Një studim i ri i udhëhequr nga Universiteti i Sydneyt dhe i publikuar në revistën JAMA Network Open ka zbuluar se influencuesit në rrjetet sociale përdorin narrativa emocionale dhe shpesh “përhapin frikë” për të promovuar teste mjekësore të diskutueshme, shkruan “The Guardian”. Sipas studiuesve, këto promovime janë kryesisht mashtruese dhe nuk përmendin rreziqet e mundshme që vijnë me këto teste.
Studimi analizoi pesë teste që kanë fituar popullaritet në rrjetet sociale, pavarësisht provave të kufizuara mbi përfitimet e tyre dhe shqetësimeve për diagnostikim të panevojshëm:
- Rezonanca magnetike e gjithë trupit
- Testet gjenetike për identifikimin e 50 llojeve të kancerit
- Testet e nivelit të testosteronit
- Testi i hormonit anti-Mullerian (AMH) ose “testi i vezëve” për gratë
- Testi i mikrobiomës së zorrëve
Studiuesit analizuan 982 postime në Instagram dhe TikTok, nga muaji prill i vitit 2015 deri në muajin janar të vitit 2024, të publikuara nga llogari me më shumë se 194 milionë ndjekës në total.
“Përhapje frike” dhe promovim i rremë
Doktoresha Brooke Nickel, autore kryesore e studimit, ka thënë se këto teste promovohen nga një gamë e gjerë përdoruesish, përfshirë influencues të njohur, njerëz të zakonshëm, media, mjekë dhe kompanitë që i prodhojnë këto teste.
“Në të gjitha rastet, promovimi i tyre ishte mashtrues”, ka thënë ajo.“Këto teste mund të çojnë në diagnoza të panevojshme, duke shkaktuar trajtime të panevojshme mjekësore ose ndikim negativ në shëndetin mendor”.
Një nga aspektet më shqetësuese të studimit ishte përdorimi i narrativave personale dhe emocionale.
“Përdoret frikësimi: ‘Nëse nuk e bën këtë test, nuk po kujdesesh për shëndetin tënd’”, ka thënë Nickel.
Për shembull, një llogari në Instagram me mbi 65,000 ndjekës promovoi testin e mikrobiomës së zorrëve duke shkruar “E meritoni të jeni të shëndetshëm. Është e drejta juaj! Këto teste do të na tregojnë me SIGURI se çfarë po shkakton shqetësimet tuaja shëndetësore”.
Përfitimet e ekzagjeruara, rreziqet e injoruara
Studimi gjeti se 87.1% e postimeve përmendnin përfitimet e testeve, ndërsa më pak se 15% përmendnin ndonjë rrezik dhe vetëm 6% flisnin për diagnostikim të panevojshëm.
Më shumë se gjysma e postimeve (50.7%) i nxisnin ndjekësit të kryenin testet, dhe 68% e llogarive kishin interesa financiare të lidhura me promovimin e tyre.
Edhe pse mjekët ishin më të prirur të përmendnin rreziqet, disa prej tyre po ashtu promovonin testet në mënyrë të fortë.
Një mjek me mbi 65,000 ndjekës në TikTok promovonte testin për zbulimin e hershëm të kancerit.
“Me kalimin e viteve, shanset për të pasur kancer rriten ndjeshëm. Nëse e bëni këtë test çdo vit, do ta zbuloni kancerin herët”, ka thënë ai ndërkohë që po e promovonte testin.
Diagnostikimi i panevojshëm dhe pasojat financiare
Nickel ka thënë se rreziqet e diagnostikimit të panevojshëm janë më të dukshme te testet për kancerin, si kryerjen e rezonancës magnetike të gjithë trupit dhe testet e zbulimit të shumë llojeve të kancerit. Diagnostikimi i panevojshëm nënkupton identifikimin e sëmundjeve në faza shumë të hershme, të cilat mund të mos shkaktojnë kurrë simptoma apo probleme, por që mund të çojnë në stres psikologjik dhe trajtime të panevojshme, përfshirë ndërhyrje kirurgjikale të mëdha.
Përveç rreziqeve shëndetësore, ka edhe kosto të larta financiare. Një skanim i plotë i trupit, kushton, pa përmendur shpenzimet e trajtimeve të mëvonshme të shkaktuara nga diagnostikimi i panevojshëm.
Testi “i vezëve” dhe frika e krijuar te gratë e reja
Edhe pse testi i AMH nuk mund të parashikojë saktësisht fertilitetin e një gruaje, ai shpesh përdoret për të krijuar pasiguri te gratë e reja, duke i shtyrë drejt ngrirjes së vezëve ose trajtimeve të shtrenjta të fekondimit in vitro (IVF).
Një mjek me mbi 70,000 ndjekës në TikTok promovoi këtë test me mesazhin: “Pavarësisht nëse je adoleshente apo 30 vjeçe, njohja e fertilitetit tënd është thelbësore. Mosha nuk është mike për gratë”.
Nickel ka bërë të ditur se ky test “luan me pasiguritë e grave rreth aftësisë së tyre për të pasur fëmijë në të ardhmen”.
Testet e nivelit të testosteronit dhe “miti i burrërisë”
Testet e testosteronit shpesh lidhen me promovimin e suplementeve apo trajtimeve hormonale, duke u mbështetur në narrativa të forta për burrërinë.
Një llogari në TikTok me gati 100,000 ndjekës paralajmëronte ndjekësit: “Nëse nuk po zgjoheni në mëngjes me ereksion, ka një mundësi të madhe që keni nivele të ulëta të testosteronit. Bëjeni testin!”.
Nickel ka theksuar se disa suplemente të testosteronit mund të jenë të rrezikshme, pasi mungojnë prova afatgjata për sigurinë e tyre.
Nevoja për më shumë rregullim dhe edukim shëndetësor
Një nga problemet më të mëdha, sipas studiuesve, është fakti që këto teste shpesh u shiten drejtpërdrejt konsumatorëve, duke eliminuar rolin e mjekut si këshilltar.
Profesor Stacy Carter nga Australian Centre for Health Engagement, Evidence and Values, ka thënë se studimi tregoi qartë se postimet në rrjetet sociale theksojnë përfitimet e testeve, edhe kur ato janë të padobishme apo potencialisht të dëmshme.
“Ky studim shton provat se dezinformimi mjekësor është i përhapur në rrjetet sociale dhe sugjeron që duhet të jemi më të kujdesshëm kur një influencues na inkurajon të bëjmë një test mjekësor”, ka thënë Carter.
Nickel përfundoi duke theksuar nevojën për rregullore më të rrepta, në mënyrë që individët të mos mbeten vetëm në përballjen me këtë valë informatash të rreme.