Lifestyle

Imuniteti i fetusit mbron trurin para lindjes

Imuniteti i fetusit

Imuniteti i fetusit

Një studim i ri ka zbuluar se fetuset mund të zhvillojnë imunitet të fortë, i cili reagon ndaj infeksioneve shumë më herët sesa mendohej, duke sfiduar idenë se fetusi varet plotësisht nga imuniteti i nënës.

Neuro Science News, ka shkruar se studimi i ri mbi infeksionet me virusin Zika ka treguar se disa qeliza imune, si mikroglia, mbrojnë trurin e fetusit, ndërsa të tjera, si monocitet, shkaktojnë inflamacion të dëmshëm.

Në këtë studim, të publikuar në revistën Cell, studiuesit zbuluan se fetuset kanë sistem imunitar funksional të zhvilluar shumë më herët se sa mendohej, i cili mund të luftojë infeksionet në sistemin nervor.

Ky zbulim ka treguar se kjo mund të ndihmojë në mbrojtjen e fetuseve nga infeksionet që shkaktojnë çrregullime të rënda shëndetësore, si mikrocefalitë, ku koka e fetusit është dukshëm më e vogël sesa pritej.

“Në fillim të shtatzënisë, fetusi nuk mund të mbijetojë vetë dhe gjithmonë kemi menduar se ai mbështetet kryesisht në sistemin imunitar të nënës për mbrojtje ndaj infeksioneve. Megjithatë, ne gjetëm se sistemi imunitar i fetusit mund të ndërmarrë mbrojtje ndaj infeksioneve shumë më herët sesa ishte menduar”, ka thënë autorja e studimit Ashley St John.

Studiuesit kanë analizuar përgjigjen imunitare të fetusit ndaj virusit Zika dhe zbuluan se disa qeliza imune veprojnë në mënyrë mbrojtëse dhe reduktojnë dëmet në tru, ndërsa të tjera qeliza shkaktojnë inflamacion të dëmshëm. 

Ata kanë identifikuar rolin e mikroglisë, qelizës së imuniteti që ndodhet në tru, e cila e mbron atë dhe është thelbësore për mbrojtjen e fetusit kundër patogjenëve.

Ndërkohë, monocitet, qelizat e bardha të gjakut që prodhohen në palcën e eshtrave, mund të shkaktojnë dëme të rënda në tru duke provokuar inflamacion. 

Studiuesit kanë zbuluar se këto qeliza mund të shkaktojnë dëme në tru që zhvillohen edhe para lindjes, duke i dhënë perspektivë të re mbi mënyrën se si ndodhin dëmet gjatë infeksioneve të fetusit në barkun e nënës.

Në përgjigje të këtij zbulimi, shkencëtarët përdorën një ilaç eksperimental kundër inflamacionit që bllokoi funksionin e një molekule të quajtur NOS2, duke ulur inflamacionin e dëmshëm dhe duke mbrojtur trurin e fetusit nga dëmet që mund të shkaktonte infeksioni me virusin Zika.

“Studimi ynë ka treguar se përgjigjet imunitare të fetusit mund të jenë mbrojtëse ose të dëmshme. Është e rëndësishme që po e dimë se si qelizat e ndryshme imunitare kontribuojnë në mbrojtjen fetale në mënyrë që të ndërhyhet me kohë kur është e nevojshme”, ka thënë St John.

Ky hulumtim ofron mundësi të reja për trajtimin e infeksioneve gjatë shtatzënisë dhe mund të ndihmojë në parandalimin e çrregullimeve kongjenitale që mund të shkaktohen nga këto infeksione.