Ajo që i ndodh trurit gjatë tranzicionit prej jetës në vdekje i ka bërë kureshtarë shkencëtarët prej kohësh.
DailyMail ka raportuar se një ekip neuroshencëtarësh ka bërë incizimin e parë të aktiviteti të trurit kur një 87-vjeçar pësoi arrest kardiak. Incizimi i procesit ka sugjeruar se njeriu në fjalë përjetoi kujtime të rëndësishme nga e gjithë jeta.

Neuroshkencëtarët kanë mbërritur të kapin 900 sekonda nga aktiviteti i trurit rreth kohës së vdekjes, gjë që ua ka lejuar të shohin se çfarë ndodh në 30 sekondat para dhe pasi që zemra e pacientit pushoi së rrahuri.
Aktiviteti i trurit i regjistruar në momentet e fundit të jetës tregon se, para dhe pas arrestit kardiak, zonat që lidhen me kujtesën dhe funksionet mendore mbeten aktive.
Kjo ka bërë që studiuesit të spekulojnë se ekziston fenomeni i ashtuquajtur “rishikim i jetës”.
Valët e regjistruara të trurit, veçanërisht ato të njohura si valët gama, janë të lidhura me funksione të larta mendore si shfaqja e kujtimeve. Kjo sugjeron se truri mund të “rishikojë” ngjarje të rëndësishme të jetës në momentet para vdekjes.
“Duke gjeneruar lëvizjet poshtë-lartë të valëve të trurit që janë të lidhura me rishfaqjen e kujtimeve, truri mund të bëjë një rikujtim të fundit të ngjarjeve të rëndësishme të jetës para se të vdesim, diçka që është raportuar shpesh në përvojat afër vdekjes”, ka thënë autori i studimit, doktori Ajmal Zemmar.

Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt se si dhe pse ndodh fenomeni i “rishikimit të jetës”, por ata kanë disa teori. Njëra nga to sugjeron se privimi nga oksigjeni gjatë një ngjarjeje që kërcënon jetën mund të shkaktojë lëshimin e neurotransmetuesve, të cilët transmetojnë sinjale mes neuroneve.
Kjo bën që neuronet të ndizen shpesh, dhe ky aktivitet i shtuar mund të çojë në perceptimin e kujtimeve dhe imazheve të gjalla.
Një tjetër mundësi shpjeguese lidhet me vendin ku ruhen kujtimet në tru.
Shkencëtarët besojnë se disa kujtime shumë emocionuese ruhen në amigdala, aktivizimi i së cilës, gjatë një përvoje kërcënuese mund të çlirojë këto kujtime të gjalla, duke i bërë ato të kalojnë shpejt para syve.
Edhe pse gjetjet e Zemmarit nuk tregojnë drejtpërdrejt se cila nga këto shpjegime është e saktë, ato ofrojnë prova që sugjerojnë se fenomeni i “rishikimit të jetës” është i vërtetë.
“Këto gjetje sfidojnë kuptimin tonë të momentit të saktë kur jeta përfundon dhe ngre pyetje të rëndësishme të tjera, siç janë ato që lidhen me kohën e dhurimit të organeve”, ka thënë Zemmar.
Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se ky studim është kryer në një rast të vetëm.
“Shkencërisht, është shumë e vështirë të interpretohet ky informacion sepse truri kishte pësuar gjakderdhje, sulme, ënjtje – dhe ky është vetëm një rast. Pra, nuk mund të nxjerrim konkludime të mëdha nga ky rast”, ka thënë Zemmar.
Megjithatë, sipas tij, ky zbulim hap diskutim të ri mbi jetën, vdekjen dhe mekanizmat që qëndrojnë pas momenteve të fundit të jetës.
Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, janë të nevojshme më shumë studime dhe raste të tjera.