueshëm”, ka thënë doktori Jeffrey Dueker, gastroenterolog në UPMC dhe profesor i gastroenterologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Pittsburgh-ut.
Sipas Dueker, çdo ndryshim i dukshëm në zakonet e jashtëqitjes mund të jetë një shenjë alarmante (por ai thekson se kjo gjë nuk është gjithmonë një shenjë e kancerit të zorrës së trashë). Përveç ndryshimit në formën ose qëndrueshmërinë e jashtëqitjes, kjo mund të përfshijë shkuarjen në tualet më shpesh ose pak më shpesh.
Jashtëqitja e hollë është një nga simptomat më të rralla të kancerit në zorrë të trashë
Jashtëqitja e hollë është një nga simptomat më të rralla të kancerit të kolonit.
“Kur ajo ndodh, është shumë shqetësuese. Ajo thjesht nuk është një nga simptomat më të zakonshme të kësaj sëmundjeje", ka thënë Cecchini.
Simptomat më të zakonshme janë gjaku në jashtëqitje dhe dhimbjet abdominale. Humbja e peshës pa qëllim është një tjetër shenjë. Disa raste të kancerit të kolonit nuk kanë asnjë simptomë.
Nëse dikush mund të vërej ndonjë simptomë, duhet t’ia thoni mjekut tuaj.
“Mos e injoroni kurrë simptomën tuaj, nëse vëreni gjak në jashtëqitje, dhimbje kronike të barkut, ndryshime në lëvizjet e zorrëve ose humbje peshe të pashpjeguar, është e rëndësishme që t’ia thoni mjekut tuaj. Është shumë e lehtë për individët e rinj të mendojnë, ‘Oh, është thjesht hemorroidet’, ose diçka e ngjashme ...e edhe mund të jetë, por gjithashtu ato mund të ekzistojnë së bashku. Një person mund të ketë hemorroidet dhe kancer, ose mund të jetë diçka tjetër krejtësisht”, ka këshilluar Cecchini.
Rreziku mund të ulet duke bërë kolonoskopi dhe kontrolle të rregullta
Për shumicën e njerëzve, kryerja e një kolonoskopie ose një testi tjetër për kancerin e zorrës së trashë është mënyra më e mirë për të ulur rrezikun ose për të zbuluar kancerin në fazat e tij të hershme.
Cecchin ka thënë se është mirë të kryhen kolonoskopi ose teste të bazuara në jashtëqitje dhe duhet bërë biseda me mjekun përkatës për të përcaktuar testin më të mirë.
Për shumicën e njerëzve, kontrollet fillojnë në moshën 45 vjeçare. Por nëse dikush ka ndonjë nga simptomat e përmendura ose përmbush disa kritere të caktuara, mund të bëjë kontrolle e kolonoskopi para moshës 45 vjeçare.
“Çdo person që ka një të afërm, nënë, baba, vëlla, motër, djalë ose vajzë, që ka pasur kancer të zorrës së trashë, sidomos nëse ai person është diagnostikuar para moshës 50 vjeçare, ka rrezik më të lartë për kancer të kolonit për shkak të historisë familjare dhe duhet të flasë me mjekun e tij se kur duhet të fillojë të bëjë kolonoskopitë”, ka shpjeguar tutje Dueker.
Nëse dikush ka pasur sëmundje inflamatore të zorrëve ose trajtim me rrezatime në zonën e legenit apo barkut, ose nëse ka sindromë të caktuara gjenetike ose një histori personale të këtij kanceri, gjithashtu, sipas Duekerit, do të ishte e këshillueshme të kontrollohej te mjeku përkatës para moshës 45 vjeçare.
Pa panik por me kujdes të shtuar
Përfundimisht, është e rëndësishme që mjeku të jetë i informuar për historinë e pacientit dhe për çdo problem që mund ta ketë ai.
Por ani pse çdo simptomë duhet të merret seriozisht, nuk duhet të bërë panik.
“Të gjitha këto simptoma nuk do të thotë domosdoshmërisht që ju keni kancer të kolonit”, ka bërë të ditur Dueker.
Ai ka shtuat se në vend të kësaj, konoloskopitë bëhen me qëllim që të shihet se çfarë po ndodh brenda zorrës.
Ndërkohë që shkaku mund të jetë kanceri i zorrës së trashë ose një polip para-kancerogjen, i zbuluar herët, sëmundja është më e lehtë për t’u trajtuar.
“Është e rëndësishme që kanceri të vërehet herët përmes kontrollit ose duke u alarmuar për disa nga këto simptoma, në mënyrë që të diagnostikohet kanceri në një fazë më të hershme, ku është më i trajtueshëm dhe shpresojmë i shërueshëm”, ka thënë Cecchini duke shtuar se doktorët ende kurojnë shumicën e njerëzve me këtë kancer çdo vit.