Shkencëtarët kanë zhvilluar një pajisje revolucionare që shndërron mendimet në fjalë të folura në kohë reale, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Në një studim të ri, të botuar në revistën Nature Neuroscience, teknologjia u testua te një grua 47-vjeçare me paralizë të katër gjymtyrëve, e cila nuk kishte folur për 18 vjet pas një sulmi në tru. Pajisja iu implantua në tru gjatë një operacioni klinik dhe lejonte përkthimin e synimit për të folur në fjali të rrjedhshme.
“E kthen synimin e saj për të folur në fjali të rrjedhshme”, ka thënë Gopala Anumanchipalli, bashkautor i studimit nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.
Ndryshe nga pajisjet e tjera që kanë vonesa midis mendimeve dhe shqiptimit, kjo teknologji funksionon “në kohë reale”, duke përmirësuar rrjedhshmërinë e bisedës.
“Është një përparim i madh për fushën tonë”, ka thënë Jonathan Brumberg, nga Universiteti i Kansasit, që nuk ishte pjesë e studimit.
Shkencëtarët kanë regjistruar aktivitetin e trurit të gruas ndërsa ajo shqiptonte fjalitë në mendje. Ata përdorën një sintetizues që imitonte zërin e saj të dikurshëm dhe trajnuan një model të inteligjencës artificiale për t’i përkthyer sinjalet nervore në tinguj të të folurit.
“Nuk pret që të përfundojë një fjali, e përpunon në çast”, ka sqaruar Anumanchipalli.
Implanti është vendosur mbi qendrën e të folurit në tru dhe dërgon fragmente të vogla tingujsh çdo 80 milisekonda, afërsisht gjysmë rrokjeje, për t’u shndërruar në fjalë.
Sistemi premton që në të ardhmen t’i ndihmojë njerëzit që kanë humbur aftësinë për të folur për shkak të sëmundjeve apo dëmtimeve neurologjike.
Megjithëse ende eksperimentale, teknologjia mund të bëhet e qasshme për pacientët brenda një dekade.
“Me investime të qëndrueshme, mund të arrijmë t’ua ofrojmë pacientëve këtë teknologji brenda 10 viteve”, ka përfunduar Anumanchipalli.